Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Kushti i dytë i shahadetit – Bindja

Alameh Hafidh bin Ahmed el-Hakemi

Burimi: Ma´arixh-ul-Kabul (1/334-335)

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Kushti i dytë është bindja.

Bindja është e kundërta e dyshimit. Kjo do të thotë se personi i cili e shqipton shahadetin është padyshim i bindur në domethënien e tij. Sepse besimi është i pavlefshëm nëse ai është i ndërtuar mbi hamendje në vend të bindjes. E çfarë të themi pra, nëse dyshimi hyn këtu? Allahu (azze ue xhel) ka thënë:

إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ الَّذِينَ آمَنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ ثُمَّ لَمْ يَرْتَابُوا وَجَاهَدُوا بِأَمْوَالِهِمْ وَأَنفُسِهِمْ فِي سَبِيلِ اللَّهِ أُوْلَئِكَ هُمُ الصَّادِقُونَ

”Besimtarë janë vetëm ata që i besuan Allahut, të dërguarit e Tij, e mandej nuk dyshuan dhe për hir të Allahut luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre. Të tillë janë ata të vërtetit.” 1

Për të qenë besimi i tyre në Allahun dhe të dërguarin e Tij i sinqertë, Allahu kërkoi që ata mos të luhaten në besim, d.m.th. që ata të mos dyshojnë. Ndërsa, personi që dyshon, i përket hipokritëve – Allahu na ruajt – për të cilët Allahu (te ala) ka thënë:

إِنَّمَا يَسْتَأْذِنُكَ الَّذِينَ لاَ يُؤْمِنُونَ بِاللّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ وَارْتَابَتْ قُلُوبُهُمْ فَهُمْ فِي رَيْبِهِمْ يَتَرَدَّدُونَ

”Vetëm ata që nuk besojnë Allahun dhe botën tjetër dhe që zemrat e tyre janë të dyshimta, të kërkojnë leje (për të mos vajtur në luftë), pra ata, sillen vërdallë në dyshimin e tyre.” 2

Është transmetuar në mënyrë autentike nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) i cili tha se i dërguari i Allahut ka thënë:

”Unë dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se unë jam i dërguari i Allahut. Çdo rob që takohet me Allahun me këto dy [shahadete] pa patur dyshim në to, do të hyjë në xhenet.”

Me këtë ai kushtëzoi bindjen në shehadet për të hyrë në xhenet. Nëse kushti mungon, mungon edhe shpërblimi.


1 49:15

2 9:45

Shpërndaje: