Hafidh Abdurr-Rrahman bin El-Xhauzi El-Hanbeli (v. 597)
Bustan-ul-Ua’idhin ue Rijad-us-Sami’in, fq. 214-215
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Robër të Allahut! Keni frikë Allahun dhe tregoni kujdes për muajin e pendimit dhe shpërblimit të premtuar në të. Ky është muaji në të cilin mëkatet falen dhe të dënuarit për në xhehenem lirohen. Netët e tij janë më të ndritshme se ditët, ndërsa ditët e tij pastrojnë shpirtin nga ndotësia e mëkateve.
Agjërimi i këtij muaji është më i miri, namazi i natës në të është më i vlefshmi. Ky është një muaj me të cilin Allahu e ka veçuar umetin e Muhamedit ﷺ. Muaj që Allahu e ka bërë fener për tërë vitin, si rrugë dhe metodologji, si dhe shtyllën më fisnike të Islamit. Ai ndriçohet nga drita e namazit, agjërimit dhe namazit të natës.
Në këtë muaj Allahu shpalli Librin e Tij dhe hapi dyert e pendimit për robërit e Tij. Çdo lutje pranohet, çdo vepër e mirë ngrihet, asnjë vepër nuk mbetet pa u llogaritur dhe çdo e keqe refuzohet. Në këtë muaj mëkatet falen dhe veprat e mira ruhen. Kushdo që kërkon mëshirën e Allahut do ta arrijë atë.
Në këtë muaj, xhamitë janë të mbushura me përmendjen e emrit të Allahut ndërsa zemrat e besimtarëve gjejnë qetësi në pendim.