Shejkhul Islam Ahmed bin Tejmijeh (v. 728)
Burimi: Mexhmu-ul-Fetaua (18 / 18-19).
Një shembull tjetër është hadithi i transmetuar nga imam Muslimi në të cilin thuhet:
”Allahu e krijoi tokën të shtunën, krijoi malet të dielën, krijoi pemët të hënën, vështirësitë dhe gjërat e urryera i krijoi të martën, dritën e krijoi të mërkurën, kafshët i krijoi dhe bëri që të shpërndahen të enjten dhe Ademin e krijoi të premten.”
(Muslimi, hadithi nr 2789).
Ky transmetim u kritikua nga ata që janë më të ditur se imam Muslimi në këtë fushë, si p.sh. Jahja ibn Main, Bukhari dhe të tjerët. Bukhari ka thënë se këto janë fjalët e Ka‘b el-Ahbar. Një grup prej dijetarëve si Ebu Bekr ibn el-Anberi, Ebu’l-Faraxh ibn-ul-Xheuzi dhe të tjerë e konsideruan këtë hadith të saktë, ndërsa el-Bejhaki dhe të tjerë ishin prej atyre që e konsideruan këtë hadith të dobët (daif) dhe kjo është e sakta. Kjo, pasi është vërtetuar nëpërmjet transmetimeve muteuatir se Allahu i ka krijuar qiejt dhe tokën dhe gjithçka që gjendet midis tyre, brenda 6 ditësh, dhe po ashtu, është vërtetuar që dita e fundit e krijimit është dita e premte (e xhuma) dhe nga kjo domosdoshmërisht rezulton se dita e parë e fillimit të krijimit është dita e dielë dhe kështu është dhe tek ehl-ul-kitabët. Gjithashtu për këtë tregojnë dhe emrat e ditëve të javës dhe kjo është ajo që është transmetuar dhe është vërtetuar në hadithet dhe etheret e tjera dhe nëse dita e shtunë do të ishte dita e parë e krijimit dhe dita e fundit e krijimit do të ishte dita e premte, kështu do të rezultonte se krijimi i qiejve dhe i tokës do të kishte ndodhur brenda 7 ditësh, por kjo është në kundërshtim me atë që na ka lajmëruar Allahu në Kuran. Dijetarët e specializuar në fushën e hadithit e dobësojnë këtë hadith jo vetëm për këtë arsye por dhe për shkak të gabimit në transmetim të njërit prej transmetuesve, si dhe për shkak të arsyeve të tjera të cilat ata i kanë përmendur. Dhe kjo është ajo që quhet: ”Mearifetu ilel lil-hadith”– njohja e shkaqeve se pse hadithi nuk është i saktë, pavarësisht faktit se në aparencë tek hadithi, zinxhiri i tij transmetimit duket i mirë, por na bëhet e qartë nëpërmjet rrugës tjetër se një prej transmetuesve ka gabuar në transmetimin e tij pasi ia ka atribuar fjalën të dërguarit të Allahut ﷺ (duke e sjellë transmetimin në formën merfu), ndërkohë që transmetimi përfundon tek sahabi (pra konsiderohet meukuf), ose transmetimi në të vërtetë është mursel (ka ndërprerje në zinxhirin e transmetimit), por dikush prej transmetuesve gabon dhe e transmeton në mënyrë të pandërprerë deri tek i dërguari i Allahut ﷺ ose dikush prej transmetuesve ngatërron tekstin e një hadithi me tekstin e një hadithi tjetër duke i ndërfutur tek njëri-tjetri dhe kjo lloj dije rreth kësaj fushe, është dije fisnike dhe e nderuar.
Shejkh Muhamed ibn Ali el Etiopi (Allahu e mëshiroftë) në komentin e tij të këtij hadithi në Sahih el Muslim, vëll 43/ fq. 341, ka thënë:
“Ka thënë Bukhari: Disa e kanë transmetuar hadithin nga Ebu Hurejra dhe ky i fundit nga Ka‘b el-Ahbar dhe kjo është e sakta (pra meukuf). (Tarikh el Kebir, 1/413-414).”
Ka thënë Menaui: ka thënë Zerkeshi: Ky transmetim është prej transmetimeve të çuditshme të Muslimit, dhe për këtë kanë folur Ali Ibn-ul-Medini, Bukhari dhe hufadhë të tjerë të hadithit të cilët e konsideruan këtë transmetim prej fjalëve të Ka’b el-Akhbar dhe se Ebu Hurejra e ka dëgjuar prej Ka’bit, por disa prej transmetuesve u ngatërruan dhe e transmetuan si fjalë nga i dërguari i Allahut ﷺ. Kështu tha el-Bejhaki, Ibn Kethiri në tefsirin e tij, ndërsa disa të tjerë thanë që në këtë transmetim, ka një gabim të rëndë në tekstin e hadithit, pasi nuk përmendet krijimi i qiejve por përmendet vetëm krijimi i tokës dhe se ky krijim ka ndodhur brenda 7 ditëve, ndërkohë që kjo bie ndesh me Kuranin që na lajmëron se çdo gjë u krijua brenda 6 ditëve.” (Fejdul Kadir-3/448)
Dhe ajo që duket qartë është se ky transmetim tek Muslimi është gabim, pasi duhet të ishte meukuf dhe jo merfu dhe ky gabim nuk ia ul vlerën imam Muslimit (Allahu mëshiroftë), pasi gabime si këto, janë të pakta në librin e tij dhe ai është prej imamëve të njohur, hafidh, njohës dhe kritik i defekteve që mund të gjenden në një hadith. Por njeriu është i ekspozuar ndaj harresës dhe kush është ai që mund të shpëtojë prej kësaj?! Vetëm se ai të cilin Allahu i Lartësuar e ka ruajtur nga kjo gjë dhe Allahu i Lartësuar e di më së miri.”