Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Abad el-Bedr
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
El-Fudejl ibn Ijadi, njëri prej imamëve të tebiinëve kaloi dyzet vjet të jetës së tij si zullumqar tepër i madh. Ai ishte një bandit dhe plaçkitës rruge dhe të gjithë karvanët frikësoheshin prej tij. Kështu ai vazhdoi derisa arriti moshën dyzet vjeçare. Një natë prej netëve, siç përmendet në biografinë e tij në Sijer el-Alam ue en-Nubela dhe tek librat e tjerë, ai iu afrua një shtëpie për të plaçkitur në të si zakonisht, ndërkohë që pronari i shtëpisë ishte duke lexuar Kuran, po lexonte suren Hadid derisa arriti tek fjalët e Allahut (subhanehu ue te ala):
“A nuk ka ardhur koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten nga shpallja e Allahut (Kurani) dhe nga e vërteta që kemi zbritur e që të mos bëhen si ata të cilëve u është dhënë libri më parë (jehudët dhe nasarat), për të cilët zgjati koha dhe zemrat e tyre u bënë si guri dhe devijuan nga e vërteta? Dhe shumë prej tyre ishin fasikunë (të pabindur, të panënshtruar ndaj Allahut duke kaluar çdo kufi).” El-Hadid, 57:16
El-Fudejl e dëgjoi këtë ajet dhe ky ajet hyri në zemrën e tij, ai u ndikua shumë nga ky ajet, u prek shumë. Në atë moment iu përgjigj ajetit dhe tha:
“Po (është koha që zemrat të zbuten e të ndikohen nga Kurani) dhe u largua. Dhe vendosi në veten e tij se do të migronte në Mekë dhe do të vazhdonte të adhuronte Allahun (subhanehu ue te ala) derisa të vdiste.
Kështu që ai shkoi në Mekë. Për shkak të një ajeti ndryshoi komplet gjendja e tij, nga njeri zullumqar, në një rob që adhuron Allahun dhe prej të devotshmëve. Nga ai moment filloi të përgatitej për udhëtim, shkoi në Mekë, dhe qëndroi atje duke adhuruar Allahun derisa Allahu ia mori shpirtin.
Meka ishte një vend në të cilin ishin të pranishëm dijetarët dhe muhadithunët dhe ai do të merrte prej tyre dituri dhe fikh, si dhe do të mësonte përmendësh hadithet prej tyre.
Sot, ju nuk gjeni një libër tefsiri, fikhu ose të hadithit përveç se do të gjeni në të thënie të mrekullueshme nga imami El-Fudejl ibn Ijad (Allahu e mëshiroftë).
Një ajet u bë shkak që të ndryshonte jeta e tij. Për këtë arsye, njeriu duhet të reflektojë për sëmundjet e tij, ato shpirtërore, fizike si dhe për problemet e tjera për të cilat ai vetë duhet të fillojë t’i kurojë nëpërmjet Kuranit.
Për shembull, ai që është sprovuar me dëshirën për të parë gratë e huaja dhe ndoshta synon të shkojë në vende ku ka gra për t’i parë ato, ndërkohë që ai vazhdimisht lufton kundër nefsit të tij për ta ndaluar këtë, ta kurojë veten e tij me këtë ajet:
“Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më e pastër për ta. Vërtet që Allahu është i Mirënjohur për çfarë veprojnë ata.” En-Nur, 24:30
“Kjo është më e pastër për ta. Vërtet që Allahu është i Mirënjohur për çfarë veprojnë ata.”
Njeriu duhet ta përsërisë këtë ajet, të meditojë rreth këtij ajeti dhe të përpiqet që ky ajet të arrijë të ndikojë në zemrën e tij. Nëse ky ajet arrin të ndikojë në zemër, atëherë do të vijë shërimi. Të gjitha problemet lindin për shkak të mosarritjes dhe mosndikimit të Kuranit në zemër. Nëse Kurani arrin dhe ndikon në zemër, ti do të shërohesh. Përpiqu dhe lufto kundër nefsit tënd derisa Kurani të arrijë të ndikojë në zemrën tënde.