“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Kur nuk duhet të përgjigjesh në ftesën e dasmës?

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Sherh el-Mumti ala zad el-Mustakni, volumi 12 kapitulli mbi martesën, fq. 3004-3005 dhe 3011-3012

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Të përgjigjesh në ftesë, parimisht është obligim (vaxhib), përveç nëse në dasmë bëhen gjëra të ndaluara. Nëse i ftuari ka mundësi të pengojë të keqen që bëhet në dasmë, atëherë është i obliguar t’i përgjigjet ftesës, sepse Profeti (alejhis-salatu ues-selam) thotë:

من رأى منكم منكرا فليغيره بيده

“Kush e sheh ndonjë të keqe, le ta ndryshoj atë me dorën e tij.”

Me shkuarjen e tij në atë vend, e keqja largohet ose pakësohet. Dhe se, largimi i të keqes apo pakësimi i saj është obligim (vaxhib).

Po që se nuk mund ta ndryshojë atë të keqe, atëherë e ka të ndaluar (haram) të përgjigjet në ftesë. Argument për këtë, është fjala e Allahut:

وَلاَ تَعَاوَنُواْ عَلَى الإِثْمِ وَالْعُدْوَانِ

“…e mos u ndihmoni në mëkate e armiqësi.” 5:2

Thotë Allahu në një ajet tjetër:

وَقَدْ نَزَّلَ عَلَيْكُمْ فِي الْكِتَابِ أَنْ إِذَا سَمِعْتُمْ آيَاتِ اللّهِ يُكَفَرُ بِهَا وَيُسْتَهْزَأُ بِهَا فَلاَ تَقْعُدُواْ مَعَهُمْ حَتَّى يَخُوضُواْ فِي حَدِيثٍ غَيْرِهِ إِنَّكُمْ إِذًا مِّثْلُهُمْ

“Ai tanimë u ka zbritur Libër, se: ‘kur të dëgjoni se fjalët e Allahut mohohen dhe se tallen me ta, mos rrini me ata deri sa nuk marrin tjetër bisedë. Në të kundërtën do të jeni si ata’.” 4:140

A duhet t’ua sqarojë atyre arsyen e mos-përgjigjes?

Është më mirë që t’ua tregoj arsyen për këto shkaqe:

1.Ai po e sqaron arsyen e tij për mos-prezencë.

2.Me këtë shprehet refuzimi yt për veprime të tilla.

3.Ata kanë mundësi që të mos e kenë ditur se një gjë e tillë është e ndaluar. E kur ti i thua se nuk prezanton për këtë e atë arsye dhe se kjo gjë është e ndaluar në fe, ka mundësi që ata të vetëdijesohen .

Çfarë konsiderohet e keqe në këtë rast?

Në aspektin e përgjithshëm, e keqe është çdo gjë që konsiderohet e keqe nga aspekti fetar dhe aspekti i traditës së atij vendi. Ndërsa në këtë rast, ‘e keqja’ që merret parasysh është ajo e aspektit fetar. Prandaj, një gjë konsiderohet e keqe edhe nëse në aspektin e traditës nuk është e tillë. Ngase, disa tradita të disa popujve apo vendeve, aprovojnë gjëra që në islam janë të ndaluara. Çdo gjë që është e keqe sipas sheriatit, ajo duhet të jetë edhe e keqe edhe nga aspekti i traditës së pastër dhe mendjes së shëndoshë.

Çfarë nëse dikush thotë se, po që se nuk prezantoj në dasmë, kjo shkakton shkëputje të lidhjeve farefisnore, ngase personi i cili martohet është prej të afërmve?

Përgjigja është: Ti nuk duhet të prezantosh në atë dasmë edhe nëse lidhjet shkëputen. Thotë Allahu në lidhje me prindërit –edhe pse ata janë më të afërmit për njeriun që meritojnë respekt-:

وَإِن جَاهَدَاكَ عَلى أَن تُشْرِكَ بِي مَا لَيْسَ لَكَ بِهِ عِلْمٌ فَلَا تُطِعْهُمَا

“Por nëse ata përpiqen, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka për të cilën ti nuk ke dijeni, atëherë mos iu bind atyre…” 31:15

Kushdo që pajtohet me njerëzit në diçka që fitohet dëshpërimi i Allahut, Allahu do të hidhërohet ndaj tij dhe do ta bëj që edhe të tjerët të hidhërohen me të. Ka mundësi që mos-prezenca e tij në dasmë të jetë shkak i udhëzimit të atij të afërmi. Siç ndodh shpesh kur njeriu pendohet prej mëkatit kur shoku i vet e bojkoton atë.”

Shpërndaje: