Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Mosgjykimi me ligjin e Allahut

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

E gjithë lavdia i takon Allahut, Zotit të botëve. Dërgoj salavate dhe selam mbi Profetin tonë Muhamed, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e Tij deri në Ditën e Gjykimit. E më pas: Sot është e martë, 22 Rabijul-Euel, 1420 Hixhrij (viti 2000).

E dëgjova kasetën e incizuar me emrin e vëllait tonë Ebul-Hasen në Ma´rib. Ai filloi me selam, andaj unë po them ue alejkes-selam ue rahmetullahi ue berekatuhu.

Ajo që ai ka përmendur rreth tekfirit, është një çështje e madhe dhe serioze, prandaj nuk është mirë të flasim rreth kësaj çështjeje, me përjashtim të nxënësit të dijes që e kupton të shprehurit rreth saj dhe njeh kuptimet e saj, gjithashtu i njeh pasojat që dalin nga gjykimi me tekfir apo nga mosdhënia e tij.

Kurse, sa i përket njerëzve të thjeshtë të cilët merren me të gjykuarit për tekfir apo mosbërja e tekfirit në të tilla çështje, prej kësaj burojnë shumë të këqija. Andaj, mendoj se të rinjtë nuk duhet të merren me këto çështje, se a është prijësi kafir apo jo, se a na lejohet të rebelohemi kundër tij apo jo. Për të rinjtë është detyrë të merren me adhurimet të cilat Allahu i ka obliguar ose që janë adhurime të pëlqyeshme, të braktisin atë që është e urryer apo e ndaluar dhe të merren me bashkimin rreth së vërtetës. Duhet ta dinë se mosmarrëveshjet në çështjet e fesë dhe dijes, ndodhën edhe gjatë kohës së Sahabëve radijallahu anhum, mirëpo kjo nuk çoi në ndarje. Por zemrat ishin një dhe menhexhi i tyre ishte një.

Sa i përket mosgjykimit me atë që ka shpallur Allahu, atëherë kjo- ashtu siç gjendet në librin Madhështor- është tri llojesh: është kufër (mosbesim), është dhulm (padrejtësi) dhe është fisk (mosbindje); çdonjëra sipas shkaqeve mbi të cilat është bazuar gjykimi.

1. Nëse një person nuk gjykon me atë që ka shpallur Allahu për shkak se pason epshet e tij, duke e ditur se e vërteta është tek ajo që ka gjykuar Allahu, atëherë ky nuk ka bërë kufër, por ai është ose fasik (i pa bindur, i prishur) ose dhalim (zullumqar).

2. Nëse ai ligjëson një gjykim të përgjithshëm i cili pasohet nga umeti dhe ai e konsideron këtë gjykim si të dobishëm, duke mos e pasur të qartë realitetin e tij, edhe personi i tillë me këtë veprim nuk ka bërë kufër, sepse shumë nga udhëheqësit kanë injorancë për sa i përket dijes së Sheriatit. Dhe ai që nuk i njeh gjykimet e Sheriatit, shpeshherë lidhet pas atyre që nxjerrin këto gjykime, të cilët i konsiderojnë si dijetarë të mëdhenj. Si rezultat i gjithë kësaj ndodhë kundërshtimi i Sheriatit.

3. Nëse ai nuk e njeh Sheriatin por gjykon me këtë ligj apo e nxjerrë këtë ligj dhe pastaj e bën atë si kod ligjor që ta pasojnë njerëzit, i cili është i bindur se një person i tillë është dhalim (zullumqar) për këtë që po bën dhe i cili është i bindur se e vërteta është tek ajo që erdhi në Kuran dhe Sunnet, mbi këtë ne nuk mund të bëjmë tekfir.

Ne mund të bëjmë tekfir mbi:

A) ata që e konsiderojnë një legjislacion tjetër përveç legjislacionit të Allahut duke e cilësuar atë si më të përshtatshëm për njerëzit;

B) mbi atë që beson se ky legjislacion është i barasvlershëm me legjislacionin e Allahut ‘Azze ue Xhel, ky është kafir sepse përgënjeshtron thënien e Allahut Tebarake ue Te’ala:

أَلَيْسَ اللَّهُ بِأَحْكَمِ الْحَاكِمِينَ

“A nuk është Allahu më i Miri i të gjithë gjykuesve?” 95:8

Dhe gjithashtu Fjalën e Tij:

أَفَحُكْمَ الْجَاهِلِيَّةِ يَبْغُونَ وَمَنْ أَحْسَنُ مِنَ اللّهِ حُكْمًا لِّقَوْمٍ يُوقِنُون

“Mos vallë ata kërkojnë gjykimin e kohëve të injorancës? Dhe kush është gjykues më i mirë sesa Allahu për popullin që është i bindur (në besimin e tij)?” 5:50

Pastaj, këto çështje (që sapo u sqaruan) nuk duhet kuptuar ashtu që kur ne bëjmë tekfir mbi dikë, atëherë automatikisht qenka obligim të rebelohemi kundër tij, për arsye se nga ky rebelim vijnë të këqija të mëdha më shumë sesa kur rri i heshtur.

Gjithashtu, s’kemi mundësi të tregojmë shembuj rreth atyre ngjarjeve që ka përjetuar ky Umet, qofshin arabë apo jo arabë. Por kur ta kemi verifikuar korrektësinë e rebelimit kundër këtij personi nga aspekti Sheriatik, atëherë duhet bërë patjetër përgatitje (fizike dhe ushtarake) që të arrihet fuqi e barabartë me atë të udhëheqësit ose më shumë se aq. Ajo që njerëzit të rebelohen me thika e shtiza ndërsa udhëheqësi ka tanke, raketa, etj, nuk ka dyshim se ky veprim është një budallallëk dhe gjithashtu kjo bie në kundërshtim me Sheriatin e Allahut.

Shpërndaje: