Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Kërkimi i bekimit nga të vdekurit, tavafi rreth varreve dhe të betuarit në dikë tjetër pos Allahut

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fetauah Erkanul-Islam 1/84.

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Cili është gjykimi për të kërkuar bekim nga varret dhe për të bërë tavaf rreth tyre me qëllim të plotësimit të nevojave ose për t’u afruar sa më afër personit të varrosur aty dhe çfarë është gjykimi për t’u betuar në dikë tjetër përpos Allahut?

Përgjigje: Kërkimi i bekimit nga varret nuk lejohet dhe është prej llojeve të shirkut. Kjo është bindje se mund të ketë ndikim në bekimin e njeriut dhe plotësimin e nevojave të tij, diçka për të cilën Allahu nuk ka lejuar.

Kjo, nuk ishte as tradita e Selefëve (të parëve tanë të mirë). Dhe në këtë aspekt, kjo gjë konsiderohet edhe bidat. Nëse njeriu i cili vepron kështu ka bindje se i vdekuri ka mundësi apo fuqi që ta largojë të keqen dhe ta sjell të mirën dhe bën dua për ndonjërën prej këtyre, atëherë kjo gjë është shirk i madh. Gjithashtu, është shirk i madh në qoftë se i vdekuri adhurohet duke i rënë në ruku, sexhde apo duke i prerë kurban qoftë kjo për ta madhëruar, për t’u afruar më afër tij ose për ta nderuar atë. Allahu i Lartësuar thotë:

وَمَن يَدْعُ مَعَ اللَّهِ إِلَهًا آخَرَ لَا بُرْهَانَ لَهُ بِهِ فَإِنَّمَا حِسَابُهُ عِندَ رَبِّهِ إِنَّهُ لَا يُفْلِحُ الْكَافِرُونَ

“Ai që pos Allahut lut (adhuron) të adhuruar tjetër duke mos pasur kurrfarë prove për këtë, me siguri do të japë llogari vetëm te Zoti i tij. Me të vërtetë, nuk ka shpëtim për mohuesit.” El-Mu’minun, 23:117

Në një ajet tjetër thuhet:

فَمَن كَانَ يَرْجُو لِقَاء رَبِّهِ فَلْيَعْمَلْ عَمَلًا صَالِحًا وَلَا يُشْرِكْ بِعِبَادَةِ رَبِّهِ أَحَدًا

“Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet! 18:110

Ai që bën shirk të madh është kafir; do të jetë përgjithmonë në zjarr dhe xheneti është haram për të. Allahu i Lartësuar thotë:

إِنَّهُ مَن يُشْرِكْ بِاللّهِ فَقَدْ حَرَّمَ اللّهُ عَلَيهِ الْجَنَّةَ وَمَأْوَاهُ النَّارُ وَمَا لِلظَّالِمِينَ مِنْ أَنصَارٍ

“Nuk ka dyshim se ai që i bën ortak Allahut, Allahu ia ka ndaluar atij xhenetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës.” 5:72

Kur jemi tek të betuarit në diçka tjetër përveç Allahut, nëse ai që betohet beson se ai në të cilin betohet ka pozitë sikurse Allahu, atëherë ai ka bërë shirk të madh. E nëse nuk beson një gjë të tillë, porse vetëm e çmon atë aq sa e shtynë që të betohet në të por pa besuar që ai ka ndonjë pozitë të ngjashme me Allahun, atëherë ai ka bërë shirk të vogël. Prandaj profeti -صلى الله عليه وسلم- thotë:

من حلف بغير الله فقد كفر أو أشرك

Ai që betohet në dikë tjetër përveç Allahut ka bërë kufër ose shirk.” (Bukhari)

Personi i cili kërkon bekime nga varret, i lut të vdekurit ose betohet në dikë tjetër pos Allahut, duhet të qortohet ashpër. Gjithashtu, duhet t’i sqarohet se veprimi i tillë nuk e shpëton prej dënimit të Allahut, për shkak se ai arsyetohet me thënien: “Këtë gjë e kemi mësuar nga paraardhësit tanë.” Ky është edhe arsyetimi i mushrikëve të cilët i kanë përgënjeshtruar të dërguarit e Allahut:

إِنَّا وَجَدْنَا آبَاءنَا عَلَى أُمَّةٍ وَإِنَّا عَلَى آثَارِهِم مُّقْتَدُونَ

“Ne i gjetëm të parët tanë në këtë dhe ne jemi të orientuar gjurmëve të tyre.” 43:23

I dërguari i tyre u tha atyre:

قَالَ أَوَلَوْ جِئْتُكُم بِأَهْدَى مِمَّا وَجَدتُّمْ عَلَيْهِ آبَاءكُمْ قَالُوا إِنَّا بِمَا أُرْسِلْتُم بِهِ كَافِرُونَ

“Ai tha: A edhe nëse u kam sjellë rrugë më të mirë nga ajo që i gjetët të parët tuaj? Ata thanë: Ne nuk i besojmë asaj me çka ju jeni dërguar!” 43:24

Allahu i Lartësuar thotë:

فَانتَقَمْنَا مِنْهُمْ فَانظُرْ كَيْفَ كَانَ عَاقِبَةُ الْمُكَذِّبِينَ

“Atëherë Ne ndërmorëm ndëshkime kundër tyre, e shih si ishte përfundimi i gënjeshtarëve.” 43:25

Nuk lejohet për askënd që, për të arsyetuar veprimin e tij të gabuar, të marr si argument veprimin e të parëve të tij apo të arsyetohet se kjo është zakoni. E nëse dikush dëshiron të vetë-arsyetohet në këtë mënyrë, arsyeja e tij është e pajustifikueshme tek Allahu i Lartësuar, dhe kjo nuk do t’i bëjë dobi asgjë.

Ata që janë sprovuar me këtë gjë e diçka të ngjashme, duhet të pendohen sinqerisht tek Allahu, të pasojnë të vërtetën çfarëdo qoftë ajo, ngado që u vjen dhe në çfarëdo kohe qoftë. Gjithashtu, të mos jetë shkak i mospranimit të të vërtetës, zakoni i atij vendi ku ata jetojnë apo qortimi nga ana e injorantëve. Ngase, besimtarë i vërtetë është ai i cili nuk i bën përshtypje qortimi i të tjerëve në atë që Allahu e dëshiron, dhe nuk e largon nga feja e Tij asnjë pengesë që e del përpara.

Allahu na dhëntë sukses në arritjen e asaj që e bën Atë të lumtur dhe na mbrojttë nga çdo gjë që shkakton zemërimin dhe dënimin e Tij.

Shpërndaje: