Imam Muveffekud-Din bin Kudameh el-Makdisi (v. 620)
Burimi: el-Mughni (3/242)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
”Nëse bajrami bie në ditën e xhuma, nuk është e detyrueshme falja e xhumasë për ata që kanë falur namazin e bajramit. Përjashtimi i vetëm është imami. Është e detyrueshme për të që të falë namazin e xhumasë nëse është prezent një numër i namazlive.
Është thënë se Imam Ahmedi ka dy mendime në lidhje me atë se a është e detyrueshme për imamin të fal namazin e xhumasë apo jo.
Ata që thonë se nuk është e detyrueshme një gjë e tillë për imamin janë: esh-Sha’bi, en-Naha’i dhe el-Euza’i. Është thënë se ky është edhe mendimi i këtyre sahabive: Umerit, Uthmanit, Aliut, Saidit, Ibn Umerit, Ibn Abbasit dhe Ibn-uz-Zubejrit.
”Shumica e fukahave thonë se namazi i xhumasë në këtë rast është i detyrueshëm. Dëshmia e tyre është ajeti i përgjithshëm dhe hadithet që aludojnë në këtë. Të dy namazet janë të obligueshme dhe për këtë arsye nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën.
Një shembull tjetër është namazi i bajramit dhe namazi i drekës.
Mendimi i Hanbelive tanë është ai të cilin e ka treguar – Ijas bin Ebi Ramlah esh-Shami:
”Unë kam qenë me Muaviun kur ai pyeti Zejd bin Erkam:
”A ka ndodhur që në kohën e të dërguarit të Allahut ﷺ të ishte bajrami në ditën e xhuma?
Zejd bin Erkam u përgjigj: Po.
Muaviu i tha: Si veproi profeti?
Zejd bin Erkam tha: Profeti ﷺ e fali namazin e bajramit dhe e la namazin e xhumasë në dëshirën e njerëzve duke u thënë:
”Ai që dëshiron të falet, mund të falet.” 1
Transmeton Ebu Davudi dhe Imam Ahmedi ndërsa tek ky i fundit, thuhet tektualisht:
”Ai që dëshiron të falë namazin e xhumasë mund ta falë atë.”
Ebu Hurejra transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Sot bajrami është në diten e xhuma. Ai që dëshiron mund ta fal namazin e bajramit në vend të namazit të xhumasë. Ndërsa ne do ta falim edhe namazin e xhumasë.” 2
Transmeton Ibn Maxheh. Diç të ngjashme ka transmetuar edhe Ibn Umeri dhe Ibn Abbasi nga profeti ﷺ.”
[1] Imam Albani ka thënë: Hadithi është autentik. (Sahih Sunen Ebu Davud (1 / 295))
[2] Imam Albani ka thënë: Hadithi është autentik. (Sahih Sunen Ibn Maxheh(1 / 392))