Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Llogariteni vetveten para se të llogariteni

Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Abad el-Bedr

Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Falënderimet i takojnë Allahut. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut, Një dhe i Pashoq; dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij!
Thotë Allahu (azze ue xhel):

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَلْتَنْظُرْ نَفْسٌ مَا قَدَّمَتْ لِغَدٍ وَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ خَبِيرٌ بِمَا تَعْمَلُونَ 

“O ju besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se çfarë ka përgatitur për të Nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që ju bëni!” 59:18

Ky ajet është një bazë shumë e mirë që ka të bëjë me atë se si duhet njeriu të bëjë llogaritjen e vetvetes. Është obligim i robit që të bëjë llogaritjen ndaj vetes dhe të shikojë me kujdes në atë se çfarë ka përgatitur për Ditën e Nesërme, para se të jep llogari tek Allahu në Ditën e Kiametit.

Është mirësi e madhe sikur robi t’i sheh veprat e tij se çfarë ka përgatitur për Takimin me Zotin e tij të Madhëruar; se a janë ato vepra të mira, adhurime të pastra dhe që nuk janë të shoqëruara me harame dhe veprime të liga, në mënyrë që ai, mezi të presë të takuarit me Allahun e Lartësuar; apo se veprat e tij janë të atij lloji që e hidhërojnë Allahun e Madhëruar dhe që njeriu për shkak të tyre të meriton dënimin e Tij.

Prandaj, njeriu kthehet pas dhe e sheh atë se çfarë ka përgatitur për të Nesërmen, e kujton mirë atë Ditë, e kujton daljen përpara Allahut, e kujton llogaridhënien dhe shfaqjen e veprave të tij dhe e kujton se çdo gjë që ai ka vepruar, vjen përpara tij e shkruar në një libër të veçantë për të. Thotë Allahu:

لَا يُغَادِرُ صَغِيرَةً وَلَا كَبِيرَةً إِلَّا أَحْصَاهَا وَوَجَدُوا مَا عَمِلُوا حَاضِرًا وَلَا يَظْلِمُ رَبُّكَ أَحَدًا

“Nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” 18:49

Në Ditën e Kiametit Allahu u thotë njerëzve, ashtu siç ka ardhur në një hadith kudsij:

« يَا عِبَادِي إِنَّمَا هِيَ أَعْمَالُكُمْ أُحْصِيهَا لَكُمْ ثُمَّ أُوَفِّيكُمْ إِيَّاهَا فَمَنْ وَجَدَ خَيْرًا فَلْيَحْمَدْ اللَّهَ وَمَنْ وَجَدَ غَيْرَ ذَلِكَ فَلَا يَلُومَنَّ إِلَّا نَفْسَهُ »

“O robërit e mi! Këto janë veprat tuaja të cilat tek Unë janë të ruajtura dhe të llogaritura, e për to Unë do t’iu shpërblej. Pra, ai që gjen mirë, le ta falënderojë Allahun ndërsa ai që gjen keq, le të mos e fajësojë askënd pos vetveten!”

A nuk është e mirë për robin që llogaria për vetveten të jetë tani? “Ai që gjen mirë, le ta falënderojë Allahun ndërsa ai që gjen keq, le të mos e fajësojë askënd pos vetveten”, a nuk është më mirë që kjo gjë të jetë qysh në kohën kur njeriu bën vepra?

Kur ai bën punë të mira, e falënderon Allahun për atë që ia ka lehtësuar dhe ia ka bërë të mundshme ta veprojë. E nëse bën punë jo të mira, e përmirëson veten e tij në mënyrë që në Ditën e Kiametit të mos i thuhet: “ai që gjen keq, le të mos e fajësojë askënd pos vetveten!” Kështu ngase atëherë, nuk do të ketë mundësi ta përmirësojë gjendjen e tij, të veprojë, të pendohet e t’i ndryshojë punët e tij. E në qoftë se ai e llogaritë veten e tij, e shikon se çfarë ka vepruar, nëse gjen punë të mira, e falënderon Allahun e nëse gjen jo të mira, e përmirëson veten e tij.

Ndërsa në Ditën e Kiametit, nëse gjen diçka jo të mirë, nuk ka mundësi tjetër përveçse ta fajësojë veten e tij. Atëherë nuk ka mundësi as të pendohet, as të përmirësohet e as të kthehet në këtë botë, në mënyrë që të bëjë punë të mira, të bëjë atë çfarë nuk ka bërë më parë. Në kuptim të kësaj që e thamë më lartë, halifi i drejtë Umer bin Hatabi (radijAllahu anhu) thotë:

حَاسِبُوا أَنْفُسَكُمْ قَبْلَ أَنْ تُحَاسَبُوا، وَزِنُوا أَنْفُسَكُمْ قَبْلَ أَنْ تُوزَنُوا، وَتَزَيَّنُوا لِلْعَرْضِ الأَكْبَرِ يَوْمَئِذٍ تُعْرَضُونَ لَا تَخْفَى مِنْكُمْ خَافِيَةٌ 

“Llogariteni vetveten para se të llogariteni, peshoni veprat tuaja para se tu peshohen ato dhe përgatituni për Ditën e Madhe! ‘Atë Ditë do të mbeteni zbuluar dhe asnjë fshehtësi e juaja nuk do të mbetet pa u shfaqur.” 69:18

Dijetarët thonë se llogaritja e vetvetes është dy llojesh:

1. Llogaritja pasi të veprojmë; dhe 2. Llogaritja para se të veprojmë.
Kur jemi tek llogaritja e vetvetes pasi që kemi vepruar, kjo ka të bëj me atë që robi të shikojë në atë që ka vepruar dhe punuar më herët. Veprat të cilat i ka punuar, për të cilat Allahu do ta gjykojë. Kur njeriu shikon veprat e tij të mëhershme se a kanë qenë vepra të drejta sipas udhëzimit, apo se kanë qenë vepra të devijuara a mëkate, apo se kanë qenë vepra të përziera, të mira a të këqija, i vlerëson lëshimet dhe rrëshqitjet e tij, ngase për çdo gjë e cila ka kaluar, robi do të japë llogari për to në Ditën e Kiametit. Mirëpo, Allahu përmes sheriatit Islam na ka lënë një portë shumë të madhe përpara nesh. Ajo ecën së bashku me ne, na ndjekë në çdo vend ku ne shkojmë apo fshihemi. Ajo është porta e pendimit.

Profeti ynë na ka treguar se pendimi i sinqertë e fshin atë që ka qenë më herët dhe na ka treguar se keqardhja për veprën e kryer, është pendim. Kur njeriu shikon në të kaluarën e tij dhe gjen vepra të pastra e të mira e në përputhshmëri me udhëzimin Islam, le ta falënderojë Allahun. E kur gjen mëkate, vepra të këqija dhe lëshime nga më të ndryshmet, atëherë le të pendohet. Thotë Allahu:

قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَى أَنْفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِنْ رَحْمَةِ اللَّهِ إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ 

“Thuaj: ‘O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu me siguri, i fal të gjitha gjynahet.’ Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” 39:53

“mos e humbni shpresën”, ngase Allahu e pranon pendimin sado që mëkati të jetë i madh dhe sado që vepra është e rëndë, Ai i falë të penduarit. Pra, kërkohet pendim i sinqertë tek Allahu nga çdo vepër, dhe kjo është më mirë sesa njeriu ta takojë Allahun e Madhëruar me mëkatet e tij të shumta, dhe të ndryshme.

Ndërsa, kur jemi tek llogaritja e vetes para se të veprojmë, kjo ka të bëj me veprat të cilat njeriu dëshiron t’i bëjë. Nuk duhet të bëjë asnjë hap në rrugë e lerë më të ecën, përveç se duke ditur se çfarë duhet të bëjë, ashtu siç kanë thënë disa prej të Parëve tanë të mirë: “Prej inteligjencës së shëndoshë të njeriut, është edhe ajo që ai hanë, pinë dhe ecën.”

Njeriu duhet të mendojë atë që po vepron se a është vepër e qëlluar, a është vepër e lejuar dhe e duhur për tu bërë, apo është haram? Nuk shoqërohet me këdo, nuk ushqehet me çfarëdo, nuk punon çdo gjë, por të gjitha gjërat i peshon me peshoren Islame. Kjo është ta peshosh veten tënde para se të veprosh diçka, në mënyrë që veprat tuaja të jenë në përputhshmëri me sheriatin e Zotit tënd dhe me porositë e të dërguarit .

E lus Allahun, Zotin e botëve me Emrat e Tij të Bukur dhe Cilësitë e Tij Madhështore që të na përmirësojë gjendjen tonë në çdo aspekt dhe të mos na bëjë prej atyre që mbështeten në vetvete, qoftë edhe sa lëvizja e qepallave! O Zot, ushqena shpirtin tonë me devotshmëri, dhe pastrona nga mëkatet!

Shpërndaje: