Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Dhe prandaj themi: Mos pyet se kur do të vdesësh, apo ku do të vdesësh sepse kjo çështje nuk ka nevojë për pyetje. Është një çështje që është e pashmangshme dhe duhet të ndodhë. Dhe sado që të jetosh në këtë botë është sikur të ketë mbetur vetëm një ditë, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:
“Ditën kur ata ta shohin kijametin, do të jetë si të mos kishin qëndruar në këtë botë veçse një pasdite ose një mëngjes.” En-Naziat, 79:46
Por pyetja për të cilën një person duhet të mendojë dhe për të cilën duhet pasur përgjigje është: “Në çfarë gjendje do të vdes?”
Lidhur me “në çfarë gjendje” nuk kam për qëllim, a je i pasur apo i varfër, i fortë apo i dobët, me fëmijë apo pa fëmijë. Jo! Por se me çfarë veprimesh do të vdesësh. Ky është poenti.
Nëse ja bënë vetes këtë pyetje, atëherë duhet të përgatitesh, duhet të përgatitesh sepse ti nuk e di se ne çfarë gjendje të vjen vdekja, ajo të vjen papritur. Sa njerëz u larguan (nga shtëpitë e tyre) duke ngarë makinat e tyre dhe nuk u kthyen përveç se duke u mbajtur mbi supet e njerëzve.
Dhe sa njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre duke u thënë familjeve të tyre: Përgatitni ushqimin, drekën ose darkën por ai nuk hëngri më. Dhe sa njerëz veshën këmishat duke mbërthyer kopsat e tyre, por ata kurrë nuk i zbërthyen ato. Në vend të kësaj, personi që lau trupat e tyre (të vdekur) ua zbërtheu kopsat për t’i larë ata. Kjo çështje është dëshmuar nga të gjithë; që njerëzit vdesin papritur për shkak të aksidenteve (të papritura). Prandaj, duhet të mendosh dhe të reflektosh se në çfarë gjendje do të vdesësh. Ne i kërkojmë Allahut që të na mundësojë që të pendohemi dhe t’i kthehemi Atij, dhe prandaj duhet shtuar istigfarin (kërkimin e faljes). Shtojeni istigfarin!