Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Kërkimi i vdekjes për shkak të ndonjë fatkeqësie

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fataua el-Mar’eh

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Kam hasur në shumë vështirësi në jetën time saqë më ka bërë ta urrej këtë jetë. Çdo herë që jam kthye tek Allahu dhe jam lutur që të ma marrë jetën. Kjo është dëshira ime deri tani pasi që nuk shoh ndonjë zgjidhje për problemet e mia përveç vdekjes, e cila është e vetmja gjë që mund të më shpëtojë nga këto të këqija dhe këto vështirësi. A është kjo sjellje e ndaluar për mua?

Përgjigje: Kur dikush dëshiron vdekjen për shkak të diçkaje që e ka goditur atë, ai është duke bërë diçka që Profeti e ka ndaluar. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Askush prej jush mos ta kërkojë vdekjen për shkak se është goditur me fatkeqësi. Nëse ka këso dëshire, ai duhet të thotë: “O Allah, më jep jetë nëse jeta është më mirë për mua, dhe më jep vdekjen nëse vdekja është më mirë për mua”.”

Prandaj, nuk është e lejuar për askënd ta dëshirojë vdekjen për shkak të disa dëmeve, vuajtjeve apo vështirësive që e kanë goditur atë. Në fakt, ai duhet të ketë durim dhe të pret shpërblim nga Allahu për atë që është duke kaluar. Gjithashtu duhet të presë për lehtësimin që do të vijnë, siç profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Dije se fitorja vjen me durim, ndihma me shqetësim dhe lehtësimi me vështirësi.” 

Ai i cili është goditur me ndonjë të keqe duhet ta dijë se ato vuajtje ia fshijnë disa nga mëkatet që ai ka kryer. Asnjë besimtar nuk goditet me ndonjë lloj pikëllimi, meraku apo dhembjeje madje as sa edhe shpimi nga një gjemb, veçse Allahu ia fal mëkatet për atë shkak. Kur dikush ka durim dhe pret shpërblimin nga Allahu, ai arrin gradën e atyre që janë të durueshëm. Kjo gradë është nga më të ngriturat. Allahu ka thënë në lidhje me këtë:

“Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!2:155-156

Gruaja në fjalë mendon se nuk ka zgjidhje për problemet e saj, përveç vdekjes. Besoj që ky është qëndrim i gabuar. Vdekja nuk zgjidh ndonjë problem. Në fakt, gjendja e fatkeqësisë mund vetëm të rëndohen. Sa njerëz vdesin të goditur me dhembje dhe probleme, por ata ishin të padrejtë me veten e tyre pasi që nuk i kanë lënë mëkatet duke u penduar tek Allahu. Pastaj vdekja e tij është vetëm një përshpejtim për dënimin e tij. Po  të ishte gjallë, ndoshta Allahu do ta udhëzonte atë në pendim, duke kërkuar falje, durim, duke u përballur me problemet dhe duke pritur lehtësim. E tëra kjo do të kishte qenë më mirë për të. Prandaj, ju, pyetësi, duhet të jetë i durueshëm dhe të pris lehtësim nga Allahu. Allahu thotë në librin e Tij:

“Me të vërtetë, pas vështirësisë vjen lehtësimi! Me të vërtetë, pas vështirësisë vjen lehtësimi!” 94:5-6

Dhe profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka deklaruar, në një transmetim të vërtetë:

“Dije se fitorja vjen me durim, ndihma me shqetësim dhe lehtësimi me vështirësi.”

Shpërndaje: