Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Sherh el-Mumti’, 2939-2930
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ka mundësi që burri të ketë mundësi për të bërë ndonjëherë marrëdhënie seksuale por pas një kohë të caktuar t’i lindin probleme shëndetësore që i shkaktojnë atij impotencë të përhershme, siç është rasti me humbjen e të dëgjuarit, me humbjen e të parit, e sëmundje të tjera që shkaktohen me kalimin e kohës. Në rast të tillë, pra të shkaktimit të impotencës pas një kohe të caktuar gjatë martesës, gruaja ka të drejtë shkurorëzimi.
Nëse dikush thotë se si ajo mund të ketë të drejtën e zgjedhjes me anë të shkurorëzimit apo jo, kur impotenca seksuale nuk është zgjedhje e njeriut, ne themi se është e vërtetë që kjo nuk është zgjedhje e tij, por është një sprovë për të nga ana e Allahut, megjithatë kjo nuk do thotë që këtë sprovë të tij ta vuajë edhe dikush tjetër.
E njëjta gjë ndodh edhe kur burri nuk është i aftë të sigurojë mirëqenien dhe furnizimin e gruas, pra ajo ka të drejtë shkurorëzimi. Përveç kësaj, impotenca është më problematike sesa mossigurimi i mirëqenies së saj. Shumë gra durojnë varfërinë dhe mjaftohen me të poseduarit e fëmijëve dhe marrëdhënie të rregullta seksuale, ndërsa furnizimi dhe mirëqenia është diçka që vjen pas këtyre dyjave. E ka raste të tjera kur gruaja kujdeset për mirëqenien e burrit. Prandaj, e vërteta në këtë mesele është se atëherë kur është e sigurt se burri ka impotencë të përhershme seksuale, atëherë ajo ka të drejtë shkurorëzimi.
Mirëpo, nëse gruaja fillimisht pajtohet që të mos shkurorëzohet nga burri i saj me impotencë të përhershme, e me kalimin e kohës ajo pendohet për këtë shkaku se e mundojnë epshet për të pasur marrëdhënie seksuale, në këtë rast ajo nuk ka të drejtë zgjedhjeje se a do qëndrojë me burrin apo jo, për shkak se ajo në fillim është pajtuar me këtë. Njeriu nuk duhet të mendojë se gjendja e njëjtë zgjat gjithnjë, por duhet pasur parasysh se gjendja mund të ndryshojë, dhe se me kalimin e kohës bëhet i vështirë durimi, siç edhe ka ardhur në një transmetim të saktë nga Ibni Umeri radijallahu anhu që e gjejmë tek Buhariu dhe Muslimi, ku thuhet:
“Urreje dikë deri në një pikë të caktuar, sepse në të ardhmen ai mund të jetë miku yt!”
Padyshim se domethënia e këtij vargu është e drejtë, gjë e cila porositë njeriun që të mos bëhet ekstrem në gjëra, por që çdo gjëje t’ia jap vendin e vet. Njeriu duhet ta llogaritë të ardhmen që e pret në mënyrë që kur t’i marr vendimet, t’i marr me të drejtë dhe me mençuri.