Imam Muhamed Nasir-ud-Din El-Albani (v. 1420)
Silsilat-ul-Huda Uen-Nur (587)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Syri i keq është një çështje shumë e çuditshme, megjithatë ka njerëz që mohojnë ndikimin e tij.
Në Shkodër, në vendlindjen tonë, vëllai im kishte një shok, shikimi i të cilit ishte si armë, si një pushkë në dorë. E pabesueshme!
Në vendin tonë, shtëpitë dikur ndërtoheshin sipas arkitekturës së vjetër arabe. Çdo shtëpi kishte një kopsht dhe një oborr të madh, kështu që askush nga familja nuk kishte nevojë të dilte jashtë shtëpisë. Kështu nuk janë shtëpitë e sotme, të cilat ngjajnë me kuti sardelesh.
Të gjitha shtëpitë kishin fruta; disa kishin fiq, ndërsa të tjera kishin hardhi rrushi. Kur rrushi u piq, shoku i vëllait tim i tha: ”Eja të dalim për gjueti.”
Si kështu?
Degët e hardhive vërtet shtriheshin përtej mureve, por muret ishin shumë të larta. Kështu ndërtoheshin shtëpitë në atë kohë. Ai nuk e shikonte një vile rrushi vetëm se ajo binte menjëherë sikur të ishte prerë me thikë. Kjo është diçka shumë e frikshme.
Ai që e di se e posedon këtë sëmundje duhet të marrë masa mbrojtëse dhe t’i kërkojë ndihmë Allahut -azze ue xhel-, në mënyrë që të mos i shkaktojë dëm askujt. Dhe nëse e ndien se e ka goditur dikë me syrin e keq, atëherë duhet gjithashtu të dorëzohet atij personi dhe të marrë abdes. Pastaj personi i goditur nga syri i keq lyhet (lahet) me atë ujë. Kjo është transmetuar, ndër të tjera në El-Muata (nga imam Maliku).
Në këtë mënyrë, me lejen e Allahut -tebareke ue te ala-, ai do të shërohet.