Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Lindja përmes prerjes cezariane

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Likaul-babil-meftuh 86/17

Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Pyetje: “Shejkh i nderuar! Thotë Allahu Subhanehu ue Te’ala në suren ‘Abese:

ثُمَّ السَّبِيلَ يَسَّرَهُ

“Më pas ia lehtëson rrugën (e lindjes).” 80:20

Përmes këtij ajeti, Allahu Subhanehu ue Te’ala ka marrë përsipër lehtësinë e daljes së fëmijës nga barku i nënës. Mirëpo, shohim prej meshkujve e femrave se nguten duke marrë vendim që lindja të bëhet me prerje cezariane. A konsiderohet kjo gjë nga dobësia në të mbështeturit në Allahun Subhanehu ue Te’ala?”

Përgjigje: “Allahu të begatoftë! Në kohët e sotme, kur femrat ndjejnë dhembjet e lindjes, shkojnë në spital dhe shumë prej tyre në vend se të bëjnë lindje normale, lindjen e bëjnë nëpërmjet operacionit cezarian. Mendoj se kjo është prej inspirimit të shejtanit. Dëmi i kësaj është shumë më i madh se dobia, sepse nëna e ka patjetër që të ndjejë dhembje gjatë lindjes. Mirëpo për shkak të kësaj dhembje, ajo përfiton shumë gjëra:

1.Kjo gjë është shkak që asaj t’i falen mëkatet,

2.Nëse ajo duron dhe shpreson në shpërblimin e Allahut, kjo gjë ia shton gradat e saj.

3.Ajo mëson shkallën e dhembjes, të cilën e ka përjetuar nëna e saj, por edhe gratë tjera,

4.Kjo bën që ajo ta shijojë mirësinë e Allahut se është e shëndoshë (v.p.: e nuk rënkon nga ndonjë sëmundje e rëndë, që të ndjejë dhembje të tilla),

5.Kjo ia shton dashurinë dhe ndjenjën për fëmijën e saj, ngase ajo që arrihet me vështirësi, shpirti e ndjen, përmallohet dhe e do edhe më shumë,

6.Kur të lindë fëmija, del nga dalje e njohur –e veçantë; kjo është më e dobishme për fëmijën dhe për nënën,

7.Gruaja dëmtohet nga operacioni, ngase operacioni e dobëson membranën e mitrës dhe pjesë tjera të trupit. Gjithashtu, kjo mund t’i shkaktojë qarje,

8.Gruaja e cila bën lindjen me prerje cezariane, e ka shumë të vështirë të kthehet në gjendjen e saj normale e pothuajse është e pamundur, ngase kjo e rrezikon shëndetin e saj për shkak të prerjeve (v.p.: sidomos kur kjo ndodh më shumë se një herë).

9.Operacionet cezariane janë shkaktare të lindjeve të rralla tek ajo grua. Nëse barku prehet tre herë në vende të ndryshme, ai dobësohet në masë të madhe, dhe në të ardhmen shtatzënia përmban rrezik shumë të madh,

10.Këtë formë të lindjes shumë nëna e përdorin si diçka luksoze, mirëpo dihet që luksi është shkak drejt shkatërrimit, siç thotë Allahu në lidhje me banorët e Xhehenemit:

إِنَّهُمْ كَانُوا قَبْلَ ذَلِكَ مُتْرَفِينَ

“Para kësaj, ata jetonin në luks.” 56:45

Prandaj, është obligim për çdo grua që të durojë dhe të shpresojë në shpërblimin e Allahut, duke bërë lindje të zakonshme, sepse kjo është më mirë për të edhe përgjatë përjetimit të atyre momenteve, por edhe në të ardhmen. Edhe burrat duhet t’i kushtojnë rëndësi kësaj gjëje; ku e dimë ne, ka mundësi që këtë formë të lindjes ta kenë bërë jobesimtarët si një mundësi të lehtë për ne, në mënyrë që të mirat e lindjes së zakonshme të mos i kemi, e të mbetemi me të këqijat që i shkakton prerja cezariane.”

Pyetje: “Çfarë konsiderohet luks në këtë çështje?”

Përgjigje: “Luks është kur njeriu i ikën dhembjeve të zakonshme të lindjes.”

Shpërndaje: