Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Ky ishte profeti ynë!

Shejkh Abdul-Muhsin el-Kasim 

www.perlatmuslimane.com

Të nderuar muslimanë! I ka nderuar dhe ngritur Allahu bijtë e Ademit nga shumë prej krijesave të Tij. Prej tyre (njerëzve) ka zgjedhur njerëz të cilët i ka veçuar me Profetësi dhe Dërgim të shpalljes, dhe prej tyre (Profetëve dhe të Dërguarve) e ka dalluar Profetin tonë Muhamedin të birin e Abdullahut nga elita e Beni Hashim, ndërsa Hashim ishin prej Kurejshëvet.

Pra, ai (Muhammedi) ishte i zgjedhuri i të zgjedhurve, që e ka zgjedhur Allahu për këtë umet, që t’i udhëzoj ata në fenë dhe rrugën e drejtë të Tij.

E gjithë jeta e tij (salAllahu alejhi ue selem) ishte adhurim dhe falënderim ndaj Krijuesit, thirrje dhe mundim, sprova – bela dhe durim.

Gjatë tërë jetës është dalluar me moral të lartë dhe vepra madhështore, është veçuar me cilësi nga më të mirat dhe e gjithë jeta e tij është shëmbëlltyrë për ne.

Thotë Ibnul-Kajimi (rahimehullah): “Njohja e të Dërguarit dhe e mesazhit të tij, pranimi i asaj që ai ka paralajmëruar, dhe nënshtrimi ndaj asaj që ai ka urdhëruar është nevoja më e madhe për njeriun më shumë se çdo gjë tjetër.”

Nuk ka asgjë të mirë veçse e ka udhëzuar umetin për të, dhe s’ka asgjë të keqe veçse e ka paralajmëruar nga ajo.

Thotë Profeti (salAllahu alejhi ue selem) për veten e tij:

“Nuk ka asgjë të mirë që e kam kursyer (fshehur) për ju.” Transmeton Bukhariu dhe Muslimi.

Pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar duke thirrur në një gjë të vetme, me të cilën e ka urdhëruar Allahu. Kush nuk përgjigjet në thirrjen e tij, Allahu do ta fus përgjithmonë në zjarr dhe nuk do ta fus kurrë ne Xhennet.

E filloi kumtimin e shpalljes me të (shehadetin) atëherë kur u ngrit mbi kodrën e Safasë dhe u tha Kurejshëvet:

“Thoni La Ilahe Ila-Llah, nëse doni që të shpëtoni.”

Kaloi dhjetë vjet në Meke, duke mos bërë asnjë thirrje tjetër përveç saj. E pjesën tjetër të shpalljes e kumtoi në kohën e mbetur deri në vdekje. Ai ka premtuar se kushdo që bën një gjë të tillë (kush i përgjigjet thirrjes së tij), do të jetë pjesë e ‘Duasë’ së tij të pranuar nga Allahu.

Andaj, ka thënë:

“Çdo Profet ka një lutje të pranuar (që përfshin të gjithë besimtarët) dhe të gjithë Profetët e kanë bërë këtë lutje, ndërsa unë e kam ruajtur lutjen time për të ndërmjetësuar (shefatë) për umetin tim në Ditën e Kiametit.”

Ajo lutje do të përfshijë, insha-Allah, të gjithë ata që prej umetit tim kanë vdekur duke mos i bërë shirk Allahut.” Transmeton Bukhariu dhe Muslimi.

Ishte shumë i përkushtuar në adhurim ndaj Allahut dhe i bënte ato në formën më të mirë.

I ënjteshin këmbët nga namazi i gjatë. Në një rekat të vetëm lexonte komplet suretul-Bekare, Al-Imran dhe En-Nisa.

Dhe kishte zë të bukur kur lexonte.

Thotë El-Beraë (radijAllahu ‘anhu): “E kam dëgjuar Profetin (salAllahu alejhi ue selem) duke lexuar në namazin e Jacisë suretu-Tin, nuk kam dëgjuar asnjë që të ketë zë apo lexim më të bukur se ai.” Transmeton Bukhariu dhe Muslimi.

I përulej Allahut në mënyrën më të përsosur. Kur falte namaz, gjoksi i tij gumëzhinte sikurse kur vlon uji në kazan. Gjuha e tij nuk pushonte së përmenduri Allahun.

Thotë Aishja (radijAllahu ‘anha): “E përmendte Allahun në çfarëdo gjendje.” Transmeton Muslimi.

Thotë Ibnu Umeri (radijAllahu ‘anhuma): “Ne i numëronim 100 herë kur i Dërguari i Allahut në një ndejë të vetme thoshte: ‘O Zot mi fshij mëkatet dhe më fal mua, ngase Ti je Falës dhe Mëshirues.”

Ai e donte namazin dhe i porosiste të tjerët që të kenë kujdes ndaj tij. Thotë Enesi (radijAllahu ‘anhu): “E gjithë porosia e Profetit (salAllahu alejhi ue selem) para se të vdesë, ishte: Kujdesi ndaj namazit dhe skllevërve.”

Kështu vazhdoi deri atëherë kur i dilnin ushtimat e fundit nga gjoksi dhe gjuha mezi i lëvizte.” D.m.th.: këshillonte për namaz aq shumë derisa i doli shpirti nga trupi. Transmeton Ahmedi.

I këshillonte Sahabet e rinj në moshë që të falin sa më shumë namaz nafile. Një ditë prej ditësh, i tha Abdullah bin Umerit ndërsa ai ishte i ri: “Sa njeri i mirë do të ishte Abdullahu sikurse të falej edhe natën.” Transmeton Bukhariu dhe Muslimi.

Bindja në Allahun ishte shumë e madhe. Ishte më se i bindur se në fjalët e Allahut kishte shërim. Kur sëmurej i frynte (bënte rukje) vetes së tij me fjalët e Allahut.

Thotë Aishja (radijAllahu ‘anha): “Kur rënkonte nga ndonjë sëmundje, i lexonte vetës së tij prej mu’auidhat (el-Felek, en-Nas) dhe frynte.” Transmeton Bukhariu dhe Muslimi.

I çmonte të Dërguarit që ishin para tij. I tha njëri prej njerëzve: “O krijesa më e mirë.” Ndërsa Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ia ktheu: “Ai është Ibrahimi.” Transmeton Muslimi.

I ndalonte njerëzit që ta madhërojnë.

Andaj, në një hadith thotë: “Mos më madhëroni, ashtu siç e madhëruan të krishterët birin e Merjemes. Unë jam rob i Allahut, andaj thoni: robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij.” Transmeton Bukhariu.

I thërriste në këtë fe të gjithë njerëzit dhe pa asnjë dallim, edhe nëse ata ishin të rinj në moshë.

“Një ditë prej ditësh, e vizitoi një djalosh prej jahudive i cili ishte i sëmurë. Ai u ul në afërsi të kokës së tij dhe i tha: “Pranoje islamin.” Dhe djaloshi e pranoi islamin.” Transmeton Bukhariu.

Ishte shumë modest edhe me fëmijët; mundohej që akiden-besimin t’ua mbjell në zemër.

I tha Ibnu Abasit: “O djalosh, unë do t’i mësoj disa fjalë: Ruaje Allahun, Allahu të ruan ty, ruaje Allahun do ta kesh në anën tënde, nëse kërkon ndonjë gjë atëherë kërkoje atë prej Allahut, e nëse mbështetesh, mbështetu vetëm tek Allahu.” Transmeton Tirmidhiu.

Ishte i butë kur i mësonte Sahabet dhe ua shfaqte dashurinë që kishte për ta.

“Një ditë prej ditësh, e kapi Muadhin për dore, e i tha: “Pasha Allahun, unë të dua ty. O Muadh, të këshilloj që të mos e lësh pas çdo namazi, pa thënë: ‘O Zot më ndihmo mua që të përmend, të falënderoj dhe të të adhuroj Ty sa më mirë.” Transmeton Nesaiu.

Nuk ishte i ashpër e as mendjemadh. Përkundrazi, ishte i hapur me çdokënd.

“Erdh një njeri në xhami, përderisa ai (salAllahu alejhi ue selem) ishte duke ligjëruar. Dhe i tha: ‘O i Dërguar i Allahut, unë jam një njeri i huaj në mesin tuaj, kam ardhur që të pyes në lidhje me fenë për gjërat të cilat nuk i di.’ Në atë rast, i Dërguari i Allahut erdhi tek unë duke e ndërprerë fjalimin e tij. Dikush nga shokët e tij e solli një karrige e cila kishte këmbë të hekurta. Në atë rast, i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) hipi mbi të dhe filloi të më mësoj për gjëra të cilat Allahu atë e kishte mësuar. E më pas, e vazhdoi ligjërimin e tij derisa e përfundoi atë.” Transmeton Muslimi.

Ishte i shoqërueshëm dhe i butë me të rinjtë.

Thotë Malik bin Huvejrith: “Shkuam disa të rinj tek Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) dhe qëndruam tek ai për njëzet netë. Kur ai kishte menduar se ishim të mërzitur për familjet tona, pasi që na pyeti se kë e kishim lënë në shtëpitë e secilit prej nesh dhe ne i treguam atij.”

Ishte shumë i butë, i mëshirshëm kur na tha:

“Kthehuni tek familjet tuaja, mësojini e urdhërojini ata. Dhe faluni ashtu siç më keni parë mua duke u falur.” Transmeton Bukhariu dhe Muslimi.

Posedonte etikën më të pastër, nuk ishte i rëndë e as fyes në të shprehur. Ishte i turpshëm më shumë sesa një virgjëreshë në natën e martesës.

Nuk kishte rrahur askënd gjatë tërë jetës së tij.

Thotë Aishja (radijAllahu anha): “I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem), nuk ka rrahur askënd me dorë të tij, as grua e as shërbëtorë, përveç kur ishte në luftë për hir të Allahut. Asnjëherë nuk hakmerrej për veten e tij, por gjithmonë i falte të tjerët. E nëse kishte mundësi për të zgjedhur në mes të dy gjërave, gjithnjë e merrte atë që është më e lehtë përderisa nuk kishte të bënte me mëkatin.”

Kishte gjithnjë fytyrë të hapur e të buzëqeshur. Thotë Xherir bin Abdullah: “Asnjëherë nuk më ka shikuar i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) përveçse ka buzëqeshur.”

I vizitonte të afërmit e tij, i besonte gjithnjë të vërtetës dhe u ndihmonte atyre që kishin nevojë. I kishte thënë atij Aishja: “Me të vërtetë ti i viziton të afërmit, e thua gjithnjë të vërtetën, u ndihmon atyre që nuk janë të aftë, u jep të varfërve, je mikpritës dhe po u ndihmon atyre të cilët e mbrojnë të vërtetën.”

E respektonte nënën e tij. E vizitoi varrin e saj, qau aq shumë saqë i bëri që edhe të tjerët që ishin me të që të qanin.

Në një hadith thotë: “I kërkova Zotit tim që të lutem për të e nuk më lejoi, ndërsa kur kërkova që ta vizitoj varrin e saj, më lejoi.” Transmeton Bukhariu dhe Muslimi.

I këshillonte njerëzit që të kenë kujdes e t’i respektojnë komshinjtë, të jenë të kujdesshëm dhe t’i nderojnë ata.

I ka thënë Ebu Dherrit: “Kur të përgatitësh supë, shtoji ujë pak më shumë dhe ftoji edhe komshinjtë e tu.” Transmeton Muslimi.

Ishte zemërbutë dhe i shoqërueshëm me ata që ishin nën të.

“Enesi i kishte shërbyer për dhjetë vite me radhë, asnjëherë nuk i kishte thënë ‘Oh’ dhe as nuk i kishte thënë për diçka që ka bërë përse e ke bërë këtë, apo sikurse ta kishe bërë kështu.”

Ishte i mëshirshëm ndaj të dobëtëve dhe të sëmurëve.

“Kishte urdhëruar për ata që ua falin namazin të tjerëve, që të mos e zgjasin namazin për shkak të tyre (për shkak të sëmurëve dhe të dobëtëve).”

Ishte i ndjeshëm për njerëzit.

“Një prej beduinëve urinoi në xhami për shkak se nuk e dinte (se një gjë e tillë është e ndaluar). Në këtë rast, njerëzit deshën ta pengojnë, ndërsa ai u tha: “lëreni derisa ta përfundojë urinimin, e më pas derdheni një kovë me ujë mbi atë vend. Me të vërtetë jemi porositur që t’ua lehtësojmë gjërat njerëzve e jo t’ua vështirësojmë.” Transmeton Bukhariu.

Jepte shumë sadaka. Asnjëherë nuk e ka kthyer ndonjë lypës apo nevojtarë.

Thotë Hakim bin Hizam (radijAllahu anhu): “I kam kërkuar Profetit (salAllahu alejhi ue selem) e më ka dhënë, unë prapë i kërkova e ai më dha, e prapë i kam kërkuar e ai gjithnjë më ka dhënë.” Transmeton Bukhariu dhe Muslimi.

Nuk ishte dorështrënguar dhe ishte shumë bujar.

“Erdhi një njeri dhe i dha aq shumë, sa ishte e mbushur një luginë ndërmjet dy kodrave me deve.”

“Një njeri e pa atë përderisa kishte të veshur një xhybe e i tha: ‘sa rrobë e mirë qenka, a mund të ma japësh?!’ Kurse ai ia dha xhyben atij.” Transmeton Bukhariu.

Ishte i mirë dhe ushqehej vetëm me gjëra të mira-pastra. Ruhej nga çdo dyshim që mund të lindte në ushqim apo pije.

“Kur unë vi në shtëpinë time mund të gjej në tokë ndonjë hurme, kur unë dua ta ha atë kam frikë se është nga sadakaja dhe kjo më shtyn të ta lë.” Transmeton Bukhariu dhe Muslimi.

I respektonte Sahabet dhe ua dinte vlerën atyre, edhe nëse ishin të rinj në moshë.

Ai tha për Usame Bin Zejdin përderisa ai nuk ishte ende 18 vjeç: “Ju këshilloj që të keni kujdes për të, ngase ai është prej më të mirëve nga mesi juaj.” Transmeton Muslimi.

Nëse sëmurej ndonjëri prej sahabeve, e vizitonte dhe ndjehej keq atëherë kur dikush rënkonte.

“E vizitoi Sa’d bin Ubaden dhe kur e pa se ishte shumë i sëmurë, ai qau.”

Ishte shumë i drejtë me Sahabet e tij. Nuk e harronte në asnjë rast ndikimin pozitiv që e kishin ata në këtë thirrje. Në herën e fundit kur ai hipi mbi minber, tha:

“Ju këshilloj që të keni kujdes ndaj ensarëve, sepse ata janë xhemati im dhe ata më dhanë besën. Ata e kanë kryer obligimin e tyre që e kishin, e tani mbetet vetëm ajo që ata duan ta bëjnë me vullnetin e tyre. Andaj, pranoni të mirat që vijnë nga ata dhe falini ata të cilët nuk veprojnë siç duhet.” Transmeton Bukhariu.

Nuk e harronte asnjëherë gjendshmërinë e Hadixhes në momentet më të vështira dhe as sakrificën në bujari e mendjemprehtësinë e saj. Shpeshherë e përmendte atë për të mirë edhe pas vdekjes, i vizitonte të afërmit dhe u jepte lëmoshë e pasuri shoqeve të saj.

Urdhëroi që të mbyllej çdo derë e xhamisë përveç derës kryesore dhe derës së Ebu Bekrit (radijAllahu anhu) si respekt për të.

Me gjithë vështirësitë që i kishte për shkak të ngarkesës me përhapjen e shpalljes, ishte shumë i sjellshëm me familjen e tij. Kur futej në shtëpinë e tij, ishte në shërbim të tyre. Ndërsa kur ishte koha e namazit, shkonte në xhami.

Ishte i butë e i sjellshëm me fëmijët dhe nipërit e mbesat e tij.

”Kur vajza e tij Fatimja futej në shtëpi ngrihej në këmbë, e kapte për dore dhe e ulëte në vendin ku ai ishte i ulur. E merrte Hasanin në prehër dhe thoshte: “O Allahu im, me të vërtetë unë e dua; të lutem o Zot duaje edhe Ti.” Transmeton Bukhariu dhe Muslimi.

“Doli para shokëve të tij për ta falur namazin dhe me vete e kishte marrë mbesën e tij Umamen që e mbante në krah. Falej së bashku me të në krah, kur binte në ruku e lëshonte në tokë, kur ngrihej e mbante atë në krah.” Transmeton Bukhariu dhe Muslimi.

E tregon Uthmani (radijAllahu ahnu) sjelljen e tij ndaj Sahabeve duke thënë:

“E kemi shoqëruar të Dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi ue selem) në udhëtim dhe kur ishte në Medine. Ai i vizitonte të sëmurit, i përcillte xhenazet tek varrezat, luftonte në fushëbetejë së bashku me ne dhe na ngushëllonte për gjëra të imëta e të mëdha.” Transmeton Ahmedi.

Ka përjetuar gjëra shumë të hidhura e nga më të rëndat. Thotë Aishja (radijAllahu anha):

“Erdhi një grua me dy vajzat e saj për të kërkuar lëmoshë, unë nuk gjeta asgjë përveç një hurme të vetme.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Kishte momente kur kishte lidhur gurë mbi barkun e tij nga uria.

Thotë Umeri (radijAllahu anhu): “E kam parë të Dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi ue selem) duke i kaluar tërë dita, e të mos kishte asnjë hurme të thatë për ta futur në barkun e tij.” Transmeton Muslimi.

Ishte ballafaquar me sprova dhe gjendje nga më të vështirat. U rrit jetim, u nxorr nga vendi i tij dhe u bojkotua tërësisht nga banorët e Mekës për tre vjet rresht, u fsheh në shpellë kur jobesimtarët e ndiqnin për ta vrarë, i kanë vdekur gjashtë fëmijë.

Kurejshët e ndoqën atëherë kur bëri hixhret duke i shpallur edhe luftë, e mashtruan munafikët disa herë, e kanë helmuar dhe i kanë bërë magji.

Ndërsa ai thoshte:

“Jam kërcënuar për hir të Allahut ashtu siç nuk do të kërcënohet askush, dhe jam ballafaquar me vështirësi dhe të këqija për hir të Allahut ashtu siç nuk do të ballafaqohet askush.”

Me gjithë këto bela e vështirësi të cilat u përball, ishte optimist në jetë dhe thoshte:

“Më pëlqen optimizmi dhe fjala e mirë.” Transmeton Bukhariu dhe Muslimi.

E ka lënë dynjanë anash, duke shpresuar shpërblimin e Allahut, e thoshte:

“Nuk më bën përshtypje kjo dynja aspak! Në këtë jetë unë jam sikurse një kalorës i cili zbret nga kafsha për të pushuar nën hijen e një peme, e pasi të pushojë ecën ndërsa pema mbetet aty ku ka qenë.”

Ai vdiq, ndërsa nuk la asnjë grimcë nga pasuria e tij.

Thotë Aishja (radijAllahu anha): “Vdiq i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) dhe nuk la pas vete asnjë dinarë apo dirhem, asnjë dele apo deve dhe nuk la asnjë amanet.”

Aliu (radijAllahu ahnu) e cilësoi me fjalët e tij: “Nuk kam parë t’i ketë ngjarë dikush atij as më përpara e as më pas.”

Kështu të nderuar besimtarë!

Profeti ynë e kumtoi shpalljen në mënyrën më të mirë, dha e këshilloi umetin e tij duke thënë:

“Shembulli im dhe shembulli juaj, është sikurse puna e një personi që ka ndezur një zjarr në të cilin hidhen fluturat dhe karkalecat, ndërsa ai i largon ato me dorë që të mos bien në të. Edhe unë mundohem që t’ju largoj nga zjarri e ju më ikni nga duart.”Transmeton Muslimi.

Prej borxhit që umeti ka kundrejt tij, është që t’ia japin hakun të cilin e meriton, duke filluar që nga besimi në të (se ishte i Dërguar i Allahut) dhe të pranuarit e mesazhit të tij (shpalljes).

Në një hadith thuhet: “Çdokush prej këtij umeti që dëgjon për mua, qoftë jahudi apo i krishterë dhe vdes e duke mos pranuar atë të cilën më është shpallur mua, veçse do të jetë prej banorëve të zjarrit.” Transmeton Muslimi.

Prej hakut që i takon atij (salAllahu alejhi ue selem), është: ta duash atë më shumë se çdo krijesë tjetër.

“Nuk ka besuar ndonjëri prej jush (me besim të plotë) përderisa të mos jem unë më i dashur tek ai sesa prindi i tij, fëmija i tij dhe të gjithë njerëzit.” Transmeton Bukhariu dhe Muslimi.

Prej obligimeve të umetit kundrejt tij, është të vepruarit e asaj që ka urdhëruar dhe të larguarit nga ajoa që ai ka ndaluar. Thotë Profeti (salAllahu alejhi ue selem):

“I gjithë umeti im do të hyjë në Xhennet përveç atij që refuzon!” I thanë: “O i dërguar i Allahut, e kush refuzon?!” Ai tha: “Kush më bindet mua do të hyj në Xhennet, e kush nuk më bindet mua veçse ka refuzuar.” Transmeton Bukhariu.

Prej bazave në të cilat ndërtohet Dëshmia se ai është i Dërguar i Allahut, është: “Të mos adhurohet Allahu në asnjë mënyrë tjetër përveçse me atë që ai na ka mësuar.”

Në një hadith, thotë:

“Keni kujdes nga gjërat e shpikura në fe.”

Prej dëshmisë se njeriu e do Profetin, është leximi i historisë (sires) dhe njohja e udhëzimit të tij në çfarëdo gjendje. Gjithashtu, përhapja e thirrjes (da’uetit) së tij në çdo pikëpamje dhe të bëhet da’uet në atë çfarë ai ka bërë duke filluar nga Teuhidi, urdhëresat në fe, ato të pëlqyerat dhe virtytet e ndershme.

Kushdo që e merr Profetin (salAllahu alejhi ue selem) shembull në adhurimin dhe veprimet e tij, veçse e ka fituar shpëtimin (nga zjarri) dhe kënaqësinë (e Allahut).

Thotë Allahu në Kuran:

لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِّمَن كَانَ يَرْجُو اللَّهَ وَالْيَوْمَ الْآخِرَ وَذَكَرَ اللَّهَ كَثِيراً

“Ju e keni shembullin më të mirë në të Dërguarin e Allahut; për atë që shpreson në Allahun dhe Botën Tjetër dhe përmend shpesh Allahun.” 1

Allahu na begatoftë me Kuranin famëlartë, na bëftë që të përfitojmë prej ajeteve dhe këshillave që ai përmban. Kërkoj falje nga Allahu për veten time, për ju dhe për gjithë muslimanët nga të gjitha mëkatet. Kërkoni falje edhe ju prej Tij, ngase është Falës dhe Mëshirues.

E falënderojmë Allahun për mirësitë e Tij, për udhëzimin dhe të mirat që na i ka dhuruar. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut të pashoq, dëshmoj se Profeti ynë është Muhammedi, rob dhe i dërguar i Tij paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij.

Muslimanë të nderuar!

Kënaqësia e të dy botëve arrihet me të bindurit ndaj të Dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selem). Në atë masë sa ti i bindesh atij, aq edhe do të jetë udhëzimi, krenaria dhe shpëtimi (në ahiret).

Thotë Allahu i Lartësuar:

وَإِن تُطِيعُوهُ تَهْتَدُوا

“Nëse i bindeni atij, atëherë do të jeni të udhëzuar.” 2

Kush i bindet atij, është në rrugë ë drejtë, do të ketë jetë të pastër dhe do të jetë i lumtur. Kush dëshiron që të jetë së bashku me të në Xhenet, atëherë të pasojë gjurmët e tij e të praktikojë Sunnetin e tij, të refuzojë çdo gjë që bie ndesh me shehadetin se ai është i Dërguar apo që e lë atë mangët.

Thotë i Lartësuari:

وَمَن يُطِعِ اللّهَ وَالرَّسُولَ فَأُوْلَـئِكَ مَعَ الَّذِينَ أَنْعَمَ اللّهُ عَلَيْهِم مِّنَ النَّبِيِّينَ وَالصِّدِّيقِينَ وَالشُّهَدَاء وَالصَّالِحِينَ وَحَسُنَ أُولَـئِكَ رَفِيقًا

“E kush do që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që Allahu i shpërbleu: me Profetët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të drejtit. Sa shokë të mirë janë ata!” 3

Allahu i Madhëruar ju ka urdhëruar që të dërgoni salavate dhe selame mbi Profetin e Tij, e për këtë gjë thotë:

إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا صَلُّوا عَلَيْهِ وَسَلِّمُوا تَسْلِيمًا

“Me të vërtetë Allahu dhe engjëjt e Tij dërgojnë salate dhe selame mbi Profetin. O ju që keni besuar, dërgoni salate dhe selame mbi të.” 4


1 El-Ahzab 33:21

2 En-Nur 24:54

3 An-Nisa’ 4:69

4 El-Ahzab 33:56

Shpërndaje: