Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Munker dhe Nekir (2)

Imam Ebu Bekr Muhamed bin El-Husajn El-Axhuri (v. 360 )
Esh-Shari’ah, fq. 375-380
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

301 – Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kur i vdekuri vendoset në varr, i vijnë dy melekë të zinj me sy blu. Të cilët quhen Munker dhe Nekir.

Ata i thonë: ”Çfarë thoshe për këtë njeri, Muhamedin?”

Besimtari përgjigjet: ”Dëshmoj se ai është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij.”

Ata do të thonë: ”E dinim se do ta thoshe këtë. Pastaj i zgjerohet varri 70 krahë në gjerësi dhe 70 krahë në gjatësi.

Tirmidhi (1071) och Ibn Hibani. Imam Albani e vlerësoi hadithin si “hasen” (i mirë) në Sahih El-Xhami Es-Sagir (1/724).

302 – El-‘Ala Ibn ‘Ata ka transmetuar:

Një burrë erdhi tek Ebu Derda dhe i tha:

“Ti je një njeri i ditur dhe tashmë vdekja të është afruar. Më mëso diçka të vlefshme, që Allahu i Lartësuar të më japë dobi përmes saj.”

Ebu Derda u përgjigj: “Si do të ndihesh kur e vetmja tokë rreth teje do të jetë një hapësirë prej katër krahësh me dy pëllëmbë?

Të afërmit e tu që lotojnë për vdekjen tuaj do të vijnë, vëllezërit e tu të cilët dikur të përmendnin me dashuri do të jenë ata që do të të vendosin në varr, do të të mbulojnë me dhe, pastaj do të largohen dhe do të të lënë të vetëm?

Pastaj vijnë dy melekë me ngjyrë blu dhe flokë kaçurrela, të quajtur Munker dhe Nekir. Ata do të pyesin:

Kush është Zoti yt?

Cila është feja jote?

Kush është i dërguari yt?

Nëse përgjigjesh: “Zoti im është Allahu, feja ime është Islami dhe i dërguari im është Muhamedi ﷺ”, atëherë je i udhëzuar dhe ke shpëtuar. Nëse nuk e di ose nuk mund të përgjigjesh, atëherë je prej atyre që kanë humbur.”

303 – Bera Ibn Azib -radijAllahu anhu- ka thënë në lidhje me ajetin: 

”Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër.” Ibrahim, 14:27

”Qëndrueshmëria në këtë botë dhe në botën tjetër nënkupton atë çast kur njeriu gjendet në varr, dhe dy melekë i vijnë për ta pyetur:

Kush është Zoti yt?

Ai përgjigjet: Zoti im është Allahu.

– Cila është feja jote?

Ai thotë: Feja ime është Islami.

– Kush është i dërguari yt?

Ai thotë: I dërguari im është Muhamedi ﷺ.

Kjo do të thotë që të forcohesh në këtë jetë.

Transmeton Bukhari (4699).

Shpërndaje: