Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Sherh El-Mumti ‘Ala Zad El-Mustakni volumi 12 kapitulli mbi martesën, fq. 3002-3003
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Bojkotimi i muslimanit është 3 lloje:
1.Bojkotimi i obliguar, siç është pasuesi i bidatit i cili thërret në bidatin e tij në qoftë se nuk ndalohet nga kjo gjë përveçse me bojkotim. Në këtë rast jemi të obliguar ta bojkotojmë atë person sepse nga ky bojkotim ka përfitim dhe ky përfitim është mos-thirrja në bidat. Nëse është një njeri që thërret njerëzit në atë se “Kurani është i krijuar” apo se “Allahu është në çdo vend”, jemi të obliguar që ta bojkotojmë atë, nuk i japim selam dhe nuk ia kthejmë selamin, gjithashtu nuk i përgjigjemi në ftesën e tij dhe nuk flasim me të sikur të jetë shoku ynë i afërt. Themi kështu sepse bojkotimi në këtë rast luan rol pozitiv. Transmetohet se profeti ﷺ ka urdhëruar që të bojkotohet edhe ai që bën gjëra të ndaluara siç është i njohur tregimi i Ka’bit dhe dy shokëve të tij -radijAllahu anhum- që e transmeton Bukhari (4418) në kapitullin El-Meghazij dhe Muslimi (2769) në Et-Teubeh. Mirëpo vepruesi i haramit është më i lehtë sesa thirrësi në bidat ngase bidati mbetet pasi që gjithnjë bëhet thirrje për ta vepruar atë ndërsa ai që bën mëkat veçse ka vepruar mëkatin dhe ka përfunduar puna e tij.
2.Bojkotimi i preferuar, ky praktikohet kur dikush bën një mëkat që nuk është në kategorinë e bidatit, nëse përfitohet diçka pozitive me atë bojkotim, siç është bojkotimi i atij që rruan mjekrën e tij. Nëse shohim dikë që vepron këtë gjë dhe me bojkotim i bën dobi atij, që është lënia e këtij mëkati dhe kthimi tek sunneti, në këtë rast bojkotimi është preferuar derisa të kthehet nga ky mëkat. E njëjta gjë vlen edhe ndaj atij që pi duhan apo që punon në atë vend ku punohet me kamatë. Nuk po themi se është obligim të bojkotohet ngase nuk jemi të sigurt se përmes bojkotimit ai e lë mëkatin. Nëse jemi të sigurt se bojkotimi do të ndikojë, atëherë jemi të obliguar që ta bojkotojmë atë. Pra bojkotimi në raste të tilla është i preferuar me kusht që të përfitohet diçka pozitive nga ky bojkotim, në të kundërtën nuk bojkotojmë sepse në parim bojkotimi i muslimanit është haram.
Ebu Ejub El-Ensari rrëfeu se profeti ﷺ ka thënë:
“Nuk i lejohet muslimanit që të bojkotojë vëllain e tij më gjatë se tre ditë.”
Transmeton Buhkari (6077) dhe Muslimi (2769).
Prandaj nëse nuk ka dobi atëherë bojkotimi konsiderohet i ndaluar ngase me të nuk përfitohet asgjë përveç të kundërtës të asaj që në realitet e dëshirojmë. E sa për ata vëllezër të cilët janë xheloz në fe gabimisht dhe për këtë shkak i bojkotojnë të gjithë mëkatarët, ky veprim është i gabueshëm dhe është në kundërshtim me sunnetin duke u mbështetur në hadithin e lartpërmendur. Ai që bën mëkat është vëllai yt pavarësisht peshën e mëkatit që ai e bën përveç nëse ai bën kufër. Pra nuk lejohet bojkotimi i mëkatarëve përveç atëherë kur kjo gjë bën dobi.
3.Bojkotimi i lejuar, atëherë kur ndërmjet dy besimtarëve lind ndonjë keqkuptim. Mirëpo kjo është me kohë të caktuar dhe jo më shumë se tre ditë.
Mendimi më i saktë është se bojkotimi nuk është i ligjësuar në asnjërin prej rasteve as si vaxhib, i preferuar apo i lejuar përveç nëse ka përfitim prej këtij bojkotimi. Pra nëse kemi ndonjë përfitim prej bojkotimit, e praktikojmë atë, përndryshe jo sepse bojkotimi ose është ilaç, ose është si masë ndëshkuese. Nëse bojkoton dikë për shkak të mëkateve të vazhdueshme (dhe bojkotimi ka sukses), atëherë ai është ilaç, e nëse e bojkoton dikë për shkak të ndonjë mëkati të mëhershëm atëherë ajo është masë ndëshkuese sepse veprimi i tillë ka përfunduar. Prandaj edhe ndalohet bojkotimi i vëllait musliman përderisa veprimi i tij të mos jetë kufër. Argumente për këtë që e thamë janë format e përgjithshme të argumenteve që porosisin për të drejtat e muslimanit ndaj muslimanit dhe se besimtari nuk del prej imanit vetëm me bërjen mëkat apo dyfytyrësi, ky është besimi i Ehlus-Sunnetit. Për arsye të tilla themi se parimisht bojkotimi i besimtarëve është i ndaluar edhe nëse ata bëjnë mëkate dhe i bëjnë ato haptazi përderisa ata janë muslimanë.