Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Abbad el-Bedr
Burimi: Ligjërata “Hixhabuki ejetuhel-muslimeh”
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Prej mirësive më të mëdha të Allahut për ne është udhëzimi në fenë Islame. Kjo fe, është feja e vetme me të cilën Allahu është i kënaqur, fe e cila është e përsosur dhe e vetmja e pranuar, siç thotë Allahu:
“Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami.” Al-Imran 3:19
Dhe në një ajet tjetër thotë:
“Dhe kushdo që kërkon ndonjë fe tjetër përveç Islamit, ajo kurrë nuk do t’i pranohet atij dhe në botën e pastajme ai do të jetë prej të humburve.” Al-Imran 3:85
Dhe në një ajet tjetër thotë:
“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” El-Maideh 5:3
Kjo fe, është ajo që neve na mëson bindjet e shëndosha, na përmirëson moralin, na e rregullon jetën e kësaj bote dhe përgatit për neve jetë të mirë në ahiret. Përmes kësaj feje Allahu ka rregulluar brendësinë dhe anën e jashtme të njeriut. Përmes kësaj feje njeriu ruhet nga të gjitha të këqijat që mund ta kapin atë, e ruan njeriun nga lajthitja, devijimi moral e nga çdo lloj devijimi tjetër qoftë ai. Kjo fe është shumë e begatshme, frutat e së cilës vilen kur njerëzit dalin për të dhënë llogari për çdo imtësi të veprave të tyre.
Ne do mundohemi që t’i përmendim disa rregulla, të cilat i ndihmojnë motrës muslimane që ta ketë parasysh udhëzimin e Allahut dhe fenë e Tij, në mënyrë që fjalët tona sadopak të ndikojnë në zemër e të veprojë në përputhshmëri me atë që duhet vepruar.
1. Ji e bindur që gjykimet më të mira, më të plota dhe më të përshtatshme për njeriun janë gjykimet të cilat Allahu Krijuesi yt i ka vënë për njerëzit. Thotë Allahu në Kuran:
“E kush është gjykatës më i mirë se Allahu për njerëzit që besojnë bindshëm?” El-Maideh 5:50
“A nuk është Allahu Gjykatësi më i drejtë?!” Et-Tin 95:8
“Ai është gjykatësi më i mirë!” Al-A’raf 7:87
Kur njeriu është i bindur në këto ajete, i mëson gjykimet e Tij, atëherë ai pranon çdo gjykim, pa marrë parasysh se sa i rëndë duket në sytë e të tjerëve.
2. Dije se lumturia dhe nderi yt është i lidhur ngushtë me fenë e Allahut, nënshtrimin ndaj porosive të kësaj feje dhe kapjen për to ashtu siç kërkohet nga ti. Dije se lumturia të cilën ti e gëzon, është rezultat i kapjes tënde për fenë e Allahut, qoftë kjo e keqe apo e mirë për ty.
“Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar.” An-Nisa‘ 4:31
“Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” Esh-Shems 91:9-10
Kemi ajete të shumta të kësaj tematike.
3.Muslimania në këtë botë ka armiq të shumtë, të cilët jetojnë dhe ushqejnë shpirtin duke u gëzuar atëherë kur ajo poshtërohet, nënçmohet dhe e humb vlerën të cilën ia ka dhënë Allahu, vlerë kjo përmes së cilës ajo e arrin lumturinë dhe shpëtimin në dynja dhe ahiret. Ata gjithashtu e ushqejnë shpirtin e tyre atëherë kur ajo degjenerohet dhe kalon jetë të shthurur. Për t’i arritur këto qëllime, ata japin të gjithë atë që kanë. Ata udhëhiqen nga shejtani i mallkuar, i cili është armik i Allahut, i fesë së Tij dhe i të gjithë muslimanëve. Ndërsa, Allahu i Lartësuar thotë:
“Me të vërtetë, shejtani është armik i juaji, andaj edhe ju konsiderojeni armik! Me të vërtetë ai e fton grupin e tij që të bëhen prej banorëve të zjarrit flakërues.” El-Fatir 35:6
Keni kujdes nga këta armiq, qëllimi dhe detyra e tyre jetësore e të cilëve është që femra muslimane të jetë larg moralit islam, larg virtyteve fetare, të cilat e bëjnë femrën krenare dhe e shpëtojnë nga të këqijat e kësaj bote dhe të ahiretit.
4. Beso me besim të sinqertë e me iman të plotë se suksesi, mirësia, begatitë e Allahut, nderi e drejtësia në jetën e përditshme është në dorën e Allahut të Madhëruar. Ai ka në dorë çdo gjë që ndodhë në qiej e në tokë. Kë e nderon Allahu, ai do të jetë i ndershëm e kë e poshtëron Allahu, ai do të jetë i përulur e i poshtëruar gjithnjë. Thotë Allahu (te ala):
“E atë që e poshtëron Allahu, askush nuk mund ta bëjë të nderuar. Allahu me të vërtetë bën çfarë të dëshirojë.” Haxh 22:18
Dhe dije se Allahu nuk bën padrejtësi, prandaj e poshtëron atë i cili e meriton poshtërimin, dhe e nderon atë i cili e meriton nderimin.
Prandaj motër ki kujdes, forcoje lidhjen tënde me Allahun, kthehu tek Allahu në çdo kohë e në çdo gjendje duke iu lutur që të të udhëzojë, të të japë sukses e të të forcojë në fenë e Tij. Nga lutjet më të mira janë:
“O Allah, përmirësoje fenë time e cila është mbrojtje e çështjes sime, ma përmirëso dynjanë time në të cilën do të jetoj dhe ma përmirëso ahiretin tim në të cilin do të kthehem! Ma bëj jetën time shtesë të çdo të mire dhe bëje vdekjen time rehati nga çdo gjë e keqe!”
5. Mundohu që në jetën tënde të jesh e ndershme, ndershmëri të cilën e kërkon Allahu dhe përmes së cilës fiton lumturinë të cilën e do Allahu i Madhëruar. Vetëm kjo është ndershmëria dhe lumturia e vërtetë, për të cilën thotë Allahu:
“Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” El-Huxhurat 49:13
Dhe në një hadith autentik i cili transmetohet nga Ebu Hurejra (radijallahu anhu), ku tregohet se ishte pyetur profeti (salAllahu alejhi ue selem): “Cili është njeriu më i ndershëm?” Ai u përgjigj:
“Më i ndershmi është ai që ia ka frikën Allahut më së shumti.”
Kush kërkon ndershmëri nga ndonjë rrugë tjetër përveç kësaj, është njeriu më i nënçmuar dhe ai jeton jetë të errët, të degjeneruar e të shkatërruar.
6. Mos harro se gjykimet të cilat i ka përmendur sheriati në lidhje me femrën, janë aq të rëndësishme sa edhe gjykimet në aspekte tjera, të cilave u kushtohet kujdes i veçantë sikur çdo gjykimi tjetër të fesë, janë të studiuara sikurse të tjerat gjykime, në të cilat nuk gjendet asnjë lëshim i vetëm dhe nuk ka dyshime në to. Si të mos jenë kështu kur ato janë gjykime të Gjykuesit më të Drejtë –Zotit të botëve, Ai di atë që është më e mira për robërit e Tij, Ai e di më së miri atë që është më e dobishme për robin e vet, Ai e di më së miri cila është lumturia e vërtetë për njerëzit. Prandaj, të thuhet se janë padrejtësi gjykimet e Allahut në lidhje me femrën muslimane, në lidhje me mbulesën e saj, apo gjykime të tjera, e se ato nuk janë të mira, kanë mangësia etj, atëherë ky është mëkati më i madh, është padrejtësia më e madhe. Kjo e thënë është nënvlerësim ndaj Allahut, aludon në atë që mos t’ia japësh Allahut atë që e meriton. Prandaj, duhet pasur frikë Allahun ashtu siç duhet, duhet vënë gjykimet e Tij në vendin që Ai i ka caktuar:
“Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, kjo është nga përkushtimi i zemrës së tij.” Haxh 22:32
Këto janë disa rregulla të cilat gjithnjë duhet t’i kujtosh, në mënyrë që zemra të zbutet, po ashtu që të pranohen e t’i duash gjykimet e Allahut të Lartësuar. Pra, të pranohen duke qenë i bindur në to, duke i dashur e duke i praktikuar ashtu siç janë.
Feja Islame ka ardhur me gjykime të caktuara për femrën, pra që ajo të qëndrojë në shtëpi, të jetë e turpshme, të ruhet nga përzierjet me gjininë e kundërt dhe të tjera të tilla. Këto gjykime janë ato të cilat e bëjnë të mirë një femër, e mbrojnë nderin dhe respektin e saj, e ruajnë nga çdo gjë e keqe dhe çdo gjë që e shkatërron dhe e prish atë. Prandaj, gjykimet e Islamit për femrën janë pastërti e ndershmëri, ngase femra në Islam është kristal i çmuar dhe perlë me vlerë shumë të madhe. Femra në Islam është diçka e çmuar që duhet të mbrohet prej çdo gjëje që e përulë dhe e nënçmon atë. Ndërsa, ka të atillë që nuk i njohin gjykimet e Islamit, nuk njohin mirësitë, këshillat, urtësitë e shumta që i ka ajo, duke u përpjekur që të gjitha këto t’i emërtojë si mbrojtje të të drejtave dhe lirive të saj. Të thuash kështu, është të gjykosh pa dije në lidhje me fenë e Allahut, e kur ti e bën këtë, ke bërë një prej mëkateve më të mëdha.
Motër e ndershme, kur ti lexon ndonjë ajet të librit të Allahut, apo ndonjë hadith të të dërguarit (salAllahu alejhi ue selem), të cilat kanë ndonjë porosi për femrën, kushtoji rëndësi të veçantë, ji e qetë me atë që dëgjon, pranoje ashtu siç është dhe merre si diçka të rëndësishme për ty. Kështu sepse atë që e lexon apo dëgjon, është Fjalë e shpallur nga Zoti yt, Krijuesi yt, Ai i Cili të ka dhënë dëgjimin dhe të parit, Ai i cili të ka dhënë forcën dhe çdo të mirë që ke, sepse këto janë Fjalë të Allahut. Fjalët e Tij nuk janë sikurse fjalët e ndonjë prej krijesave. Dallimi ndërmjet Fjalëve të Allahut dhe fjalëve të krijesave të Tij, është sikurse dallimi ndërmjet Allahut të Madhëruar dhe krijesave. Ki kujdes që zemra jote të mos jetë e ngurtë, duke mos pranuar këshillat e Allahut, Zotit të botëve. E njëjta gjë është edhe me hadithet autentike të profetit (salAllahu alejhi ue selem). Thotë Allahu (te ala):
“Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.” An-Nisa 4:65
Në realitet, të punuarit me hadithet e profetit (salAllahu alejhi ue selem) është të punuarit me Kuran, sepse Allahu (xhele ue ala) në Kuran thotë:
“Çfarëdo që t’ju japë i dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” El-Hashr 59:7
Transmeton Imam Bukhariu nga Abdullah bin Mes’udi (radijAllahu anhu), i cili ka thënë:
“Mallkimi i Allahut qoftë mbi gratë që u bëjnë tatuazhe të tjerave dhe kërkojnë t’u bëhet atyre tatuazh, mbi ato që i shkulin vetullat të tjerave dhe kërkojnë t’u shkulen vetullat atyre dhe që kërkojnë t’u bëhet një hapësirë midis dhëmbëve për hir të bukurisë dhe ndryshojnë krijimtarinë e Allahut.
Pastaj Ibn Mesudi (radijAllahu anhu) tha:
“Si të mos e mallkoj dikë që i dërguari i Allahut ﷺ e ka mallkuar?”
Transmeton Bukhari (5931) dhe Muslimi (2125).
Kur e dëgjoi këtë gjë një grua nga fisi Beni Esed, e cila quhej Ummu Ja’kub, erdhi tek ai dhe i tha: “Kam dëgjuar se ke mallkuar këtë dhe atë person.” Në atë rast, Abdullahu i tha: Përse të mos e mallkoj atë të cilën e ka mallkuar i dërguari i Allahut dhe është një gjë e cila gjendet në Kuran?!” Ajo i tha: “Kam lexuar tërë Kuranin dhe nuk kam lexuar atë të cilën po e thua ti.” Abdullahu i tha: “Nëse e le lexuar tërë Kuranin, atëherë në të e ke gjetur (atë që po them unë). A nuk e ke lexuar ajetin: “Çfarëdo që t’ju jepë i dërguari, merreni atë e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” Ajo tha: “Po, e kam lexuar.” Abdullahu tha: “Pra, ai (salAllahu alejhi ue selem) ka ndaluar për veprimin e tillë.”
Pra, të punuarit sipas haditheve autentike të të dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selem) në realitet është të punuarit me Kuran, sepse Allahu na ka urdhëruar që ta pasojmë atë e cila ka ardhur nga profeti i Tij (salAllahu alejhi ue selem). Allahu (subhanehu ue te ala) kur iu drejtohet nënave të besimtarëve, thotë:
“Mbani në mendje ato që lexohen në shtëpitë tuaja prej shpalljes së Allahut dhe Urtësisë (profetike)!” El-Ahzab 33:34
Me fjalën “Urtësia” është për qëllim Sunneti autentik.
Motër, dije se lumturia jote e vërtetë është e lidhur ngushtë me këtë fe. Prandaj, përqendrohu në këshillat e fesë, gjykimet, virtytet, urtësitë dhe udhëzimet që i jep kjo fe, në të cilat gjendet krenaria e femrës dhe shpëtimi i saj. Nëse kërkon të jesh e bukur, e zbukuruar dhe me pamje tërheqëse, dije se Allahu (subhanehu ue te ala) ka thënë:
“Por, petku i devotshmërisë është më i miri.” Al-A’raf 7:26
Dhe në një ajet tjetër thotë:
“Por Allahu jua ka bërë të dashur besimin dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja.” El-Huxhurat 49:7
Në një lutje të profetit (salAllahu alejhi ue selem) thuhet:
“O Allah, zbukurona me zbukurimin e imanit.”
Imani, devotshmëria dhe të punuarit sipas porosive të sheriatit Islam është zbukurimi më i mirë, bukuria më mahnitëse dhe lumturia e vërtetë me të cilën fitohet qetësia në këtë botë dhe arrihet shpërblimi i duhur në ahiret.
Motër e ndershme të drejtohem me disa këshilla të veçanta për ty të cilat kanë ardhur në librin e Allahut dhe sunnetin e të dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selem):
– Islami ka porositur për vënie të mbulesës. Mbulesa do të thotë që, gruaja të mbulohet dhe të mbajë atë ashtu siç duhet. Mbulesa nënkupton mbulimin e tërë trupit dhe mbulimin e të gjitha zbukurimeve ndaj burrave të huaj; në lidhje me këtë, lexo fjalën e Allahut (te ala):
“O profet! Thuaju bashkëshorteve të tua dhe bijave të tua edhe bashkëshorteve të besimtarëve të lëshojnë vellon (xhilbabin) e tyre mbi gjithë trupin e tyre. Kjo do të ishte më e mirë që ato të mund të dallohen (si gra të ndershme) që të mos i shqetësojë (e ngacmojë) askush. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, gjithnjë Mëshirëplotë.” El-Ahzab 33:59
Dhe thotë Allahu në një ajet tjetër:
“Kur të kërkoni prej tyre (grave të profetit) diçka, kërkojeni prapa perdes! Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të atyre. Juve nuk ju lejohet që ta shqetësoni të dërguarin e Allahut, as që të martoheni me gratë e tij pas (vdekjes së) tij. Kjo është vërtet gjynah i madh para Allahut.” El-Ahzab 33:53
– Gruaja nuk duhet të dal nga shtëpia e saj përveç në rast nevoje. Thotë Allahu (te ala):
“Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e injorancës!” El-Ahzab 33:33
Nga ky ajet, mësojmë që pastërtia e gruas është në të qëndruarit në shtëpi, dhe në të kundërtën, ajo grua që del pa nevojë, është në rrezik pastërtia e saj. Në një hadith autentik, profeti (salAllahu alejhi ue selem) thotë:
“Gruaja është auret (pjesë që duhet mbuluar), kur të dalë nga shtëpia, shejtani i vihet pas (duke e nxitur në sprova dhe duke sprovuar meshkujt me të). Ajo është më së afërmi Zotit të saj kur ajo qëndron në shtëpinë e saj.”
Transmeton Tabarani (2890) dhe (8096) në “El-Eusat”, hadithi është i saktë sipas imam Albanit në “es-Sahihah (2688)”.
Shejtani ua bën të lehtë disa meshkujve dhe e konsiderojnë atë si preh të cilën me çdo kusht dëshirojnë të përfitojnë nga ajo.
– Të mos flasë gruaja me zë tërheqës nëse është e nevojshme të flas me dikë nga burrat e huaj, thotë Allahu (te ala):
“Mos flisni me llastim, që të mos ju dëshirojë ai që ka zemër epshore, por flisni drejt dhe në mënyrë të ndershme!” El-Ahzab 33:32
– Të mos veçohet me ndonjë mashkull, apo edhe të mos qëndroj në vende ku ka përzierje me burra të huaj. Në Sahihun e Bukhariut dhe Muslimit transmetohet nga Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) se profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Të mos veçohet një burrë me një grua përveç nëse ajo ka mahrem.”
– Të mos udhëtoj pa mahrem. Transmetohet në Sahihun e Muslimit, nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Nuk i lejohet gruas që të udhëtoj tre (ditë) përveç nëse me vete ka mahrem. ”
– Të mos hedh parfum kur ajo del nga shtëpia. Transmetohet po në Muslim nga profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Ajo grua e cila është parfumosur e më pas ecën pranë burrave të cilët ndjejnë aromën e saj, ajo është zinaqare.”
– Kur ajo të dal nga shtëpia, të mos mundohet që me ndonjë formë të tërheq shikimin e meshkujve të huaj. Prej argumenteve për një gjë të tillë, kemi fjalën e Allahut:
“Dhe të mos i rrahin këmbët (për tokë), në mënyrë që të mos duken stolitë e tyre të fshehta.” En-Nur 24:31
– Të ulë shikimin e të mos shikoj në meshkuj të cilët janë të huaj për të. Thotë Allahu:
“Dhe, thuaju besimtareve, të ulin shikimin (nga e ndaluara) dhe t’i ruajnë organet e veta gjenitale.” En-Nur 24:31
– Të ketë kujdes në adhurimet ndaj Allahut dhe devotshmërinë. Thotë Allahu:
“Falni namazin, jepni zekatin dhe binduni ndaj Allahut e të dërguarit të Tij! O Familje e profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.” El-Ahzab 33:33
Motër e ndershme; të gjithë këto këshilla dhe të tjera të cilat i gjejmë në Kuran dhe Sunnet të veçanta për ty, konsiderohen valvula të sigurisë për ty, ato të mbrojnë nderin tënd dhe aty gjen respektin që të takon. Prandaj, dije që mirësitë e Allahut ndaj gruas janë të shumta, dhuratat e Tij ndaj teje janë nga më të mirat që ekzistojnë, ngase nëpërmjet kësaj feje dhe këshillave e udhëzimeve të saj, ti gjen lumturinë, krijimin e karakterit të pastër, gjen moralin që duhet pasur e me të cilin krenohet i tërë umeti për të, gjithashtu, përmes këtyre këshillave e udhëzimeve nga vetja jote largon e pengon të këqijat dhe gjërat e dëmshme që mund të të prekin ty, ti je e mbrojtur nga shkaqet e imoralitetit, nga shkaqet e lajthitjes dhe humbjes.
E nderuara motër, Islami e ka nderuar femrën muslimane me nderime nga më të lartat dhe e ka formësuar me në formësim nga më të mirat që ekziston; e më pas, u ka garantuar që të tillat (femra) do të kenë jetë të qetë e të begatshme. Me gjithë këtë, qëllimi i vetëm është krijimi i karakterit të pastër dhe ruajtjen e ndershmërisë tënde gjë e cila ndikon seriozisht në përmirësimin e shoqërisë.
Femra muslimane do të vazhdoj të mbetet e ndershme dhe gjithnjë do të luaj rol të rëndësishëm në krijimin e shoqërisë së pastër, përderisa ajo posedon moralin islam dhe përderisa ajo është e kapur për fenë e Allahut ashtu siç kërkohet më së miri, përderisa ajo ruan obligimet që ka ndaj Allahut dhe respekton ndalesat e Tij.
Shikoje këtë hadith Allahu të nderoftë, të cilin e transmeton Ibnu Hibani në Sahihun e tij nga Ebu Hurejra se i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Nëse gruaja falë pesë namazet e obliguar, agjëron ramazanin, e ruan nderin e saj, i bindet burrit të saj do të futet në Xhenet nga cila do derë që ajo dëshiron.”
E përgëzoj atë e cila i përmbahet këtij hadithi, dhe këtyre këshillave që i cekëm ne, dhe i lë mënjanë thirrësat të cilët dëshirojnë të bëjnë përçarje dhe fitne, thirrës në të bëma dhe në atë që nuk është islame. Thotë Allahu:
“Allahu dëshiron që t’jua pranojë pendimet tuaja, por ata që jepen pas epsheve, dëshirojnë që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë.” An-Nisa‘ 4:27
Dije se, në kohët e sotme femra Islame po përballet me sulme nga më të ndryshmet dhe plane nga më të poshtra, të cilat plane shkatërrojnë pastërtinë e saj, ulin nderin dhe nëpërkëmbin vlerën që i ka dhënë asaj Allahu. E gjithë kjo, po arrihet nëpërmjet kanaleve të ndryshme televizive, revistave e gazetave të ndryshme të cilat nëpërmjet formave të ndryshme, me lakuriqësi e paturpësi nga më të ndryshmet, mundohen që të ta bëjnë ty të dashur përngjasimin me femra të rrugëve, me femra jomuslimane me femra të cilat jetojnë mbi tokë dhe nuk njohin që ka Zot, femra të cilat nuk posedojnë as pikë morali e turpi, nuk posedojnë as pikë morali e nderi, mundohen që edhe ty të të bëjnë ashtu siç janë edhe ato. E lusim Allahun që kjo të mos jetë asnjëherë e mundur.