“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Kurthet e Iblisit

Imam Shemsudin Ibn Kajim el-Xheuzijeh (v. 751) 

Burimi: et-Tefsir el-Kajjim

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Nuk është e mundur për të kuptuar plotësisht disa nga të këqiat e Iblisit, e aq më pak të kuptojmë të gjitha ato. Të këqijat të cilat Iblisi i përhap në mesin e njerëzve, janë gjashtë. Ai, do t’i afrohet njerëzve me to, derisa ta çojë atë në njërën prej tyre.

E keqja e parë është e përbërë prej kufrit (mosbesimit), shirkut (adhurimit të idhujve) dhe armiqësisë ndaj Allahut e të dërguarit të Tij ﷺ. Nëse ai arrin të çojë njeriun në këtë gjë, atëherë vuajtja e Iblisit merr fund, sepse qëllimi i tij kryesor në lidhje me këtë njeri është përmbushur.

Për më tepër, kjo është gjëja e parë që Iblisi e dëshiron nga robi i Allahut. Nëse ai i bindet atij, atëherë ai bëhet zëvendës dhe ndihmës i Iblisit, që tërheq edhe njerëzit e tjerë tek ai, duke u bërë edhe thirrës për tek rruga e humbur e tij.

Nëse ai dështon në qëllimin e tij parësor që ka ndaj individit, dhe nëse është shkruar – qysh atëherë kur njeriu gjendet në barkun e nënës së tij – se personi do të jetë një musliman, atëherë Iblisi e fut në funksion:

Të keqën e llojit të dytë dhe kjo është bidati (shpikja në fe). Iblisi e do bidatin më shumë se shthurjen dhe mosbindjen, sepse bidati i shkakton dëme serioze bazave të fesë tek secili person i cili e pason atë.

Pastaj duhet pasur parasysh, se bidati është mëkat për të cilin nuk mund të pendohesh lehtë. Ai i cili thërret në të, ai në të vërtetë thërret në diçka tjetër përveç asaj në të cilën ka thirrur profeti ynë Muhammedi ﷺ. Thirrja në të, është thirrja në diçka ndryshe nga mesazhi i të dërguarit ﷺ. Bidati, është dera e cila shpie deri tek kufri (mohimi) dhe shirku (idhujtaria). Nga e gjithë kjo kuptojmë se, ai i cili thërret në bidat, ai është një prej thirrësve të Iblisit.

Në qoftë se Iblisi dështon në thirrjen e tij ndaj robit të Allahut dhe personi është një nga ata të cilët Allahu e ka bekuar duke e pasuar Sunnetin dhe urren të jepet pas bidate dhe devijime të ndryshme, ai kalon tek lloji tjetër i së keqes.

E keqja e tretë e cila ka të bëj me mëkatet e mëdha me të gjitha format e saj.

Iblisi është luftëtar i madh, kur është fjala për t’i futur njerëzit në mëkate të mëdha, sidomos kur ka të bëj me një njeri i cili është shëmbëlltyrë i të tjerëve. Ai i bën njerëzit për vete duke i përhapur mëkatet e këtij personi dhe i bën ato pjesë përbërëse të besimit të pasuesve të tij dhe i bën të mendojnë ata se këto mëkate i afrojnë më afër Allahut.

Personi i tillë (i cili në këtë rast është shëmbëlltyrë), në të vërtetë është zëvendës i Iblisit në mesin e njerëzve edhe pa e ditur ai vet këtë gjë!

إن الذين يحبون أن تشيع الفاحشة في الذين آمنوا لهم عذاب أليم في الدنيا والآخرة

“Ata të cilët duan që e keqja të përhapet në mesin e besimtarëve, ata i pret dënim i ashpër në këtë jetë dhe në jetën tjetër.”1

Sidomos kur njerëz të tillë, janë udhëheqës në përhapjen e këtyre mëkateve të mëdha, e nuk janë udhëheqës në dhënien e këshillave të sinqerta. E gjithë veprimtaria e tyre, pothuajse është nga nënshtrimi ndaj Iblisit dhe për t’i larguar njerëzit nga të diturit dhe nga dobia e cila mund të përfitojnë ata nga ai!

Për më tepër, mëkatet e kryera nga një njeri i ditur, edhe në qoftë se madhësia e tyre është sa qiejt, ato janë më të vogla se mëkati që ai e përhap tek njerëzit. Mëkatet e dijetarit janë kundër vetes tij. Nëse ai kërkon falje nga Allahu dhe pendohet, Allahu do ta pranojë pendimin prej tij dhe do t’ia shndërrojë veprat e këqija në të mira. Ata që përhapin mëkatet e të tjerëve, ata ju sjellin dëm të gjithë besimtarëve duke u munduar të gjejnë dobësitë e secilit në mënyrë që t’i tregojnë ato para të tjerëve.

Allahu mbikëqyr me kujdes krijesat e Veta dhe është i Vetëdijshëm për çdo gjë që ata bëjnë. Asgjë që fshihet në gjoksin e një personi nuk është e fshehur për Allahun.

E keqja e katërt janë mëkatet e vogla. Mëkatet e vogla mund ta shkatërrojë njeriun nëse ato janë të shumtë në numër. Profeti ﷺ na ka porositur për t’u ruajtur nga mëkatet e vogla, sepse njeriu i tillë është sikurse njeriu i humbur në shkretëtirë.

Pastaj ai ﷺ i krahason mëkatet e vogla me mbledhjen degëve e drunjve, derisa ato të bëhen shumë dhe prej saj ndizet një zjarr i madh.

Nëse njeriu i konsideron si jo diçka të rrezikshme mëkatet e vogla, atëherë ai arrin në një pikë derisa i sheh ato sikurse nuk peshojnë asgjë. Dhe shpeshherë, shohim se personi i cili bën mëkate të mëdha, është më i vetëdijshëm për pasojat e mëkatit të vet sesa ai i cili bën mëkate të vogla!

Në qoftë se robi ka sukses që ta parandalojë ndikimin e Iblisit në këtë pikë, atëherë Iblisi kalon në nivelin e pestë.

E keqja pestë është që ta bëjë njeriun të merret me gjëra jo haram të cilat as nuk i japin atij shpërblim e as dënim. Të braktisurit e veprave për të cilat njeriu ka shpërblim është dënim që ka të bëj me këtë të keqe nga ana e Iblisit.

Në qoftë se Iblisi dështon edhe në këtë nivel, duke qenë njeriu i kujdes’shëm në ruajtjen e kohës së tij, ai tenton të kaloj në një të keqe tjetër, dhe këtu kemi të bëjmë me nivelin apo të keqen e gjashtë.

E keqja e gjashtë: Iblisi përpiqet që njeriun ta shtyjë drejt të vepruarit e veprave që kanë shpërblim të pakët kundrejt atyre që kanë shpërblim më shumë, në mënyrë që ta largojë robin e Allahut larg e më larg nga shpërblimi sa më i madh duke e penguar atë nga kryerja e veprave më të mira. Shumë pak janë të vetëdijshëm për këtë fakt të tillë! Në qoftë se njeriu ka dëshirë të fortë për një diçka dhe ajo gjë tek ai ka trajtën e formës bindëse, ai nuk dyshon se bindja e tij është e vërtetë, dhe se mu ajo e afron më afër Allahut.

Për këtë shkak (për shkak të trajtës bindëse), njeriu nuk beson se kjo dëshirë e tij mund të vijë nga Iblisi pasi që ai kurrë nuk thërret në vepra të mira! Prandaj ai beson se kjo bindje vjen si rezultat i bindjes ndaj Allahut. Ky njeri, mund të justifikohet për këtë gjë, përderisa ai nuk e ka ditur se Iblisi e thërret njeriun në kryerjen ndoshta të shtatëdhjetë veprave të mira, që në fund të kësaj të arrij ta shpijë atë në një vepër të keqe, për t’ia humbur që të gjitha këto shtatëdhjetë vepra të mira.

Nuk mund të jetë i vetëdijshëm në lidhje me këto pa ndriçimin e Allahut, dritë të cilën Ai e fut në zemrën e robit.

Burimi i këtij lloji të diturisë (dritës së Allahut) është të pasuarit e profetit ﷺ dhe të jesh i kujdesshëm në lidhje me nivelet e ndryshme të veprave të mira, duke e ditur se cila vepër është më e rekomanduara, cila vepër është ajo që e kënaq Atë më shumë, dhe cila vepër kërkohet për t’u vepruar sa më shumë nga Allahu përmes Librit të Tij, nga profeti i Tij ﷺ apo e kemi mësuar nga robërit e Tij besnik.

Këtë lloj të dijes, nuk e ka askush tjetër përveç trashëgimtarëve të profetit ﷺ dhe zëvendësve të tij në umet. Shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm për këtë gjë. Dhe ky mësim nuk futet në zemrat e secilit. Por, Allahu e bekon kë të dojë nga robërit e Tij.

Në qoftë se robi i Allahut arrin të mbrohet nga ndikimet e Iblisit në të gjitha këto gjashtë nivele të këqija, ai (Iblisi) do t’i mbledhë bashkëpunëtorët e tij në mesin e njerëzve dhe xhinëve duke u munduar që t’i shkaktojnë atij dëme në fusha të tjera, t’i atribuohet atij kufri (mosbesimi), duke e quajtur atë të devijuar dhe se ai është thirrës në bidat, paralajmërohen njerëzit ndaj tij, dhe me çdo kusht përpiqet t’ia dobësojnë atij zemrën.

Iblisi mundohet që edhe mendimet t’ia ngatërrojë dhe t’i pengoj të tjerët që të përfitojnë prej tij. Prandaj, ai përpiqet që t’i forcojë bashkëpunëtorët e tij njerëz dhe xhinë, të cilët thërrasin në të kotën, në mënyrë që ta luftojnë dhe kundërshtojnë atë. Nëse ai dorëzohet, ai ose do të dëmtohet ose do të burgoset. Prandaj besimtari është në xhihad me armikun e Allahut (Iblisin dhe ndihmësit e tij) derisa ai ta takojë Allahun.

Konsiderojini këto njohuri, si arma juaj më e madhe kur keni të bëni me veprat tuaja, me njerëzit dhe veprat e tyre.

E për fund, unë shpresoj se ju do ta merrni në konsideratë këtë tekst, e të reflektoni mbi dobitë e tij të mëdha.


1 En-Nur 24:19

Shpërndaje: