Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Harrimi i sexhdes në namaz dhe pasojat e saj

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Burimi: http://www.binbaz.org.sa/noor/6410
www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Çfarë gjykimi ka në rastin kur ai që falet, harron të bëjë një sexhde gjatë namazit dhe i kujtohet kjo gjë gjatë namazit apo pas namazit?

Përgjigje: Nëse ai harron një sexhde, rekati në të cilin ai nuk e kreu këtë sexhde anulohet dhe ky rekat zëvendësohet me rekatin e ardhshëm. Kur t’i kujtohet kjo, ai e falë një rekat tjetër dhe pastaj bën suxhud-us-sehu (dy sexhdet e harresës). Kjo vlen për imamin.

Ndërsa nëse ai është pas imamit në namazin me xhemat, ai ngrihet pas teslimit të imamit dhe e falë një rekat tjetër. Kjo është e mjaftueshme dhe namazi i tij është i saktë në dashtë Allahu. Kjo për arsye se ai humbi një rekat kur harroi një sexhde.

Sa i përket imamit dhe atij që falet vetëm, ata duhet të falin edhe një rekat tjetër dhe pastaj të bëjnë suxhud-us-sehu. Ndërsa në rastin kur ai është në namazin me xhemat pas imamit dhe nuk i kujtohet kjo gjë vetëm pasi që ka mbaruar rekati në të cilin harroi të kryente sexhden dhe është ngritur në rekatin tjetër dhe ka filluar të lexojë, atëherë kur imami të bëjë teslim, ngrihet dhe falë një rekat tjetër që është rekati në të cilin harroi të bënte sexhden. Nëse i kujtohet kur ai është duke u ngritur në rekatin tjetër, kthehet dhe bën sexhden dhe nuk ka nevojë të shtojë asgjë në namazin e tij. Po ashtu nëse i kujtohet kur është ngritur (dhe është në qëndrimin në këmbë në rekatin tjetër) ose akoma nuk e ka filluar leximin (e sures el-Fatiha), atëherë kthehet dhe bën sexhden dhe ky rekat konsiderohet i vlefshëm, por nëse harron dhe harresa zgjat ca kohë, ndërkohë ai vazhdon faljen, atëherë duhet të kryejë një rekat tjetër dhe ajo që është më afër të saktës është se ai duhet të bëjë suxhud-us-sehu dhe Allahu e di më së miri. Kjo sepse gjykimi për të është i ngjashëm me rastin që përmendëm më sipër, kur atij që falet i humb një rekat.

Pyetje: Nëse kjo i kujtohet pas namazit, a duhet ta përsërisë namazin?

Përgjigje: Jo, nëse atij i kujtohet pas namazit dhe nuk ka kaluar shumë kohë, ai e falë edhe një rekat dhe bën suxhud-us-sehu. Dhe nëse kalon një kohë e gjatë dhe nuk i kujtohet, kjo tregon që ai ka harruar, si p.sh. i kujtohet të nesërmen ose të pasnesërmen apo pas një kohe të gjatë. E rëndësishme është se nëse i kujtohet pas një kohe të gjatë, ai e përsërit të tërë namazin, e përsërit dhe njëherë të tërë namazin.

Shpërndaje: