Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Jo të gjitha sëmundjet janë magji

Myftiu Salih bin Feuzan El-Feuzan
Mexhmu’atu Resail Dauijeh ue Menhexhijeh
Përktheu: Valdet Gashi 
www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Gruaja ime vuan nga sëmundje të ndryshme. Ajo ka shkuar te mjekët të cilët i kanë thënë se nuk ka ndonjë sëmundje fizike. Ajo dyshon se i është bërë magji dhe shpesh më kërkon të shkojmë te njerëz që kurojnë magjinë. Unë refuzoj sepse e di se kjo është e ndaluar. Nuk ndiej qetësi dhe as jetë bashkëshortore me të. Çfarë më këshilloni dhe cila është zgjidhja?

Përgjigje: Jo çdo person që sëmuret domosdoshmërisht është magjepsur. Ka shumë sëmundje dhe jo të gjitha sëmundjet janë magji. Ky është vetëm një supozim. Është e detyrueshme të mos besohet në këtë. Këto janë vesvese.

Kujdesu që t’i lutesh Allahut me këmbëngulje dhe të praktikosh rukjen sheriatike, duke lexuar shumë Kuran mbi gruan e sëmurë dhe duke kërkuar mbrojtjen e Allahut në mënyrat e përcaktuara nga sheriati. Ky është ilaçi.

Po ashtu personi mund të shkojë te psikologët. Ndoshta ata e dinë se nga cila sëmundje vuan dhe mund të kenë ilaçin për të. Nuk është e domosdoshme të jetë magji. Edhe nëse do të ishte magji, magjia nuk shërohet me magji. Ajo duhet të kurohet në mënyrë të përcaktuar nga sheriati, përmes leximit të Kuranit dhe duke kërkuar mbrojtje nga Allahu.

Nëse ekziston ndonjë ilaç/rukje ndaj magjisë që nuk përmban magji apo praktika të magjistarëve, që përdoret nga njerëz të besueshëm dhe të ditur, atëherë lejohet përdorimi i tyre.

Megjithatë, nuk lejohet të shkohet te magjistarët për të kuruar magjinë.

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje: