Imam Muhammed el-Amin esh-Shenkiti (v. 1393)
Burimi: Adhua-ul-Bejan (3/289)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
“O profet! Thuaju bashkëshorteve të tua dhe bijave të tua edhe bashkëshorteve të besimtarëve të lëshojnë vellon (xhilbabin) e tyre mbi gjithë trupin e tyre. Kjo do të ishte më e mirë që ato të mund të dallohen (si gra të ndershme) që të mos i shqetësojë (e ngacmojë) askush. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, gjithnjë Mëshirëplotë.” (33:59).
Shumica e komentuesve të Kuranit prej sahabëve dhe tebiinëve, që e kanë komentuar këtë ajet, e kanë përmendur edhe arsyen e shpalljes së tij, duke thënë se: Gratë e Medinës e kishin zakon të dilnin natën për të kryer nevojat fiziologjike. Njëkohësisht ka pasur disa mëkatarë sfidues brenda qytetit të Medinës që i shqetësonin robëreshat më shumë sesa gratë e lira. Kurse disa prej grave besimtare, visheshin sikurse robëreshat dhe si pasojë e kësaj edhe ato shqetësoheshin (ngacmoheshin) nga ana e mëkatarëve të cilët mendonin se këto janë robëresha. Pastaj Allahu urdhëroi profetin e Tij (salAllahu alejhi ue selem) që ai t’i urdhërojë gratë e tij dhe gratë e besimtarëve që të vishen në rroba që janë të ndryshme nga rrobat e robëreshave dhe të veshin një veshje të jashtme që u’a mbulonte të gjithë trupin (Xhilbabin). Nëse ato do veshën kështu dhe kur mëkatarët do t’i shihnin ato, do ta dinin se janë prej grave të lira (jo robëresha) e të cilat përmenden në fjalën e Allahut (te ala):
“Kjo do të ishte më e mirë që ato të mund të dallohen (si gra të ndershme) që të mos i shqetësojë (e ngacmojë) askush…”
Kjo është njohje (se ajo është grua e ndershme) përmes cilësive të saj (përmes veshjes), e jo ta njohësh atë personalisht. Siç mund ta shohim komentimi përputhet me përshkrimin e qartë të Kur’anit. Fjala e Allahut:
“…të lëshojnë vellon (xhilbabin) e tyre mbi gjithë trupin e tyre…”
na bën të kuptojmë se, pikërisht veshja e jashtme, e bën që të dihet se gruaja është e lirë (jo robëreshë). E nëse ato do i përmbaheshin kësaj urdhërese nga ana e Allahut, ato nuk do të shqetësoheshin më nga mëkatarët që i ngacmonin robëreshat. Kështu Allahu i sqaron argumentet e Tij në Kur’anin famëlartë. Kjo nuk do të thotë se është e lejueshme të ngacmohen robëreshat. Dhe padyshim se edhe kjo është e ndaluar.