Shejkh Sulejman er-Ruhejli
Burimi: https://youtu.be/Ed3WSgqKd28
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
O rob i Allahut për deri sa je gjallë, ki kujdes nga armiku yt.
Devotshmëria e disa prej vëllezërve tanë ka arritur deri aty sa që thonë: “Të gjitha falënderimet i takojnë Allahut pasi unë nuk u afrohem gjërave të cilat e zemërojnë Allahun.”
Dhe fillon të neglizhojë, të tregohet i shkujdesur në bisedën, shikimin në gjininë e kundërt. Pastaj fillon të dobësohet.
Unë po e them hapur dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë që shumë prej muslimanëve në përgjithësi dhe prej nxënësave të dijes në veçanti, devotshmëria e tyre fetare ka filluar të dobësohet. Mëkatet tona në vetmi po bëhen më të mëdha. Kemi filluar të shikojmë atë që është e ndaluar, të flasim me atë që e kemi të ndaluar, pastaj e kota fillon të rritet në zemrat tona dhe ne jemi neglizhent në këtë aspekt.
Disa prej nesh kanë zell për sunnetin si në lidhje me besimin ashtu dhe për sa i përket kërkimit të dijes. Por ai fillon të neglizhojë në veten e tij për sa i përket devotshmërisë fetare kështu që fillon të dobësohet në fe.
Dobësohen deri në atë pikë sa që disa prej tyre, megjithëse janë nxënësa të dijes, i falin (namazet obligative) në shtëpi pa patur asnjë arsye legjitime. Pastaj fillojnë të bien në gjëra që janë të ndaluara sepse jemi bërë neglizhent në lidhje me këtë çështje.
O vëllezër! Është obligim që të luftojmë në vetet tona për t’ iu përmbajtur fesë në të gjitha aspektet e saj. Në aspektin e besimit, në aspektin e të punuarit sipas sunnetit dhe në aspektin e të qenit i devotshëm. Lufto në veten tënde! Lufto fort që të jesh i përqendruar në mirësi.
Ruaju nga ajo që Allahu e ka ndaluar. Kujdes nga të qenit i pavëmendshëm nga neglizhenca. Fatkeqësisht disa prej nesh janë bërë prej atyre që flasin shumë dhe veprojnë pak.
Kjo është në kundërshtim me atë në të cilën ishin selefët, vërtetë veprat e tyre ishin më të shumta se sa fjalët e tyre. Fjalët e tyre ishin të pakta, dhe nëse flisnin, këtë e bënin nëse do të ishte diçka e nevojshme dhe në të folurin e tyre kishte bereqet. Punët e tyre për hir të Allahut, ishin të shumta.
O ju muslimanë, kuptojeni këtë çështje madhështore!
Nëse të vërtetës nuk i kushtohet rëndësi atëherë në mënyrë të pashmangshme ajo do të zvogëlohet dhe do të dobësohet. Ndërsa nëse ndaj së kotës nuk paralajmërohet atëherë ajo patjetër që do të depërtojë në vetet tona dhe do të bëhet më e fortë. Mëso dhe edukoje veten tënde me besimin e saktë, me sunnet dhe devotshmëri fetare. Ji prej të vërtetëve.