Imam Muhamed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Xhilbab El-Mar’ah El-Muslimeh, fq. 39-216
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
1 – Xhilbabi duhet të mbulojë tërë trupin përveç fytyrës dhe duarve
Thotë Allahu -te ala-:
“O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” El-Ahzab, 33:59.
Ibn Abbasi -radijAllahu anhuma- rrëfeu se:
“Gjatë haxhit të lamtumirës, vëllai i tij, Fadli ishte ulur ishte ulur pas profetit ﷺ mbi kafshën e tij. Një grua e bukur nga fisi Khath’am erdhi (tek profeti për ta pyetur në lidhje me haxhin) dhe Fadli filloi ta shikonte atë, dhe ajo e shikonte Fadlin. Profeti ﷺ ia ktheu fytyrën Fadlit në anën tjetër.”
Transmeton Bukhari (1513), Muslimi (1334), Ebu Daudi, Nesai, Ibn Maxheh, Malik dhe El-Bejhaki.
Kajs bin Ebi Hazim ka thënë: “Unë dhe babai im shkuam për vizitë te Ebu Bekri -radijAllahu anhu-. Ai ishte një burrë me lëkurë të bardhë dhe trup të dobët. Pranë tij ishte Esma bint Umejs, e cila po e flladiste. Ajo ishte një grua me lëkurë të bardhë dhe kishte tatuazhe në duart e saj. Në kohën e xhahilijetit (injorancës), ato bënin tatuazhe të ngjashme me ato të berberëve…”
Transmeton Et-Tabari, Tabarani dhe Ibn Sad dhe zinxhiri i tij i transmetimit është autentik.
Ndërsa El-Baxhi ka thënë: “Lejohet që të shfaqet vetëm fytyra e saj.”
Kurtubi ka thënë: “Gruaja nuk duhet të shfaq asgjë nga bukuria e saj përveç asaj që duket sikurse fytyra dhe duart.”
Ibn Hazmi ka thënë: “Është transmetuar në mënyrë autentike se nuk është e ndaluar që gruaja të shfaq duart dhe fytyrën e saj.”
Është konfirmuar se shumica e dijetarëve mbajnë mendimin se mbulimi i fytyrës nuk është obligativ. Këtë e ka përmendur edhe Ibn Rushdi në veprën e tij El-Bidajeh. Ndër ata që mbështesin këtë qëndrim janë: Ebu Hanife, Maliku, Shafeiu dhe një transmetim nga imam Ahmedi. Gjithashtu, Tahauiu thekson se këtë mendim e kanë ndjekur edhe dy nxënësit e Ebu Hanifes: Ebu Jusuf El-Ensari dhe Muhamed bin El-Hasen Esh-Shejbani.
2 – Xhilbabi nuk duhet të jetë i dekoruar
Allahu -te ala- ka thënë:
“Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme.” En-Nur, 24:31
Ndërsa profeti ﷺ ka thënë:
“Mos pyesni për tre kategori njerëzish: Personi i cili largohet nga xhemati duke kundërshtuar udhëheqësin e tij dhe vdes në këtë gjendje. Robi apo robëresha që ikin nga zotëria i tyre dhe vdesin në këtë gjendje. Dhe gruaja e cila në mungesë të burrit edhe pse është e furnizuar mirë, ajo del dhe e ekspozon veten.”
Transmeton Hakimi dhe Ahmedi, zinxhiri i transmetimit është autentik.
El-Alusi ka thënë në Ruh-ul-Me’ani (6/56): “Unë mendoj se gjithçka që konsiderohet bukuri për gruan është e ndaluar të shfaqet para burrave të huaj. Ndër gjërat që nuk duhet zbuluar është edhe shalli që shumica e grave e mbajnë sot. Ai shpesh është prej mëndafshi me ngjyra të ndryshme dhe shpesh i stolisur me ar dhe argjend – gjë që e tërheq shikimin dhe godet syrin e njeriut.”
3 – Xhilbabi duhet të jetë i trashë dhe jo i tejdukshëm
Umm Alkameh bint Ebi Alkameh ka rrëfyer: “E pashë Hafsa bint Ebi Abdirr-Rrahman bin Ebi Bekr duke hyrë te Aishah. Ajo kishte veshur një rrobë të hollë dhe të tejdukshme. Aishah e shqeu atë rrobë dhe i tha: ‘A nuk e di çfarë ka shpallur Allahu në suren En-Nur?’ Më pas ajo urdhëroi që t’i sillnin Hafsas një veshje tjetër.”
4 – Xhilbabi duhet të jetë i gjerë
Usame bin Zejd-radijAllahu anhu- rrëfeu:
“I dërguari i Allahut ﷺ më dhuroi një rrobë të trashë egjiptiane, nga ato që i ishin dhuruar atij nga Dihjeh El-Kelbi. Ia dhashë atë rrobë gruas sime.”
Profeti ﷺ më pyeti: “Pse nuk e vesh rrobën që ta dhurova?”
I thashë: “Ia dhashë gruas sime.”
Ai ﷺ tha: “Urdhëroje që të veshë mbi të një mantel sepse kam frikë se do t’i ekspozohet forma e trupit të saj.”
Transmeton Ed-Dija, Ahmedi (21749) dhe Bejhaki me një zinxhirë të mirë të transmetimit.
Sheukani duke komentuar këtë hadith thotë: Ky hadith është argument se është obligim për gruan të mbulojë trupin me një veshje që nuk tregon formën e trupit të saj.”
“Hadithi është dëshmi se është obligim për gruan që të mbulojë trupin e saj me një veshje që nuk e shfaqë formën e trupit të saj”. Nejl-ul-Eutar (2/97).
5 – Xhilbabi nuk duhet të jetë i parfumuar
Ebu Musa El-Esharij -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Çdo grua që vë parfum dhe kalon pranë burrave që ata të ndiejnë aromën e saj, ajo është zinaqare.”
Transmeton Nesai (5126), Ebu Daudi, Tirmidhi, Hakimi, Ahmedi, Ibn Huzejmeh dhe Ibn Hibani dhe zinxhiri i transmetimit është i mirë.
Zejneb Eth-Thakafijeh -radijAllahu anha- rrëfeu se profeti ﷺ ka thënë:
“Çdo grua që dëshiron të shkojë në xhami, të mos i afrohet parfumit.”
Transmeton Muslimi, Ebu Auneh, Ebu Daudi, Tirmidhi, Nesai dhe Ibn Maxheh.
6 – Xhilbabi nuk lejohet të ngjasojë me veshjet e burrave
Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- rrëfeu se:
“I dërguari i Allahut ﷺ mallkoi burrin që vesh rroba të grave dhe gruan që vesh rroba të burrave.”
Transmetom Ebu Daudi, Ibn Maxheh, Hakimi dhe Ahmedi i cili tha se ky hadith është autentik.
7 – Xhilbabi nuk lejohet të ngjasojë me rrobat e grave kufare
Abdullah bin Amr bin El-As -radijAllahu anhu- rrëfeu:
“I dërguari i Allahut ﷺ më pa me dy rroba të verdha.”
Ai ﷺ më tha: “Këto janë nga rrobat të kufarëve andaj mos i vesh më.”
Transmeton Muslimi, Nesai, Hakimi dhe Ahmedi.
8 – Xhilbabi nuk lejohet të jetë tërheqës
Ibn Umeri -radijAllahu anhuma- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kush vesh rroba për tu dalluar në këtë botë, Allahu do ta veshë atë me rroba të poshtërimit në ditën e gjykimit, pastaj do ta djegë në zjarr.”1
Transmeton Ahmedi (5664), Ebu Daudi (4029), Nesai në Es-Sunnen El-Kubra (9560) dhe Ibn Maxheh (3607). Znxhiri i transmetimit është i mirë.
[1] Ky paralajmërim përfshin çdo lloj veshjeje që ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e njerëzve, qoftë ajo veshje e bukur apo jo. Ajo që e bën të dënueshme është fakti se përmes saj synohet të shfaqet krenaria, mendjemadhësia apo dallimi nga të tjerët.