Burimi: Jeremia 44:1-23
www.perlatmuslimane.com
1 Fjala që u qe drejtuar të gjithë judenjve që banonin në tokën e Egjiptit, banorëve të Magdolos, të Tafnisit, të Memfisit dhe në tokën e Faturesit me gojë të Jeremisë. Thoshte: 2 “Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ju e patë të gjithë të keqen që e solla mbi Jerusalem dhe mbi të gjitha qytetet e Judës: ja, sot janë një rrënojë pa banorë 3 për shkak të fajit që bënë duke më ngacmuar e duke shkuar për t’u flijuar e për t’i adhuruar hyjnitë e huaja, të cilat s’i njihnin as ata, as ju, as të parët tuaj. 4 Unë ju kam dërguar pa u mërzitur të gjithë shërbëtorët e mi, profetët, e ju thosha: ‘Mos e bëni këtë paturpësi që e urrej!’ 5 Por nuk dëgjuan as nuk më vunë aspak vesh të kthehen prej të këqijave të veta dhe të mos u flijojnë hyjnive të huaja. 6 Atëherë u zbraz furia ime e zemërimi im dhe mori flakë në qytetet e Judës dhe në sheshet e Jerusalemit dhe ato u shndërruan në shkretëtirë e shkretëtim siç janë sot!
7 Edhe tashti kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Po përse bëni kundër vetvetes një të keqe kaq të madhe, sa që bëni të sharrojë prej barkut të Judës burrë e grua, fëmijë e ferishte që të mos ju mbesë një Tepricë, 8 pasi më ngacmoni me veprat e duarve tuaja duke u flijuar hyjnive të huaja në tokën e Egjiptit, në të cilën hytë për t’u strehuar? Fara do t’ju tresë e do të bëheni shenjë mallkimi dhe turpi për të gjithë popujt e tokës. 9 Pse a i harruat, vallë, të këqijat e etërve tuaj, të këqijat e mbretërve të Judës, të grave të tyre, të këqijat tuaja e të grave tuaja, që i bënë në tokën e Judës e në sheshet e Jerusalemit? 10 Nuk u penduan deri në ditën e sotme, as nuk u trembën, as nuk ecën në Ligjin tim e në urdhërime të mia, që unë i shpalla ndër sytë tuaj e të të parëve tuaj.
11 Prandaj, kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë do ta kthej faqen time kundër jush për të keqen tuaj dhe do ta shpërndaj mbarë Judën. 12 Do ta marr tepricën e Judës që vendosi të hyjë në tokën e Egjiptit për t’u strehuar aty, fara do t’u shuhet të gjithëve në dheun e Egjiptit: do të bien prej shpatës e urisë, do të zhduken prej më të voglit e deri në më të madhin, prej shpatës e urisë do ta gjejnë vdekjen. Do të jenë shenjë nëme, tmerri, mallkimi dhe turpi. 13 Do t’i ndëshkoj të gjithë ata që banojnë në Egjipt, siç e ndëshkova Jerusalemin: me shpatë, me uri e me murtajë. 14 Askush s’do të shpëtojë i gjallë dhe s’do të mbesë prej Tepricës së judenjve, që erdhën të strehohen në tokën e Egjiptit për t’u kthyer në tokën e Judës, për të cilën u lëngon zemra të kthehen e të banojnë atje. Më s’do të kthehen, përveç ndonjërit që do të ikë.”
15 Atëherë të gjithë njerëzit që dinin se gratë e tyre u flijonin hyjnive të huaja ‑ madje të gjitha gratë e pranishme në një numër të madh ‑ si dhe mbarë populli që banonte në tokën e Egjiptit në Fatures, iu përgjigjën Jeremisë e i thanë: 16“Fjalët që na i the në emër të Zotit, nuk do t’i dëgjojmë, 17 madje me vendosmëri do të vazhdojmë të bëjmë siç e kemi dhënë fjalën: do t’i flijojmë Mbretëreshës së Qiellit dhe do t’i njomim fli njomjeje, siç bëmë ne dhe etërit tanë, mbretërit tanë dhe prijësit tanë në qytetet e Judës e në sheshet e Jerusalemit: kishim bukë me mbushullim, ishim mirë dhe nuk pamë të këqija. 18Që kur nisëm të mos i kushtojmë fli kemi dhe fli njomjeje Mbretëreshës së Qiellit, gjithçka po na mungon, e po na e humb farën shpata e uria.
19 Dhe gratë thanë: Kur ne i flijojmë Mbretëreshës së Qiellit dhe i njomim njomje, a thua se kur i gatuam kuleç në shëmbëlltyrën e saj dhe i kushtuam fli njomjeje e bëmë pa dijen e burrave tanë?”
20 Atëherë Jeremia i shpalli mbarë popullit, burrave e grave dhe mbarë atyre që i folën kështu, këtë përgjigje. U tha: 21 A thua nuk i ka rënë ndërmend Zotit kemi që e kushtuat në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit, ju e etërit tuaj, mbretërit tuaj dhe të parët e vendit tuaj dhe populli i vendit, thua kjo nuk e preku në zemër? 22 Zoti nuk mundi të durojë më për shkak të veprave tuaja të këqija e për shkak të turpësive që bëtë. Kështu toka juaj u shndërrua në shkretëtirë, në tmerr e në mallkim, pa banorë siç është sot. 23 Pse ju kushtuat kem e mëkatuat kundër Zotit duke mos e dëgjuar zërin e Zotit, pse nuk ecët në Ligjin e tij, në urdhërimet dhe në rregulloret e tij, këndej edhe ju gjetën këto të këqija, si sot.”