Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Ibnu Tejmijeh – Ndonjëherë i butë, ndonjëherë i ashpër

Alameh Muhammed Khalil Harras (v. 1395)

Burimi: Ibnu Tejmijeh es-Selefi, fq. 37-38

Përktheu: Valdet Gashi 

www.perlatmuslimane.com

Ndonjëherë mund të shohim se Ibnu Tejmijeh debaton me sekte të ndryshme në një mënyrë jashtëzakonisht të qetë. Për shembull, ai tha në “Minhaxh-us-Sunneh”:

“Nëse ai refuzon ndonjë nga cilësitë e Allahut, të tilla si hidhërimi, kënaqësia, dashuria dhe urrejtja, dhe pohon se ato sugjerojnë krahasimin e Allahu me një trup, i thuhet atij se ti pohon dëshirën, të folurit, të dëgjuarit dhe shikimin e Allahut, dhe thua ato nuk janë si cilësitë e krijesave, atëherë poho edhe atë që ke mohuar nga ajo që Allahu dhe i dërguari i Tij (salAllahu alejhi ue selam) e kanë pohuar – nuk ka dallim midis tyre.

Nëse ai thotë se nuk pohon asnjë cilësi fare, i thuhet atij se ti pohon emrat e bukur si i Gjalli, i Dijshmi dhe i Pasuri. Në të njëjtën kohë edhe robërit e tij kanë emra të tillë. Këta emra që ti ia pohon Zotit nuk krahasohen me emrat e robërve. Prandaj, sigurohu që të thuash për cilësitë e Tij atë që thua në lidhje me emrat e Tij.

Nëse ai thotë se nuk i pohon emrat e bukur dhe thotë se ato janë metafora, apo se ato janë emra të disa prej krijesave të tij, të cilën e thonë sekti Batinijjeh ekstrem dhe filozofët, i thuhet atij se megjithatë duhet ende të besojnë se Ai është i vërtetë dhe ekziston Vetvetiu … “1

Shih se sa qetë Ibn Tejmijeh diskuton me kundërshtarin e tij për ta dërguar atë aty ku ai dëshiron. Megjithëkëtë, ndonjëherë e shihni se sa ashpër dhe vrazhdë i kritikon kundërshtarët e tij në një mënyrë thuajse të tepruar. Për shembull, ai thotë në “el-Furkan”:

“Në të vërtetë, Xhehmitë mohues e kanë të njëjtin besim si Faraoni; Krijuesi mohohet dhe të folurit e Tij dhe feja e Tij mohohet. Të njëjtën gjë e bëri Faraoni. Ai e mohoi Krijuesin dhe tha:

يَا أَيُّهَا الْمَلَأُ مَا عَلِمْتُ لَكُم مِّنْ إِلَهٍ غَيْرِي

“O ju pari, unë nuk njoh ndonjë zot tjetër për ju pos meje!”2

Ai tha Musait:

لَئِنِ اتَّخَذْتَ إِلَهًا غَيْرِي لَأَجْعَلَنَّكَ مِنَ الْمَسْجُونِينَ

(Faraoni) Tha: “Nëse ti beson zot tjetër pos meje, do të burgos ty!” 3

Ai refuzoi se Allahu kishte folur me Musain dhe se Zoti i tij është mbi qiej. Ai donte të zhvleftësonte adhurimin dhe bindjen e përkushtuar ndaj Allahut, në mënyrë që ai të adhurohej dhe ti bindeshin atij. Fakti se ideologjia e mohuesve e Xhehmive mohues kthehet tek ideologjia e Faraonit, atëherë ajo përfundon në mohimin e Zotit, adhurimit të përkushtuar ndaj Tij dhe të folurit e Tij.”4

Me siguri kritika e ashpër dhe e vrazhdë e Ibnu Tejmijes ka shkaktuar urrejtjen e shumë njerëzve ndaj tij, që ishte arsyeja pse ata më vonë komplotuan kundër tij, e shqetësuan atë, dyshuan në fenë dhe besimin e tij, e luftuan atë gjatë jetës dhe pas vdekjes së tij.


1 Minhaxh-us-Sunneh (1/175).

2 28:38

3 26:29

4 Mexhmu’at-ur-Rasa’il el-Kubra (1/144).

Shpërndaje: