“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

Kombinimi i detyrueshëm midis larjes me ujë dhe tejemumit

Imam Husejn bin Mesud El-Begeuij (v. 516)
Me’alim-ut-Tenzil (1/432)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Allahu -azze ue xhel- ka thënë:

”Dhe nëse jeni të sëmurë ose jeni në udhëtim, ose keni kryer nevojën natyrore, ose keni bërë marrëdhënie me gra dhe nuk gjeni ujë, atëherë fërkoni fytyrat dhe duart tuaja me dhé të pastër.” En-Nisa, 4:43

Domethënë nëse sëmundja përkeqësohet nga prekja me ujë, si në rastet me sëmundjen e lisë apo sëmundje të ngjashme ose nëse pjesët e trupit janë të plagosura në atë masë sa që kihet frikë për dëmtim ose shtim të dhimbjes. Në këtë rast njeriu falet duke bërë pastrim me dhe (tejemum edhe pse uji është në dispozicion. Nëse disa pjesë të trupit janë të shëndosha dhe të tjerat të plagosura, lahen pjesët e shëndosha dhe bëhet tejemum mbi ato të plagosurat.

Xhabir bin Abdilah -radijAllahu anhu- rrëfue:

“Gjatë një udhëtimi një prej nesh u godit nga një gur në kokë që ia çau kokën. Të nesërmen ai u gdhi xhunum dhe pyeti shokët e tij: “A ka ndonjë lehtësim për mua që më lejon të bëj tejemum?”

Ata thanë: “Nuk dimë diçka që ta lejon këtë kur ke ujë në dispozicion.”

Ai u la me ujë dhe vdiq.

Kur arritëm tek profeti ﷺ dhe e informuam për ngjarjen.

Ai ﷺ tha (shumë i zemëruar): “Ata e vranë atë. Allahu i vraftë! Përse nuk pyetën kur nuk dinin? Ilaçi i paditurisë është të pyeturit. Do t’i kishte mjaftuar që të pastrohej me dhé, të vendoste një fashë mbi plagë, t’i jepte mes’h asaj dhe të lante pjesën tjetër të trupit.”

Transmeton Ebu Daudi (336), hadithi është autentik sipas Albanit në “Sahih Sunen Ebi Daud (336)”.

Sa i përket ehlu-ra’it, ata nuk e lejojnë kombinimin e tejemumit me larjen. Ata thonë se nëse shumica e pjesëve të trupit janë të shëndosha, ai i lan ato pa pasur nevojë për tejemum, ndërsa nëse shumica e pjesëve janë të plagosura, mjafton me tejemum. Megjithatë, hadithi është argument në favor të atyre që e konsiderojnë të detyrueshme kombinimin e të dyjave.

Shpërndaje: