“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Idhujtarët besonin se Allahu ishte Krijuesi

Imam Muhammed bin Isma’il es-San’ani 

Burimi: Te’thirul-I’tikad, fq. 8-9

Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Në të vërtetë, idhujtarët të cilëve Allahu ua dërgoi të dërguarin salAllahu alejhi ue selem, kishin bindjen se Allahu është Krijuesi i tyre. Thotë Allahu në Kuran:

“Nëse i pyet ata se kush i ka krijuar, me siguri që ata do të thonë: “Allahu!” Atëherë, përse largohen prej Tij?!” 43:87

Dhe thotë Allahu:

“Nëse ti i pyet ata: “Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën?” Ata, me siguri do të thonë: “Ato i ka krijuar i Plotfuqishmi dhe i Gjithëdijshmi” 43:9

Në mënyrë të ngjashme, ata besonin se Allahu është Ai, i Cili i furnizoi, i Cili nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla, i Cili rregullon çdo çështje dhe është Ai i Cili e ka në Dorë të parit dhe të dëgjuarit e njeriut. Thotë Allahu:

“Thuaju (O Muhammed): “Kush ju sjell furnizim nga qielli dhe nga toka dhe kush është Zotëruesi i të dëgjuarit dhe të shikuarit? Dhe kush e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Dhe kush është rregulluesi dhe sunduesi i të gjitha çështjeve?” Ata do të thonë: ”Allahu”.” E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?” 10:31

Dhe thotë Allahu:

“Thuaj: “E kujt është Toka dhe gjithçka që gjendet në të, nëse e dini?” Ata do të thonë: “Të Allahut!” E ti thuaju: “Vallë, a nuk po ia vini veshin?” Thuaj: “Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Fronit Madhështor”?” 23:84-86

Kur Allahu flet për Musain alejhis-selam, Ai e përmend atë që Musai alejhis-selam ia tha Faraonit, kur Faraoni e shfaqi mosbesimin e tij, duke pas pretendimet më të neveritshme dhe duke thënë thëniet nga më të tmerrshmet:

“(Musai) tha: “Tashmë ti e di se këto nuk i ka shpallur askush tjetër, përveç Zotit të qiellit dhe të Tokës, si prova të dukshme dhe Unë jam i bindur se ti je i dënuar në humbje.” 17:102

Ndërsa, Allahu i tregon fjalët e shejtanit:

“Siç bën djalli, i cili i thotë njeriut: “Mos beso!” Por, kur ky bëhet mohues, djalli i thotë: “Unë nuk kam të bëj me ty! Në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve”!” 59:16

Dhe ajeti:

“Iblisi tha: “Zoti im, më jep afat deri në ditën kur ata do të Ringjallen”!” 15:36

Çdo idhujtar besonte se Allahu është Krijuesi i tij, Krijuesi i qiejve dhe i tokës dhe Zoti që furnizon gjithçka, që është në qiej dhe në tokë. Prandaj, të dërguarit argumentuan ndaj tyre duke thënë:

“Atëherë, a është njësoj si Ai që krijon, si ai që nuk krijon?! A nuk po merrni vesh?”16:17

Dhe:

“O njerëz, është sjellë një shembull, andaj dëgjojeni atë: “Idhujt që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk do të mund t’ia marrin. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli).” 22:73

Kjo është një gjë që idhujtarët e besojnë dhe nuk e refuzojnë.

Shpërndaje: