Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Burimi: https://www.binbaz.org.sa/noor/8274
Përktheu: Besim Gjelaj
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Unë jam një grua që i frikësohem Allahut vazhdimisht dhe e kam ndjenjën së Ai me vëzhgon në çdo kohë, por Allahu më ka sprovuar me një burrë që nuk i frikësohet Allahut në asgjë. Kam patur besim të plotë tek ai në fillim të martesës, mirëpo pas kësaj më është bërë e qartë se ai nuk e meriton atë besim.
Ai vetëm më ka mashtruar dhe tradhtuar, ka ecur pas dëshirave të tij dhe nuk i merr parasysh fare ndjenjat e mia. Unë kam frikë për fëmijët e mi nga karakteri i keq i babait të tyre, sepse në hadith thuhet:
“Bëhu i ndershëm, ashtu do të jenë edhe gratë e juaja.”
Sa herë që e përkujtoj për uljen e shikimit, ai tallet me këtë gjë, po ashtu tallet edhe kur i them pendohu dhe përmirësohu. I nderuari shejkh: Cili është gjykimi i fesë për një burrë të tillë, tradhtar, mashtrues dhe hilexhi?
Shpresoj që t’i drejtoni atij një udhëzim, që të drejtohet zemra e tij dhe të kthehet nga këto veprime, sepse tek unë ai është bërë simbol i mashtrimit, i tradhtisë, i mos përmbushjes së detyrimeve dhe mos sinqeritetit; ai nuk posedon shpirt qortues.
Shpresoj që ta përkujtoni se Allahu e mbikëqyr dhe se do të pyetet për kohën e tij, do të përgjigjen sytë, këmbët dhe duart e tij.
I nderuari shejkh: kaosi vetëm se është përhapur dhe ka humbur besimi në jetën tonë bashkëshortore. Ka humbë balanca dhe qetësia, më ka kapluar shqetësimi dhe tensioni psikologjik si shkak i veprimeve të zotit të familjes, i cili në fakt duhej të ishte simbol i qëndrueshmërisë në rrugën e drejtë, që ndikon në siguri dhe besueshmëri.
Shpresoj që do ta përkujtoni burrin tim se për burrin është obligim që mos të rri zgjuar, mos të qeshë dhe mos të bëjë shaka përveç se më gruan e vet, mos të shikojë përveçse tek gruaja e vet, përderisa ajo është e udhëzuar në rrugën e drejtë dhe posedon karakter fisnik.
Me të vërtetë veprimet e tij kanë ndikuar që të ndihem si gruaja me fatkeqe. E si do të jetë e ardhmja me të tillë nëse nuk pendohet nga kjo?!
Shpresoj që udhëzimi i burrit tim do të jetë përmes programit tuaj, Allahu e bëftë dritë për të gjithë; dhe në fund esselamu alejkum ue rahametullahi ue berakatuhu.
Përgjigje: Kjo pyetje dhe ky lajm është i përgjithshëm dhe nuk ka sqarime në detaje. Këshilla ime për këtë burrë është që t’i frikësohet Allahut të Plotfuqishëm, t’i përmbushë të drejtat e saj, të kujdeset për të ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe të ketë kujdes nga ajo që e ka ndaluar Allahu, siç është imoraliteti apo rrugët që të dërgojnë drejt tij, dhe shikimi tek gratë.
Allahu i Lartësuar thotë:
قُل لِّلْمُؤْمِنِينَ يَغُضُّوا مِنْ أَبْصَارِهِمْ
“Thuaji besimtarëve që t’i ruajnë shikimet e tyre…” (Nur 30).
Nëse ai është besimtarë, atëherë është i urdhëruar me këtë (ajet):
قُل لِّلْمُؤْمِنِينَ يَغُضُّوا مِنْ أَبْصَارِهِمْ وَيَحْفَظُوا فُرُوجَهُمْ ذَلِكَ أَزْكَى
“Thuaji besimtarëve që t’i ruajnë shikimet e tyre dhe t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta…” (Nur 30).
Këshilla ime për këtë burrë është që t’i frikësohet Allahut në raport me ketë grua dhe t’i ketë parasysh të drejtat e saj, t’i bëjë mirë asaj, të sillet butë me të dhe ki kujdes nga ajo që e ka ndaluar Allahu për ty nga gjitha mëkatet; siç është imoraliteti dhe rrugët që të dërgojnë drejt tij, po ashtu mëkatet e tjera që i ka ndaluar Allahu i Plotfuqishëm.
Sa i përket të qeshurit, shakasë dhe të ngjashme me ketë, këto nuk janë të veçanta për gruan. T’i kërkosh atij që mos të qeshet veçse me ty dhe mos të bëjë shaka veçse me ty, kjo është teprim nga ana juaj dhe nuk ka arsye.
Nuk ka të keqe që të qeshet me fëmijët e vet, me nënën e tij, me motrat e veta dhe me shokët e tij. Nuk ka të keqe që të bëjë shaka me ta me të drejtë, duke mos bërë aq shumë shaka derisa shakaja ta shpie në të kotën.
Kjo nuk do të thotë që ti të bëhesh fanatike me atë, mirëpo ajo që i ndalohet atij është dëmtimi yt, apo privimi yt nga haku, kurse gjërat tjera që i ka lejuar Allahu për të, nuk të takon ty që të bëhesh fanatike. As kur ai i viziton miqtë dhe vëllezërit e tij të mirë, e as kur qesh me disa nga anëtarët e familjes së vet apo shokët, e as kur bën shaka me këdo qoftë, përderisa në shakanë e tij nuk ka diçka që e ka ndaluar Allahu, por është shaka e drejtë.
Kam për qëllim – oj ti motër për hir të Allahut- ji e drejtë, kërkoje vetëm të drejtën tënde dhe mos kërko diçka që nuk të takon, ji e butë dhe përdor metodë të mirë, bëj durim të mirë derisa ta udhëzojë Allahu atë dhe ai të përmbushë obligimin e tij, përderisa ai është mysliman dhe falet; dhe i frikësohet Allahut të Plotfuqishëm mirëpo ndodh që ka mangësi në të drejtën ndaj teje.
Andaj, kërkoje hakun tënd me butësi, me metodë të mirë dhe me fjalë të mira. Ndaj tij është obligim që t’i frikësohet Allahut në raport me ty, të jetë i drejtë me ty dhe ta jap hakun tënd; me këtë ai është i obliguar.
Gjithashtu është obligim për të dhe për gjithë myslimanët dhe myslimanet që të kenë kujdes nga ajo që ka ndaluar Allahu; të largohen nga mëkatet, të ndalen tek kufijtë e Allahut, sepse në këtë gjë është lumturia e dynjasë dhe ahiretit.
Kurse, në kryerjen e mëkateve ka rrezik të madh dhe përfundim të keq, me përjashtim ndaj atij që Allahu e begaton me pendim, Allahu i dhuroftë të gjithëve sukses dhe udhëzim. Allahu e di me së miri!
Prezantuesi: Ndoshta autorja e pyetjes, i nderuari shejkh, është nga shoqëritë ku ka përzierje (mes gjinive), ndoshta e vërejtët në pyetje që burri i saj nuk përmbahet nga të qeshurit dhe shakaja me gra të huaja, a keni ndonjë fjalë për këtë?
Shejkhu: Kjo është brenda asaj që thamë, sepse shakaja e tij me gra të huaja, e po ashtu edhe të qeshurit, nëse është rrugë për veprat e neveritshme, apo për lakuriqësinë e gruas, apo për tu vetmuar me të, e gjithë kjo nuk lejohet.
Kurse të qeshurit me fqinjën e vet, apo me vajzën e axhës me të qeshur që nuk sjell dyshim, apo shakaja që nuk sjell dyshim nuk ka ndonjë problem edhe nëse është vajza e axhës apo dikush nga fqinjët, apo dikush tjetër pos këtyre, nëse kjo e qeshur nuk sjell dyshim dhe nuk e shpie për ndonjë gjë të ndaluar.