“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Kujdes namazin e sabahut!

Shejkh Abdurr-Rrezak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abbad 

Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

”Falënderimet i takojnë Allahut Fuqiplotë, i Lartësuar e i Drejtë, i Gjithëdijshëm dhe i Gjithënjohur. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër (që meriton të Adhurohet) pos Allahut i Vetëm dhe i Pashoq, Atij i takon sundimi dhe falënderimi, dhe Ai ka në Dorë çdo gjë. Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij, i pastërti, i zgjedhuri dhe miku i Tij, i besueshëm për shpalljen e Tij. Ai thirri në rrugën drejt Allahut tek e cila është shpëtimi dhe drita. Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Të nderuar besimtarë e robër të Allahut! Keni frikë Allahun e Madhëruar. Keni kujdes të madh në çfarëdo gjendje dhe dijeni se Ai dëgjon dhe sheh çdo gjë.

Frika ndaj Allahut të Lartësuar do të thotë: “Të punosh me nënshtrim ndaj Allahut, duke iu përmbajtur udhëzimit të Tij e duke shpresuar shpërblimin nga Ai; gjithashtu, është lënie e mëkateve ndaj Allahut, duke u mbështetur në udhëzimin e Allahut duke u frikësuar nga dënimi i Allahut.”

Të nderuar besimtarë e robër të Allahut!

Transmeton Imam Maliku në Muvetanë e tij nga Ibnu Shihab nga Ebu Bekër bin Sulejman ibën ebi Hathmeh se, Umer bin Hatabi nuk e kishte parë Sulejman ibn ebi Hathmete në namazin e Sabahut. E në mesditë, kur Umer bin Hatabi doli në treg, ndërsa shtëpia e Sulejmanit ishte ndërmjet tregut dhe Xhamisë së Profetit. Umeri kaloi pranë Shifaë binti Abdilah e cila ishte nëna e Sulejmanit dhe i tha asaj: “Nuk e kam parë Sulejmanin në namazin e sabahut.” Ajo ia ktheu: “Ai e kaloi natën duke u falur, andaj edhe e mundën sytë (fjeti)!”D.m.th. vonimi i tij në namazin e sabahut ishte për shkak të namazit të natës, andaj e kishte mundur lodhja dhe kishte fjetur dhe nuk e kishte arritur namazin e sabahut. Umeri (rdajia Allahu anhu) tha: “Që ta fali namazin e sabahut me xhemat, është më e dashur tek unë sesa të falem natën.”

Të nderuar besimtarë e robër të Allahut!
Mendoni mirë –Allahu ju ruajttë– këtë këshillë madhështore dhe këtë mendjemprehtësi.

Robër të Allahut, jemi tek këshilla; –kur ai (Umeri -radijallahu anhu-) nuk i shihte njerëzit në namaz, e i përcillte ata dhe atëherë kur ata mungonin, në këto veprime gjejmë këshillë dhe paralajmërim. Dhe shëmbëlltyra e tij (radjia Allahu anhu) në këtë veprim, ishte i Dërguari i Allahut (sal Allahu alejhi ue selem).

Në Sunenin e Ebu Davudit transmetohet nga Ubej bin Ka’b (radija Allahu anhu) i cili ka thënë: “Një ditë prej ditësh, na fali namazin e sabahut i Dërguari i Allahut (sal Allahu alejhi ue selem), pastaj tha: ‘A e keni parë filanin?!’ Ata i thanë: ‘Jo.’ Pastaj prapë tha: ‘A e keni parë filanin?!’ Ata i thanë: ‘Jo.’ Ai tha: ‘Me të vërtetë këto dy namaze janë më të rëndat për mynafikët! Sikur ta dinit se çfarë shpërblimi ka në to, do të kishit ardhur edhe gjunjë duke u zvarritur’!”

Ndërsa mendjemprehtësia që e thamë, gjendet mu në fjalët e Umerit (radija Allahu anhu) kur ai flet në emër të paralajmërimit ndaj këtij obligimi kaq të madh dhe vendi të lartë kur ai thotë: “Që ta fali namazin e sabahut me xhemat, është më e dashur tek unë sesa të falem natën.”

Dhe argument i kësaj është hadithi që e transmeton Muslimi në Sahihun e tij nga Uthman bin Afani (radija Allahu anhu) i cili ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal Allahu alejhi ue selem) duke thënë:

“Kush e falë namazin e jacisë me xhemat është sikur të jetë falur gjysmën e natës, e kush e fal namazin e sabahut me xhemat është sikur të ketë falur tërë natën!”

O ju besimtarë! Ky është namazi i sabahut, dhe kjo është vlera e tij. Jo vetëm kaq, ngase, kjo është pak përballë argumenteve që tregojnë për vlerën e madhe, shpërblimin e shumtë e të madh (që ka ky namaz me xhemat). Si është gjendja jonë në lidhje me këtë namaz?! Si është lidhja jonë me këtë obligim?! Dhe si është kujdesi jonë ndaj tij?!

Ky ishte Umeri që i tha ato fjalë aq me vlerë dhe aq të mëdha të cilat i përmendëm më herët, i tha në momentet e fundit të kësaj jete, duke e vlerësuar çështjen e këtij namazi.

Transmeton Imam Maliku në Muvatanë e tij se, Misver bin Makhreme ka thënë: “Shkova tek Umeri natën në të cilën ishte therur me thikë që ta zgjoj për namazin e sabahut –vëni re Allahu ju ruajttë– natën në të cilën ishte therur me thikë që ta zgjoj për namazin e sabahut, e më tha: ‘Po! Nuk ka çfarë të kërkoj në islam ai i cili e ka lënë namazin’! U ngrit ai (radija Allahu anhu ue erdah) dhe e fali namazin ndërsa nga plaga i rridhte shumë gjak!” Allahu është më i Madhi!

Sa e madhe është çështja e këtij namazi dhe sa vend të rëndësishëm kishte ai në zemrat e tyre! Dhe mu për këtë arsye ishin shumë të rregullt ndaj tij (namazit), ndërsa i kushtonin kujdes shumë të madh me çfarëdo arsye që kishin, apo në çfarëdo gjendje që ishin (për mos-dalje në xhami), qoftë kjo edhe në përballje me armikun dhe të rreshtuar në fushëbetejë.

Robër të Allahut! Si është gjendja jonë në lidhje me këtë namaz?! E kam për qëllim namazin e sabahut, si është gjendja jonë ndaj tij? Si është kujdesi ynë ndaj faljes së këtij namazi? Robër të Allahut! Është obligim për ne, që ta gjykojmë vetën tonë kundrejt këtij obligimi.

Kushdo që e lëshon këtë obligim, ai ka dështuar në diçka shumë të madhe. Nuk ka çfarë të kërkoj në islam ai i cili e ka lënë namazin, ashtu siç ka thënë Umeri (radija Allahu anhu ue erdah).

Robër të Allahut! Fjalën rreth kësaj teme janë të mëdha, çështja është shumë serioze, ndërsa obligimet e detyrat në kohët e sotme janë të shumta e të llojllojshme. E qortoi (Umeri –radija Allahu anhu-) atë të cilin u vonua për namazin e sabahut ngase e zuri gjumi për shkak të namazit të natës.

E çfarë të thuhet për ata të cilët vonohen për namazin e sabahut e që rrinë zgjuar natën duke e kaluar atë në haram, mëkate apo thuaj që disa e kalojnë natën në gjëra të lejuara?!

Nëse ai që vonohet për namazin e sabahut për shkak se ka adhuruar Allahun, –ka falur namaz të natës dhe ka lexuar Kuran– është mëkatar, çfarë të themi për atë që e kalon natën në gjëra të lejuara në parim, apo e kalon natën në gjëra haram –Allahu na ruajttë–?!!

Robër të Allahut! Ta gjykojmë vetveten, para se të na gjykojë Allahu. Dhe t’i peshojmë veprat tona, para se të peshohen ato Ditën e Kiametit.

Kërkoj falje tek Allahu për veten time, për ju dhe për të gjithë myslimanët nga çdo mëkat; kërkoni falje edhe ju ngase Ai falë mëkatet, me të vërtetë Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.”

Shpërndaje: