Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Mençuria e Ebu Hanifes

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Sherh Sahih el-Bukhari (2/616-617)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Në lidhje me mençurinë e Ebu Hanifes (rahimehullah) tregohet se një burrë i tha gruas së tij: “Nëse ti nuk më flet deri para ezanit të namazit të sabahut, atëherë je e divorcuar tre here.”

Është e ditur se shumica e imamëve dhe pasuesve të tyre mendojnë se divorci i kushtëzuar konsiderohet divorc dhe asgjë tjetër dhe kur kushti (i vendosur) të jetë plotësuar edhe nëse ai nuk patur për qëllim divorcin por betimin, divorci duhet të zbatohet. Ata gjithashtu mendojnë se divorci i trefishtë duke i thënë gruas: “je e ndarë’’ tre herë e ndan gruan plotësisht nga burri edhe pse ai e shqipton vetëm një herë.

Ky burrë nuk mundi të gjejë dikë (mufti) që do ta pyeste me detaje: A kishe për qëllim betimin apo divorcin me kusht? Apo të gjente dikë që ti jepte atij fetva se divorci i trefishtë në një shprehje në fakt llogaritet si një divorc i vetëm. As gruaja nuk donte të jetonte më me të. Rrjedhimisht, ajo ishte e heshtur gjatë natës. Kur kaloi një pjesë e natës, burri ra në hall të madh dhe shkoi tek Ebu Hanife (rahimehullah) dhe i tregoi se çfarë kishte ndodhur dhe i tha imamit: “Kur të arrijë sabahu, gruaja ime do të jetë e ndarë nga unë. Çfarë duhet të bëj?” Imami i tha: “Ka një mënyrë për të vepruar. Shko te muezini dhe urdhëroje që të thërrasë ezanin tani.”

Burri shkoi te muezini dhe i tregoi se çfarë kishte ndodhur dhe çfarë i kishte thënë imami. Është e njohur se thirrja e ezanit në fund të natës është e ligjësuar për të zgjuar ata që janë në gjumë. Muezini shkoi për të thirrur ezanin dhe burri u kthye në shtëpi te gruaja e tij. Kur ezani filloi të thërritet dhe muezini tha: “Allahu Ekber”. Ajo i tha burrit të saj: “Falënderimi i takon Allahut që më shpëtoi prej teje”, ndërsa ai i tha: “Falënderimi i takon Allahut që të la ty tek unë. Akoma nuk është zbardhur (ende s’ka ardhur koha e namazit të sabahut).”

Prandaj të folurit me nënkuptim, për gjërat e lejuara, lejohet dhe nuk ka gjë të keqe në të.

Shpërndaje: