Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Kushti i pestë i shahadetit – Sinqeriteti

Alameh Hafidh bin Ahmed el-Hakemi 

Burimi: Ma’arixh-ul-Kabul (1/336-337)
Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Kushti i pestë është sinqeriteti që është e kundërta e gënjeshtrës. Kjo do të thotë që shahadeti të thuhet me sinqertet nga zemra dhe pastaj të përputhet me gjuhën. Allahu (azza ue xhel) ka thënë:

”A menduan njerëzit të thonë: ”Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë? Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që Allahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët.”1

Pos kësaj, Allahu (te ala) tha për hipokritët të cilët thanë duke gënjyer:

”Ka disa njerëz që thonë: ”Ne i kemi besuar Allahut dhe jetës tjetër (Ahiretit), po në realitet ata nuk janë besimtarë. Ata përpiqen ta mashtrojnë Allahun dhe ata që besuan, po në të vërtetë ata nuk mashtrojnë tjetër, pos vetvetes, por ata nuk e hetojnë. Në zemrat e tyre kanë sëmurje, e Allahu u shton sëmundje edhe më shumë, e për shkak se ata përgënjeshtruan, pësojnë dënim të dhembshëm.” 2

Shpesh ndodh që Allahu përmend gjendjen e tyre dhe i zbulonë ata. Allahu (te ala) e bën këtë në suret El-Bekare, Al-Imran, En-Nisa, el-Enfal, et-Teube, dhe një sure e plotë për ta, dhe të ngjashme.

Bukhari dhe Muslimi transmetuan nga Muadh bin Xhebeli (radijAllahu anhu) nga profeti i cili ka thënë:

”Nuk ka asnjë njeri që sinqerisht nga zemra e tij dëshmonë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i dërguar, vetëmse se Allahu ia ndalon zjarrin atij.”3

Që ky shahadet të jetë shpëtues nga xhehnemi, ai kërkoi që ai të shqiptohet me sinqeritet nga zemra. Është i kotë shqiptimi i tij në qoftë se ai nuk përputhet me zemrën.


1 29:2-3
2 2:8-10
3 Bukhari (1/44) dhe Muslimi (94).

Shpërndaje: