Imam Ebu Bekr Muhammed bin el-Ualid et-Tartushi (v. 520)
Burimi: “Birrul-Ualidejn”, fq. 49-52
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Mirënjohja ndahet në tri lloje: mirënjohje me zemër, mirënjohje me gjuhë dhe mirënjohje me vepra (gjymtyrët trupore).
– Mirënjohja me zemër realizohet kur zemra e robit e di dhe e pranon se të gjitha ato që i ka janë nga Allahu Te’ala:
وَمَا بِكُم مِّن نِّعْمَةٍ فَمِنَ اللّهِ
“Çdo mirësi që keni është nga Allahu.” 16:53
Të gjithë autorët që kanë shkruar në lidhje me mirënjohjen janë shprehur se zemra është burimi ku gjendet mirënjohja. Allahu Te’ala thotë në lidhje me këtë:
فَاتَّقُواْ اللّهَ لَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ
“…andaj frikësojuni Allahut, në mënyrë që të jeni falënderues.” 3:123
Kjo nënkupton se ai i cili i frikësohet Allahut, ai e falënderon Atë për dhuntitë e Tij.
– Mirënjohja e gjuhës realizohet kur shprehen dhuntitë e Allahut gojarisht në mënyrë nënshtruese. Allahu Te’ala ka thënë:
فَاذْكُرُونِي أَذْكُرْكُمْ وَاشْكُرُواْ لِي وَلاَ تَكْفُرُونِ
“Më përmendni Mua që Unë t’ju përmend ju dhe falënderomëni Mua e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje)!” 2:152
Allahu gjithashtu thotë:
وَأَمَّا بِنِعْمَةِ رَبِّكَ فَحَدِّثْ
“…dhe shpalli (përmendi) dhuntitë e Zotit tënd!”93:11
– Mirënjohja me vepra(gjymtyrët trupore) realizohet me veprimin e veprave të mira dhe me braktisjen e mëkateve. Allahu Te’ala ka thënë:
اعْمَلُوا آلَ دَاوُودَ شُكْرًا
“O familje e Davudit! Bëni falënderim (për Allahun)!” 34:13
Profeti salallahu alejhi ue selem falej aq shumë saqë këmbët tij ishin të ënjtura. Kur iu tha atij: “O i dërguari i Allahut! Allahu të ka falur të gjitha mëkatet e kaluara dhe të më vonshme”, ai ﷺ tha:
أفلا أكون عبدا شكورا
“A mos të jem një rob mirënjohës?!”
Buhariu (1130) dhe Muslimi (2819)
Kështu profeti ﷺ tregoi se mirënjohja ndaj Allahut bëhet përmes veprave dhe se ajo nënkuptohet në ajetin e Kuranit të përmendur më lartë.
Pasi kjo është sqaruar (çështja e falënderimit), t’i duhet ta dish se të gjitha këto lloje duhet t’i kushtohen Krijuesit tënd. Zemra duhet ta dijë se të gjitha dhuntitë janë vetëm nga Allahu. Nëse të jepet diçka nga ndonjë krijesë në qiej apo në tokë, dije se ajo në bazë është prej Allahut. Në këtë mënyrë ti e falënderon Allahun Subhanehu ue Te’ala për veten dhe për të tjerët për dhuratën të cilën Ai ta ka dhuruar ty dhe të tjerëve.
E njëjta gjë vlen edhe për llojin e dytë, pra që ta lavdërosh Atë për dashamirësinë e Tij dhe po ashtu edhe për llojin e tretë.
Lidhur me mirënjohjen ndaj krijesave, në këtë rast vetëm dy llojet e fundit janë të realizueshme. Njeriu duhet ta lavdërojë personin me gojë dhe t’ia kthejë me të mirë atij me vepra, duke i ndihmuar në nevojat që ka qoftë me dhënie të parave apo me ndonjë ndërmjetësim të nevojshëm dhe të lejuar.
Mirënjohja me zemër në këtë rast nuk ka vlerë sepse nuk ka asnjë përfitim nëse ti e ndjen vetëm me zemër kur dikush të ka trajtuar mirë apo jo. Realiteti i saj në fakt është të bëhet kompensim për personin i cili të ka bërë dobi, të ka mbrojtur ty ose të ka gëzuar me ndonjë gjë të caktuar.
Sa për mirënjohjen ndaj prindërve, edhe kjo realizohet me dy llojet e fundit ndryshe nga mirënjohja ndaj Allahut sepse prindërit nuk përfitojnë nga ajo që fëmija i tyre e di se ata janë prindërit e tij.
Kjo mirënjohje është më e lartë sesa mirënjohja që është mes krijesave dhe është më e ulët sesa ajo që i kushtohet Krijuesit. Allahun Te’ala duhet falënderuar sepse Ai i krijoi ata dhe iu dha atyre të gjitha dhuntitë që i gëzojnë. Mirënjohja ndaj prindërve bëhet në kurriz të fëmijës ngase ai është produkt i tyre. I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Fitimi më i mirë është fitimi i njeriut nga duart e tij. Dhe me të vërtetë fëmijët tuaj janë prej fitimit tuaj.”Ahmedi (6/31)
Është kështu për shkak se babai është ai i cili e ka futur farën në mitrën e nënës së tij. Gjithashtu, babai e furnizon nënën me ushqim, pije dhe çdo gjë tjetër që ajo ka nevojë. Pastaj ushqimi shndërrohet në lëng që rrethon spermën dhe nga ku sperma ushqehet. Kështu do rritet dhe zhvillohet në faza nga sperma në filiz, në ngjizje dhe pastaj në kocka e në mish. Më pas i jepet një shpirt. Gjatë gjithë kësaj kohe, fëmija ushqehet nga teprica e ushqimit të nënës derisa të lind. Pastaj ai rritet nga furnizimi që ia siguron babai i tij. E njëjta gjë vlen edhe pas lindjes derisa ai të përfundojë mëkimin. Ai pi qumësht gjiri dhe ha edhe ushqime derisa të rritet si mish dhe me kocka. Në këtë mënyrë, ai është fitim (prodhim) i babait.
Gjithashtu, ai është fitim (prodhim) i nënës në të gjitha këto aspekte; ia shtojmë kësaj të edukuarit nga nëna, kujdesin e saj për të dhe e mbajtjen për nëntë muaj në barkun e saj. Pastaj ajo përjeton vështirësi dhe përpjekje të shumta kur ajo mëkon fëmijën për dy vjet rresht. Allahu Xhele ue ‘Ala ka thënë:
حَمَلَتْهُ أُمُّهُ وَهْنًا عَلَى وَهْنٍ
“Nëna e ka mbartur atë duke duruar mundim pas mundimi.”31:14
Në lidhje me këtë ajet Ibn Abbasi ka thënë: “Është për qëllim: Gjendje të vështirë që pason tjetrën.”
Ed-Dahhak ka thënë: “Është për qëllim: Shëndet i dobët që pason tjetrin.”
Katade ka thënë: “Është për qëllim: Gjendje e mundimshme pas një gjendje tjetër.”
Kjo i ngjason personit i cili mbjell një farë apo një pemë dhe pastaj e ujit atë, e plehëron dhe kujdeset për të derisa ajo të sjell fruta. Ky popull ka më së shumti të drejtë mbi të.
Në qoftë se është konfirmuar se veprat i përkasin mirënjohjes, atëherë ka vepra që i përshtaten mirënjohjes më mirë se disa të tjera. Prandaj, ne kemi thënë se mënyra më e mirë e falënderimit për pasurinë që ke është që të kujdesesh për të varfrit, sepse ajo është një dhuratë e ngjashme.