“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

Mosbesimi dhe llojet e tij

Imam Muhamed Abdul-Vehab (Allahu e mëshiroftë!)

Burimi: 50 pyetje dhe përgjigje në çështje të Besimit, fq. 21-22

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Çfarë do thotë mosbesim (kufër) dhe sa lloje të mosbesimit janë?

Përgjigje: Janë dy lloje të mosbesimit:

Ai mosbesim që e nxjerrë njeriun nga Islami, dhe ky lloj ndahet në pesë kategori:

I pari: Mosbesim duke mohuar Allahun. Allahu thotë: 

“Kush është mizori më i madh se ai që trillon gënjeshtra për Allahun ose mohon të vërtetën që i ka ardhur?! Vallë, a nuk është Xhehenemi vend për jobesimtarët?!” [29:68]

I dyti: Mosbesim përmes të shprehurit, kryeneçësi dhe arrogancë edhe pse në parim e beson Allahun. Allahu thotë:

“Kur u thamë engjëjve: ‘Përuluni në sexhde para Ademit’, ata u përulën, përveç Iblisit i cili nuk deshi, u tregua mendjemadh dhe u bë mosbesimtar.” [2:34]

E treta: Mosbesim duke dyshuar edhe pse në parim e beson Allahun, por duke qenë i pasigurt në këtë. Allahu thotë:

“Pastaj hyri në kopshtin e vet dhe duke qenë i padrejtë me vetveten tha: ‘Unë nuk mendoj se kjo do të shkatërrohet ndonjëherë dhe nuk mendoj se do të arrijë ndonjëherë momenti (i Kiametit). Por, edhe nëse do të më kthejnë te Zoti im, sigurisht që do të gjej një vend më të mirë se ky (kopsht)’! Shoku i tij i tha duke biseduar me të: “A e mohon ti Atë, i Cili të ka krijuar nga dheu, pastaj nga pika e farës dhe të bëri më në fund njeri të plotë?!” [18:35-37]

E katërta: Mosbesim duke ia kthyer shpinën së vërtetës. Argument për këtë është Fjala e Allahut:

“Ne i kemi krijuar qiejt dhe Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre me qëllim të plotë dhe me afat të caktuar. E megjithatë, mohuesit shmangen nga ajo që u është paralajmëruar.” [46:3].

E pesta: Mosbesimi përmes hipokrizisë. Argument për këtë është Fjala e Allahut:

“Kjo sepse ata fillimisht besuan, pastaj mohuan, kështu që zemrat e tyre u vulosën dhe si pasojë ata nuk kuptojnë më.” [63:3]

Formë më e vogël e mosbesimit që nuk e nxjerrë njeriun nga e Islami është mohimi i mirësive:

“Allahu e ka bërë shembull qytetin (e Mekës), i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën, si ndëshkim për atë që bënë.” [16:112]

Gjithashtu, thotë Allahu:

“Ai ju jep gjithçka që i kërkoni. Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës.” [14:34]

Shpërndaje: