Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Pyetje: “Ka pasur një mosmarrëveshje ndërmjet meje dhe një familjeje tjetër – komshi tanë, ndërsa unë isha gabim në atë rast. Kur komshinjtë tjerë më pyesnin për arsyen që kishte ndodhur grindja, unë u tregoja diçka tjetër që në realitet nuk kishte ndodhur. Shtuar kësaj, ndaj zonjës së asaj familjeje kam shpifur gjëra imorale. Të gjitha këto ishin akuza të pavërteta që unë ua kamë bërë atyre. Ndërsa tani, i nderuari Shejkh, ndjehem dhe prekem shumë për këtë mëkat që e kam bërë ndaj asaj gruaje dhe familjes së saj. Unë dua që të shkoj tek ajo familje dhe t’u kërkoj falje të gjithëve. Mirëpo, kam frikë se do të më presin keq, e të lind ndonjë grindje tjetër! Më thoni se çfarë të bëj, në mënyrë që të më qetësohet zemra nga ky mëkat? Allahu ju shpërbleftë me të mira!”
Përgjigje: “Të këshilloj që të pendoheni sinqerisht tek Allahu, të ndjesh keqardhje për atë që ka ndodhur më herët, të jesh i vendosur që nuk do ta përsëritësh më atë mëkat dhe t’i përmendësh me gjëra të mira të cilat ata i kanë, –i lavdëron për moralin e mirë dhe për veçoritë e tyre që i posedojnë në vende ku ti i ke përmendur për të keq, në mënyrë që lëvdatat të jenë në të njëjtin vend ku ti i ke përqeshur. Nëse frikësohesh se kërkimi i faljes mund të shkaktojë probleme, atëherë mos shko tek ata dhe mos u thuaj asgjë. Mirëpo, siç thamë, përmendi me gjëra të mira që ti i di për ta, cilësitë e mira që kanë por pa gënjyer në të mirë të tyre. Përmendi cilësitë e mira që kanë, sidomos ato që janë përballë atyre cilësive të këqija që ti i ke thënë për ta. Mendo mirë për vëllezërit e tu dhe mos iu kthe këtij mëkati asnjëherë në jetë. Mos shpif dhe mos fol keq për moralin e të tjerëve! Pendohu tek Allahu me pendim të sinqertë. Përdor fjalë të mira dhe bëhu i mirë me ata dhe me të tjerët. përmendi të mirat e tyre që ti i din për ta, në vendet ku ke folur kundër tyre.”