Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: I’nat-ul-Mustafid bi Sherh Kitab-it-Tauhid, fq. 445-446
www.perlatmuslimane.com
3 – Ebu Seid el-Khudri (radijAllahu anhu) transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“A të mos ju tregojë se çfarë kam frikë më shumë për ju se el-Mesih ed-Dexhallin?” Ata thanë: “Po, i dërguari i Allahut.” Ai tha: “Idhujtaria (shirku) e fshehur; një njeri ngrihet për t’u falur dhe e zbukuron namazin e tij kur ai vëren se njerëzit po e shikojnë atë.”
Ebu Seid el-Khudri quhej Malik bin Sinan el-Khudri dhe ishte një sahabi fisnik dhe i njohur. Allahu qoftë i kënaqur me të.
Profeti ﷺ ka thënë:
“A të mos ju tregojë se çfarë kam frikë më shumë për ju se el-Mesih ed-Dexhallin?”
Ky hadith ka një shkak pse është thënë; një ditë kur sahabët ishin ulur dhe bisedonin për Dexhallin dhe sprovën e tij, erdhi i dërguari ﷺ. Ata kishin frikë prej tij, pas së cilës profeti ﷺ tha:
“A të mos ju tregojë se çfarë kam frikë më shumë për ju se el-Mesih ed-Dexhallin?” Ata thanë: “Po, i dërguari i Allahut.”
Kjo dëshmon se është e ligjësuar për të dhënë mësim në formën e pyetjeve dhe përgjigjeve. Mësimi i tillë mësohet më lehtë përmendësh. Kur profeti donte që ti mësonte shokët e tij diçka të rëndësishme, ai e bënte këtë në formën e pyetjeve dhe përgjigjeve, në mënyrë që ata do të kërkonin një përgjigje dhe pastaj të merrnin përgjigjen prej tij. Profeti ﷺ ka thënë:
“Idhujtaria e fshehur; kur një njeri ngrihet për t’u falur dhe e zbukuron namazin e tij kur ai se njerëzit po e shikojnë atë.”
Kjo dëshmon se syefaqësia është idhujtari e vogël. Ajo është e fshehur për shkak se ajo gjendet në qëllim, synim dhe në zemër. Është vetëm Allahu (subhanehu ue te ala), që e di atë. Askush pos Allahut (subhanehu ue te ala) nuk e di se çfarë synojnë njerëzit. Hadithi dëshmon se sa e rrezikshme është syefaqësia. Profeti ﷺ kishte frikë për njerëzit më të mirë të umetit, sahabët – e çfarë të thuhet për të tjerët? Ai e kishte frikë atë për ta më shumë se ai kishte frikë sprovën e el-Mesih ed-Dexhallit, sepse vetëm pak i shpëtojnë asaj. Edhe pse sprova e el-Mesih ed-Dexhallit është shumë e madhe – Allahu na ruajt ne dhe ju prej saj – megjithatë ajo përfshin vetëm ata që e përjetojnë atë kur ai të shfaqet. Ndërsa, syefaqësia është gjithmonë një rrezik për të gjithë.