Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Me të vërtetë, pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju

Imam Salih bin Feuzan El-Feuzan
Të kuptuarit e fesë është mbrojtje nga sprovat, fq. 18-21
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Sprovat janë të shumta dhe të llojllojshme. Ato shtohen, rëndohen e përsëriten gjithnjë e më shumë sa më shumë t’i afrohemi fundit të kësaj bote. Madje njeriu gjatë gjithë jetës së tij ballafaqohet me sprova, disa të mëdha e të rënda, e disa më të lehta. Allahu i Lartësuar na ka paralajmëruar se ndër sprovat më të mëdha të kësaj jete janë pasuria dhe fëmijët. Ai thotë në librin e Tij të shenjtë:

“Me të vërtetë, pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju. Allahu ka shpërblim të madh.” Et-Tegabun, 64:15

Në një tjetër ajet thotë:

“O ju të cilët keni besuar, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin.” El-Munafikun, 63:9

Pra pasuria dhe fëmijët janë një sprovë për njeriun. Ai që u jep përparësi dashurisë ndaj pasurisë, fëmijëve, farefisit, tregtisë, vendbanimit apo vendit të tij përpara dashurisë ndaj Allahut dhe të dërguarit  të Tij , atëherë le të presë rezultatet më të këqija të mundshme, siç thotë Allahu në Kuran:

“Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni derisa Allahu të sjellë dënimin e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e shthurur.” Et-Teube, 9:24

Pasuria, fëmijët, bashkëshortja ose bashkëshorti, të gjithë janë sprovë.

Allahu i Lartësuar thotë:

“O ju të cilët keni besuar! Në të vërtetë, ju keni armiq në radhët e grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre!” Et-Tegabun, 64:14

Mos i jepni përparësi dashurisë për ta ndaj dashurisë për Allahun dhe për të dërguarin e Tij. Mos u bindni atyre nëse kërkojnë prej jush diçka që bie në kundërshtim me bindjen ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij. Mos u jepni pas tyre aq shumë sa të harroni afërsinë që duhet krijuar me Allahun e Madhëruar. Ruajuni kësaj dhe kujtoni fjalët e Allahut:

“O ju të cilët keni besuar! Në të vërtetë, ju keni armiq në radhët e grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre!” Et-Tegabun, 64:14

Qëllimi i thirrjes për kujdes nuk do të thotë që të armiqësoheni me familjen tuaj, të largoheni prej tyre apo të ndërprisni lidhjet farefisnore. Por të jeni të vetëdijshëm për sprovat që mund të vijnë përmes tyre dhe të mos lejoni që lidhja emocionale me ta t’ju largojë nga përkushtimi ndaj Allahut. Dashuria për bashkëshorten, fëmijët, pasurinë apo të afërmit nuk duhet të jetë në të njëjtin rang me dashurinë për Allahun dhe të dërguarin e Tij. Dashuria ndaj Allahut dhe profetit të Tij duhet të ketë përparësi ndaj dashurisë për pasuri e fëmijë.

Allahu i Lartësuar thotë:

“O besimtarë! Në të vërtetë, ju keni armiq në radhët e grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre! Por, nëse nuk i vini re fyerjet e tyre dhe ua falni, ta dini se Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë. Pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju. Allahu ka shpërblim të madh. Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni, dëgjoni e binduni dhe shpenzoni për bamirësi në të mirën tuaj. Ata që e ruajnë veten nga lakmia e saj, pikërisht ata janë të fituarit.” Et-Tegabun, 64:14-16

Është detyrë e çdo myslimani që të ruajë këtë raport, ta ketë frikë Allahun aq sa ka mundësi, të mos i japë përparësi dashurisë për bashkëshorten kundrejt dashurisë për Allahun e gjithashtu të mos i japë përparësi dashurisë për fëmijët dhe për pasurinë kundrejt asaj që Allahu dëshiron. Kështu Allahu i përmirëson bashkëshortet dhe fëmijët tuaj.

Shpërndaje: