Imam Ibn Kethir ed-Dimeshkij (v. 774)
Burimi: Tefsir el-Kuran el-Adhim (3/171)
Allahu (azze ue xhel) ka thënë:
”E pas tyre (të mirëve) erdhën pasardhës të këqij, që e harruan namazin e u dhanë pas kënaqësive (trupore), e më vonë do të hidhen në çdo të keqe (ose në Gaja). Me përjashtim të atij që pendohet, beson e bën vepra të mira, të tillët do të hyjnë në xhennet dhe atyre nuk u bëhet kurrëfarë padrejtësie.” 1
Pasiqë Allahu (Te ala) ka përmendur fatlumët që janë profetët (salAllahu alejhim ue selem) dhe pasuesit e tyre, e që janë ata që u përmbahen kufijve që ka vendosur Allahu dhe u përmbahen urdhërave të Tij, kryejnë obligimet që ka urdhëruar Ai dhe u largohen ndalesave të Tij, Ai tha:
”E pas tyre (të mirëve) erdhën pasardhës të këqij.”
Do të thotë breza të mëvonshëm:
”që e harruan namazin…”
Nëse ata janë të pakujdesshëm ndaj namazit, ata janë akoma dhe më të pakujdesshëm në lidhje me obligimet e tjera. Kjo sepse namazi është shtylla e fesë dhe vepra më e mirë e robërve të Tij. Ata morën epshet e dunjasë dhe kënaqësitë, u kënaqën me jetën e kësaj bote dhe u ndien të rehatuar në të. Ata do të hidhen në Gaja, që do të jetë humbje për ta në Ditën e Gjykimit.
Dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me atë se çfarë do të thotë ”e harruan namazin” në këtë ajet. Disa thonë se ajeti ka për qëllim atë që nuk falet fare. Këtë mendim e ka Muhammed bin Ka’b el-Kuradhi, Ibn Zejd bin Eslem dhe es-Sudi. Këtë mendim gjithashtu e zgjodhi Ibn Xheriri. Si rezultat, disa nga Selefët, Tebiinët dhe disa prej imamëve sikurse imam Ahmedi sipas mendimit të tij të njohur dhe gjithashtu imam Shafeiu sipas një prej mendimeve të tij, bënë tekfir mbi atë që nuk e fal namazin, kjo në bazë të haditheve:
“Në mes robit, idhujtarisë dhe mosbesimit, është mosfalja e namazit.” 2
dhe:
“Besa mes nesh dhe atyre është namazi. Kushdo që e lë atë ka bërë kufër.” 3
Megjithatë, nuk është me vend për t’u marrë me këtë çështje në hollësi tani.
El-Euzai tregoi nga Musa bin Sulejman, nga el-Kasim bin Mukhejmireh i cili tha:
“Ata neglizhuan kohët e namazit pa e braktisur atë. Sikur ta kishin braktisur atë, ata do të bënin kufër.”
1 19:59-60
2 Muslimi (82).
3 Tirmidhi (2621), Nesai (463) dhe Ibn Maxheh (1079). Autentik sipas Albanit.