Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Kohëzgjatja e bojkotimit

Imam Husejn bin Mesud El-Begeuij (v. 516)
Sherh-us-Sunneh (1/153-155)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Profeti ﷺ ka treguar se umeti do të përçahet dhe do të bëhet objekt sektesh dhe risish. Ai  gjithashtu ka treguar se shpëtimi qëndron në ndjekjen e sunnetit të tij dhe të sahabëve të tij -radijAllahu anhum-. Prandaj muslimani që sheh dikë që me qëllim merret me sekte dhe risi ose nënvlerëson ndonjë sunnet, duhet ta bojkotojë atë, të distancohet prej tij dhe ta braktisë atë pavarësisht nëse ai është gjallë apo i vdekur. Nëse e takon, nuk duhet t’i japë selam atij, dhe nëse ai e përshëndet, nuk duhet t’ia kthejë selamin derisa ky të heqë dorë nga risia e tij dhe të kthehet tek e vërteta. Ndalesa për bojkotim më shumë se tre ditë ka të bëjë me arsye personale mes dy njerëzve, jo për arsye fetare. Prandaj sektet dhe bidatçitë duhet të bojkotohen përgjithmonë derisa të pendohen.

108 – Ka’b bin Maliku -radijAllahu anhu- tregoi se çfarë ndodhi kur ai nuk mori pjesë në betejën e Tebukut:

“I dërguari i Allahut ﷺndaloi muslimanët të flisnin me ne të tre. Njerëzit na shmangnin dhe u ndryshuan ndaj nesh. Ndihesha i huaj në qytetin tim. Nuk ishte më si më parë. Dy shokët e mi qëndruan të qetë në shtëpi dhe qanin.

Unë dilja, falesha me muslimanët dhe shëtisja në tregje. Askush nuk më fliste. Shkova tek i dërguari i Allahut ﷺ pas namazit dhe e përshëndeta ndërsa ai ishte ende ulur në vendin e tij. Pyesja veten: A i lëvizi buzët për të ma kthyer selamin apo jo?

Pastaj u fala afër tij dhe e vështrova fshehurazi. Kur isha në namaz, ai më shikonte, dhe kur u ktheva drejt tij, ai e largonte shikimin. Pas një kohe të gjatë që muslimanët më trajtuan me mos respekt, isha duke ecur dhe u ngjita në murin e Ebu Katades, djalit të  xhaxhait tim dhe njëriut më të dashut për mua.

E përshëndeta me selam, por betohem në Allahun, ai nuk ma ktheu selamin.

I thashë: “O Ebu Katadeh! Pash Allahun! A e di që unë e dua Allahun dhe të dërguarin e Tij ﷺ?”

Ai heshti. E përsërita pyetjen time dhe ai heshti sërish.

Pastaj tha: “Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më mirë.”

Kur kaluan plot pesëdhjetë net, qysh kur i dërguari i Allahut ﷺ i kishte ndaluar njerëzit të na flisnin, aiﷺ na lajmëroi se Allahu e kishte pranuar pendimin tonë. Shkova te i dërguari i Allahut ﷺ dhe njerëzit më dolën përpara në grupe për të më uruar për pendimin. Kur përshëndeta të dërguarin e Allahut ﷺ, fytyra e të cilit shkëlqente nga gëzimi, ai ﷺ tha: “Gëzohu për ditën tënde më të mirë që nga dita kur të ka lindur nëna jote.”

Kjo dëshmon se pasuesit e bidateve duhet të bojkotohen përgjithmonë. Kur i dërguari i Allahut ﷺ kishte frikë se Ka’b bin Maliku dhe dy shokët e tij mund të ishin hipokritë pasi që nuk shkuan me të në luftën e Tebukut, ai ﷺ  urdhëroi që ata të bojkotoheshin derisa Allahu të shpallte pendimin e tyre dhe ai ﷺ të merrte vesh pafajësinë e tyre.

Shpërndaje: