Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Pyetje: “Me Emrin e Allahut Mëshiruesit Mëshirëplotit. Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Salatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët e pasojnë atë deri në Ditën e Gjykimit.
I nderuar Shejkh, unë do i parashtroj disa mesele të cilat më kanë shkaktuar probleme mua dhe disa të tjerëve nga Medina. Do të falënderonim dhe do të luteshim që Allahu të ju shpërblejë me të mira nëse do përgjigjeshit qartë.
Kur nxirret njeriu nga Ehlus-Suneti? A bëhet kjo kur ai ka bindje në kundërshtime me bindjet e tyre (Ehlus-Sunnetit)? Gjithashtu, nëse njeriu bie në gjëra të cilat janë në kundërshtim me Ehlus-Sunetin, a mund të themi pa hamendje se ai njeri është bidatçi, apo kjo bëhet pasi t’u ngrihen argumentet? Çfarë duhet vepruar, nëse ngritja e argumenteve nuk ka mundësi të bëhet për shkak se ai njeri ka vdekur, për shkak se ai ka jetuar tërësisht në një kohë tjetër, apo se nuk ka mundësi të takohet personi i tillën mënyrë që të bëhet kjo (ngritja e argumentit)?”
Shejkhu: “Pyetja juaj përfshinë pyetje të shumta. Sikurse t’i ndanit pyetjet do të ishte më e përshtatshme, ose ma jep fletën mua, në mënyrë që t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve tuaja.”
Pyetësi: “Mirë pra Shejkh, unë do t’i përsëris pyetjet një nga një.
Pyetja e parë: Kur nxirret njeriu nga Ehlus-Suneti? A është kjo kur njeriu ka bindje tjetër nga ajo e Ehlus-Sunnetit, apo atëherë kur ai bie në ndonjë gabim të vogël që kundërshton bindjen e tyre?”
Përgjigje: “E lus Allahun që të më drejtojë drejtë asaj që është e vërtetë në atë që po e them.
Është bërë e njohur mes shumë prej dijetarëve të kohëve të hershme dhe të tanishme, se kur myslimani gabon në çështje- siç e quajnë dijetarët dytësore-, atëherë ai njeri justifikohet. Ndërsa kur gabon në çështje bazë –në çështje të akides–, atëherë ai nuk justifikohet.
Së pari, ne kemi bindjen se kjo formë e ndarjes nuk ka asnjë argument në sheriat.
Së dyti, ne kemi bindje se është obligim për myslimanin që ta njeh të vërtetën (hakun) në gjërat të cilat ka mospajtim tek njerëzit, qoftë nëse kjo ka të bëjë me çështjet bazike apo ato dytësore, në çështje të akides apo të dispozitave.
Kur besimtari (i ditur) mundohet që ta njeh të vërtetën në atë që njerëzit kanë mospajtime mes veti, nëse ai e gjen të vërtetën ka dy shpërblime, e nëse gabon ai ka vetëm një shpërblim, siç edhe e dimë hadithin e të Dërguarit alejhis-selam, që është transmetuar në Sahih të Buharit:
إذا حكم الحاكم فاجتهد فأصاب فله أجران و إن أخطأ فله أجر واحد
“Nëse dijetari gjatë ixhihadit të tij ia qëllon së vërtetës, atëherë ai shpërblehet dy herë e nëse gabon, ai ka një shpërblim.”
Së pari themi se ky është parimi.
E dyta, nëse njeriu është i gatshëm që të punojs sipas të vërtetës, porse gabon në gjetjen e saj, edhe nëse është në çështje të akides apo në çështje bazë, nuk i merret për të keqe, përkundrazi ai ka shpërblim për gabimin e tij. Këtë gjë e përforcon hadithi i cili gjendet në Sahihun e Buharit, që transmetohet nga Hudhejfe bin Jeman dhe të tjerë sahabë të ndershëm, se Profeti alejhis-salatu ues-selam ka thënë:
كان فيمن قبلكم رجل لم يعمل خيرا قط ـ فلما حضرته الوفاة جمع بنيه حوله ، فقال لهم : أي أب كنت لكم ؟ قالوا : خير أب ! قال : فإني مذنب مع ربي ، ولإن قدر الله علي ليعذبني عذابا شديدا ـ فإذا أنا متُ فخذوني و حرقوني بالنار ثم ذروا نصفي في البحر و نصفي في الريح ـ فمات الرجل و حرقوه بالنار و ذروا نصفه في البحر و نصفه في الريح ـ قال الله عز و جل له : كني فلانا ، فكان بشرا سويا ـ قال أي عبدي ، ما حملك على ما فعلت ؟ قال : ربي خشيتك ! قال : فإني قد غفرت لك !
“Në kohët para jush ka qenë një njeri i cili nuk ka punuar asnjë vepër të mirë. Kur atij iu afrua vdekja, i thirri djemtë e tij dhe u tha: “Çfarë babai kam qenë me ju?” Ata iu përgjigjën: “Baba shumë i mirë.” Ai tha: “Unë kam qenë mëkatar ndaj Zotit tim, e nëse Allahu do të mund, le të më dënojë me dënim të dhembshëm. Kur të vdes unë më merrni dhe më digjni me zjarr. Pastaj, gjysmën time hidheni në det, e gjysmën tjetër hidheni në erë.” Kur ai vdiq, ata e dogjën trupin e tij me zjarr, gjysmën e tij e hodhën në det dhe gjysmën tjetër e hodhën në erë. Allahu i Lartësuar i tha atij: “Bëhu o ti filan!” dhe ai u bë njeri siç ishte. Allahu pastaj tha: “O robi im, çfarë të shtyu që të bësh atë që bëre?” Ai tha: “Frika ndaj teje o Zoti im.” Ai tha: “Unë të kam falur ty.”
Allahu ‘Azze ue Xhel ia ka falur këtij njeriu edhe pse ai ka rënë në kufër e në shirk. Ky testament –i cili nuk e dimë të ketë edhe një të tillë sikurse ky, për shkak të padrejtësisë dhe zullumit që përmban në vete– Allahu jo vetëm që nuk e ka konsideruar mëkatar atë njeri, por edhe e ka falur këtë, sepse Ai e ka ditur se njeriu nuk e ka lënë këtë testament neveritës përveçse nga frika ndaj Tij.
Nëse myslimani shpreson të shpërblehet nga Allahu ‘Azze ue Xhel me veprat që ai i bën, duke besuar në Atë, mirëpo ka gabuar nga rruga e drejtë, nuk ka dyshim se Allahu ‘Azze ze Xhel ia fal atij gabimin, dhe jo vetëm kaq, por edhe e shpërblen me një shpërblim. Kjo është feja me të cilën ne e adhurojmë Allahun dhe me këtë ne u përgjigjemi gjithnjë dhe gjithherë.
Si përfundim i kësaj që thamë, kuptojmë se Allahu nuk e ngarkon njeriun me mëkat kur ai vepron gabimisht, por atëherë kur njeriu vepron ndonjë gjë qëllimisht.
Kjo është përgjigja e pyetjes së parë. Si ishte pyetja tjetër?”
Pyetësi: “E ka cekur Shejkhul-Islam (Allahu e mëshiroftë!) në “El-Iktida”, se njeriu mund të shpërblehet kur prezanton në mevlud apo kur ai bën ndonjë bidat, në bazë të qëllimit dhe nijetit që ka gjatë kryerjes së asaj vepre. Çfarë thoni për këtë gjë?”
Shejkhu: “Kjo nuk u lexua më herët nga ju. Më herët e lexove një pyetje e cila përfshinte shumë pyetje të shumta. Ndoshta i kalove ato pyetje tjera me hapin e drerit.”
Pyetësi: “Po, i kalova.”
Shejkhu: “Përse e bëre këtë?”
Pyetësi: “Po i kthehemi pyetjes së parë.”
Shejkhu: “Ne thamë që pyetja juaj e parë përfshin pyetje të shumta. Në pjesën e parë të pyetjes ne u përgjigjëm, ku në të kishe cekur se a nxirret njeriu nga Ehlus-Suneti… e pyetje të shumta që erdhën me pyetjen tuaj të parë.
Ka gjëra të cilat ti i kalove. Nuk e di nëse nuk ke nevojë për përgjigje ndaj tyre, kjo është çështje që të përket ty. Porse unë e ndjej se ti ke nevojë për përgjigjet e pyetjeve në vazhdim.”
Pyetësi: “Kur njeriu nxirret nga Ehlus-Suneti? A bëhet kjo kur ai nuk ka bindje sikurse bindjet e tyre, duke kundërshtuar bindjet e tyre edhe në qoftë se kjo bëhet në një çështje të vetme? Në këtë rast a mund ta quajmë atë se është bidaçi?”
Përgjigje: “Kjo është një pyetje e rëndësishme. Mirëpo, përgjigja e kësaj mund të kuptohet nga përgjigja e pyetjes së kaluar. Prandaj themi se:
Nëse ai njeri e ka pasur për qëllim që ta gjejë të vërtetën dhe të drejtën, mirëpo ka gabuar, atëherë nuk lejohet që të themi se ai njeri nuk është prej Ehlus-Sunetit dhe Xhematit vetëm pse ai ka rënë në ndonjë gabim, apo të shprehemi ashtu siç e ceke ti në pyetjen tuaj se (nuk lejohet të themi se) ai ka rënë në bidat.
Nxënësit e dijes, por gjithsesi edhe dijetarët, e dinë se shumë prej dijetarëve bëjnë ndonjë gjë të ndaluar. Mirëpo, a e kanë për qëllim që ata të bëjnë atë vepër të ndaluar? Larg saj qoftë! Atëherë, a ngarkohen me mëkat në këtë rast? Përgjigja është: Jo.
Pra, nuk ka dallim mes dijetarit i cili lejon diçka që e ka ndaluar Allahu duke bërë ixhtihad, i cili për këtë ka shpërblim dhe mes dijetarit i cili ka rënë në bidat, duke mos pasur për qëllim një gjë të tillë, por që kishte për qëllim që ta pasoj Sunnetin, por i cili ka gabuar. Pra, nuk ka dallim mes këtij dhe atij tjetrit që përmendëm.
Prandaj them se ne rënkojmë nga kjo “kryengritje” e cila veçse është aktuale mes Ehlus-Sunetit, ku në mesin e tyre janë shfaqur të tillë që mendohet se kanë kundërshtuar Ehlus-Sunetin në disa çështje dhe kanë dalë disa të tjerë të cilët e konsiderojnë dikë bidaçi dhe e nxjerrin nga rrethi i Ehlus-Sunetit. Mjafton që tu thuhet se kanë gabuar, pastaj atyre duhet tu ngrihen argumentet nga Kur’ani, Suneti dhe nga ajo që kanë qenë ‘Të parët tanë të mirë’.
Por që të shkaktohen ndarje e kundërshtime, kjo asnjëherë nuk ka qenë prej zakonit të Ehlus-Sunetit dhe Xhematit. Andaj, nuk duhet të izolohet ai i cili gabon në ndonjë çështje, sipas asaj që e sqaruam më herët, qoftë kjo në çështje bazike apo dytësore, qoftë në çështje të akides apo të fikhut. Nuk është e lejueshme që të konsiderohet se ai është në lajthitje, por duhet të sillemi me të në mënyrën më të mirë.”
Pyetësi: “Në qoftë se ka mundësi që Ehlus-Suneti t’ia kenë ngritur atij argumentet (i është sqaruar e vërteta) në atë që ai ka kundërshtuar metodologjinë e Ehlus-Sunetit, porse ai ka prapë ka vazhduar duke mos u kthyer në të vërtetën, në këtë rast a konsiderohet bidaçi apo jo?”
Përgjigje: “Edhe përgjigja e kësaj është e qartë. Nëse ai insiston dhe këmbëngulë, në rast të tillë ai konsiderohet bidatçi. Por nëse ai thotë se nuk më është bërë e qartë mua ajo që ju po thoni (nuk më keni bindur), përkundrazi, ai ia kthen atyre duke i konsideruar ata që po gabojnë, atëherë çështja mbetet çështje e kundërshtuese në mes tyre. Dhe ne nuk duhet të mendojmë se ajo që ai ka në zemër është në kundërshtim me atë që ai po e thotë me gojë, sepse me këtë gjë ai bëhet mynafik. Ne nuk jemi sikurse ata për të cilët ka folur i Dërguari i Allahut në një hadith autentik, të cilin thotë:
هلا شققت عن قلبه
“A mos ia ke hapur zemrën?!”
Në momentet kur mushriku gjendej nën shpatën e myslimanit, tha: “ESHHEDU EN LA ILAHE ILAHLLAH”, ndërsa ai nuk ia vuri veshin dhe e mbyti; tregimi është i njohur. Në këtë rast Profeti alejhis-salatu ues-selam i tha:
فأين أنت و قوله لا إله إلا الله ـ قال : يا رسول الله ما قالها إلا خوفا من القتل ـ فكان كلامه أن قال : هلا شققت عن قلبه
“Ku je ti përballë fjalës se nuk ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet) përpos Allahut?” Ai tha: “O i Dërguar i Allahut, nuk e ka thënë këtë përveçse nga frika se do të vritet.” Ndërsa ai ia ktheu: “A mos ia ke hapur zemrën?!”
Kështu tha Profeti alejhis-salatu ues-selam edhe pse ai ishte mushrik, edhe pse në dukje kjo të bën të mendosh se e ka thënë për shkak të frikës nga vrasja.
E çfarë të themi kur në pyetje është myslimani i cili gjithnjë dëshmon “LA ILAHE ILALLAH UE ENNE MUHAMEDEN RASULULLAH” dhe mbështetet në Kur’an, Sunnet dhe në botëkuptimin e “Të parëve tanë të mirë”, por ka gabuar në një çështje?!
Kurse jo çdokush i cili e diskuton këtë, e bën (këtë diskutim) me dije. Mirëpo, po konsiderojmë kinse i është ngritur argumenti nga ndonjë dijetarë, apo nga disa prej dijetarëve, mirëpo ai nuk është bindur në atë gjë, atëherë themi se Allahu do ta gjykojë.
Nuk është e lejueshme që me një gabim apo me disa gabime të caktuara t’i hedhim poshtë shumicën e gjërave të mira që ka ai njeri. Gjykimi rreth kësaj çështjeje shkencore është i njëjtë sikurse tek çështja e pajtimit mes njerëzve. Nuk ka mundësi që myslimani të mos bie në ndonjë gjë që e kundërshton sheriatin, domethënë patjetër që njeriu bën ndonjë gjë jo të mirë, apo gabim. Ne të gjithë jemi gabimtarë, siç e dimë të gjithë. E nëse shohim ndonjë që gabon diçka, apo e bën ndonjë mëkat, a t’i themi menjëherë se ai është fasik, i prishur, apo se çështjet merren sipas asaj që është më shumë tek ai njeri?! Padyshim që sipas shumicës.”