Imam Zejnud-din Ibn Rexheb El-Hanbeli (v. 795h)
Burimi: Lataiful-Me’arif, fq. 212-213
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Profeti (salAllahu alejhi ue selem) vdiq në ditën e hënë në muajin Rabi’ul-euel dhe nuk ka asnjë kundërthënie në lidhje me këtë. Atë ditë, ai hoqi perden kur njerëzit ishin duke falur namazin e Sabahut pas Ebu Bekrit. Kur muslimanët panë në fytyrën e tij, e cila ishte si një faqe nga Mus’haf, ata gati u vënë në sprovë nga gëzimi. Ata menduan se do të dalë në namaz, por ai u bëri me shenjë të qëndronin në vendet e tyre, pastaj e mbylli perden. Muslimanët menduan se ai ishte këndellur (gjallëruar) nga sëmundja e tij kur e panë atë në mëngjes. Po atë ditë, Ebu Bekri shkoi në shtëpin e tij në një prej lagjeve jashtë Medines në Es-Sunh dhe po atë ditë në mëngjes i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) vdiq. Ai vdiq domethënë në një të hënë, kur paraditja ishte shumë e nxehtë, në të njëjtën kohë kur ai hyri në Medine për ta bërë hixhretin.
Dijetarët nuk pajtohen se cila është data e saktë e vdekjes së tij (salAllahu alejhi ue selem). Disa thonë se ishte i pari i muajit Rabi’ul-Euel, të tjerë thonë se ishte i dyti, e disa të tjerë thonë se ishte i dymbëdhjeti. Është thënë gjithashtu edhe e trembëdhjeta dhe e pesëmbëdhjeta. Më i njohuri mendim në mesin e njerëzve është se ai vdiq me dymbëdhjetë Rabi’ul-Euel.
Es-Suhejli dhe të tjerët e kanë refuzuar këtë mendim. Ata thonë se Hutbeja e Lamtumirës ishte në vitin e dhjetë dhe ishte ditë e premte, ndërsa i pari Dhul-Hixheh ishte dita e enjte. Pasi që ishte kështu, nuk është e saktë se ai vdiq të hënën me dymbëdhjetë Rabi’ul-Euel, pavarësisht nëse tre muajt e mëparshëm -Dhul-Hixheh, Muharrem dhe Safer i konsiderojmë të plotësuar (me nga 30 ditë) apo vetëm disa prej tyre.
Megjithatë, disa dijetarë të tjerë i janë përgjigjur kësaj me përgjigje të mirë, duke thënë:“Ibn Is´hak ka thënë se profeti (salAllahu alejhi ue selem) vdiq më datën 12 të muajit Rabi’ul-Euel.” Kjo është e mundur për shkak se arabët i numërojnë datat sipas netëve e jo sipas ditëve. Dhe ata e bëjnë këtë vetëm pasi të ketë përfunduar dita e asaj nate, prandaj themi se nata e pason ditën. Në këtë mënyrë, nuk llogaritet nata së cilës nuk i ka kaluar dita. Pra nëse themi dhjetë net, atëherë kuptojmë dhjetë net së bashku me ditët e tyre.
Prandaj dita e hënë në të cilën vdiq profeti (salAllahu alejhi ue selem) ishte dita e trembëdhjetë. Por pasi që dita nuk kishte përfunduar, ata nuk e llogaritën ditën e kësaj nate, duke marrë parasysh natën e së dielës dhe ditën e saj, e cila ishte e dymbëdhjeta. Prandaj, Ibn Is´haku ka thënë se profeti (salAllahu alejhi ue selem) vdiq pas natës së dymbëdhjetë të muajit Rabi’ul-Euel. Allahu e di më mirë.
Gjithashtu, ata nuk pajtohen në lidhje me kohën e varrimit. Disa thonë se ai është varrosur menjëherë, gjë që është e pamundur. Të tjerët thonë se ai u varros në mbrëmjen e së martës, e disa thonë të martën, po ashtu është thënë se ai u varros në natën e së mërkurës.