Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)
Burimi: Mexhmu’ul-Fetaua (25/318)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Çfarë thonë dijetarët dhe imamët e fesë për atë që e quan të “enjten e madhe” të nasarave (krishterëve)[1] për festë dhe besojnë se Merjem bint Imran alejhimes-selam e tërheq fustanin këtë ditë mbi të mbjellat në mënyrë që ato mbijnë? Atë ditë ata nxjerrin jashtë rrobat e tyre dhe stolitë e grave duke shpresuar bekimin e kësaj dite. Ata përdorin kuhël për fëmijët e tyre dhe ngjyrosin kafshët dhe pemët me të kuqe, gjithashtu duke shpresuar bekimin nga veprimi i tillë. Ata ngjyrosin vezë dhe luajnë bixhoz me vezë, duke menduar se kjo është e lejuar. Po ashtu ata ndezin temjan duke shpresuar bekime. Na jepni përgjigje neve, Allahu ju shpërbleftë me të mirat e Tij!
Përgjigje: Falënderimi dhe lavdërimi i takon vetëm Allahut.
Asgjë që veprohet në lidhje me festimet e kufarëve dhe nga ajo që ata i shenjtërojnë, nuk lejohet që muslimani t’i veprojë.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Kush i përngjason një populli, ai është prej tyre.” [2]
Ai ﷺ gjithashtu ka thënë:
“Nuk është prej nesh ai i cili i ngjason me dikë tjetër pos nesh (të huajt).” [3]
Umer bin Khatabi (radijAllahu anhu) u vuri kushte jehudëve dhe nasarave që të mos u tregojnë muslimanëve ndonjë prej ritualeve të tyre apo rituale të tjera pagane, ceremoni apo ndonjë gjë tjetër. Myslimanët janë të bashkuar se atyre nuk u lejohet të bëjnë veprime që i bëjnë ata.
Pavarësisht nëse myslimani ka për qëllim që t’i ngjasojë jobesimtarëve apo vetëm e bën këtë si zakon, nuk i lejohet atij të bëjë atë që është e veçantë për ta, qofshin ato rroba të tyre, ushqime e të ngjashme (gjatë ditëve të festave të tyre). Ajo i përket veçorive me të cilat dallohen festat të tyre të cilat nuk janë të lejuara për myslimanët që t’i praktikojnë.
Ai që mendon se Merjemja mu atë ditë tërheq fustanin e saj mbi të mbjellat në mënyrë që ato të mbijnë, duhet të kërkohet që ai të pendohet. Ai ose pendohen, ose ekzekutohet[4]. Sepse kjo është një doktrinë e nasarave dhe gjithashtu një prej besimeve më të prishura. As profetët dhe të dërguarit (alejhimis-salatu ues-selam) që ishin më të mirë sesa Merjemja, nuk ishin në gjendje të bënin që të mbjellat të mbijnë apo të rriten, apo të shkaktojnë rënien e shiut nga qielli! Atëherë, si të mundet që Merjemja (alejhes-selam) ta bëjë këtë gjë? Ky është besimi i nasarave në lidhje me të, gjithashtu ata mendojnë se ajo u bën dobi dhe mund t’i dëmtojë ata. Kjo është një nga idhujtaritë e tyre për të cilat Allahu i ka dënuar.
Allahu (te ala) ka thënë:
“Ata i konsideruan “ahbarët” (priftër jehudi) të tyre, “ruhbanët” (murgjit e krishterë) të tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes, për zota pos Allahut ndërsa ata nuk janë urdhëruar për tjetër pos për adhurimin ndaj Allahut një, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij. I Lartë është Ai nga çka i shoqërojnë.” 9:31
Gjithashtu, Allahu (te ala) ka thënë:
“Nuk është (e mundur për) një njeri të cilit Allahu i ka dhënë Librin, dijeninë e gjerë dhe profecinë, që t’u thotë njerëzve: “Bëhuni robërit e mi dhe jo të Allahut”. Përkundrazi, ai thotë: “Bëhuni robër të ditur të Zotit (që i zbatojnë porositë e Tij), sepse ua keni mësuar Librin të tjerëve dhe e mësoni edhe vetë!” Ai njeri nuk do t’ju urdhërojë që engjëjt dhe profetët t’i merrni për zota. Vallë, si mund t’ju urdhërojë ai të bëheni mohues, pasi i jeni nënshtruar Allahut?!” 3:79-80
Dhe ai i cili i merr engjëjt dhe profetët si zota ai është jobesimtarë, atëherë si është rasti me ata që marrin Merjemen dhe dijetarët e tjerë si zota?
Allahu (te ala) ka thënë:
“Thuaj: “Thirrini ata që ju i hyjnizoni përveç Tij! Ata nuk mund t’jua largojnë të keqen e as nuk mund ta hedhin atë tjetërkund”. Vetë ata që idhujtarët u luten, kërkojnë t’i afrohen Zotit të tyre, madje edhe më të afërtit, duke shpresuar mëshirën e Tij dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij. Me të vërtetë, nga dënimi i Zotit tënd duhet të ruhet gjithkush.” 17:56-57
Një grup nga Selefët kanë thënë se, ka pasur një popull që adhuronin profetin Uzejr, Isanë dhe engjëjt. Pastaj Allahu (te ala) tha se këta profetë dhe engjëj që ju po i adhuroni, vetë ata shpresojnë mëshirën Time, frikësohen nga dënimi Im sikurse edhe ju. Ata, sikurse edhe ju, përpiqen që të më afrohen Mua. Ai tregoi se, ju që po i adhuroni ata, ata as nuk mund të shmangin dëmin prej tyre e as që mund ta lëvizin atë nga një vend në një tjetër. Nëse rasti është i tillë me engjëjt dhe profetët, atëherë si është rasti me të tjerët sikurse Merjemja dhe njerëzit e tjerë burra dhe gra të devotshëm? Ai që i lutet apo i bën ndonjë lloj adhurimi dikujt tjetër përveç Allahut (te ala), pa e marrë parasysh se kush është ai (që i drejtohesh me adhurim), ai është idhujtarë.
Përveç kësaj, është mëkat që të zbukurosh veten gjatë festave të nasarave, gatimi i tepërt dhe i panevojshëm i ushqimit, vërja kuhël fëmijëve, ngjyrosja e kafshëve dhe e pemëve me të kuqe dhe ngjyra të tjera dhe të ftuarit e të tjerëve për nder të festave të tyre. Ai që vepron këto vepra për tu afruar më afër Allahut dhe duke shpresuar bekimin e tyre, duhet të kërkohet pendim nga ai, nëse ai nuk pendohet ai duhet ekzekutuar[5]. Ai i cili bën vepra të tilla, ai është vëllai i nasarave. Kjo është sikurse ta adhurosh kryqin. Ai që i bën këto vepra është kafir dhe renegat. Është e detyrueshme për ta ekzekutuar atë edhe nëse ai thotë se është musliman. E njëjta gjë vlen edhe për ngjyrosjen e vezëve. Ndërsa, lidhur me bixhozin me këto vezë, themi se bixhozi gjithmonë dhe në çdo formë është i ndaluar, pavarësisht se a bëhet me vezë apo me diçka tjetër. E njëjta vlen edhe për temjanin dhe gjëra të tjera gjatë kësaj dite.
Nuk duhet vepruar diçka nga ajo që është specifike për ta, gjatë ditëve të festave të tilla. Nëse dikush agjëron atë ditë për t’i kundërshtuar ata, shumë dijetarë thonë se kjo është e urryer. Kjo është transmetuar mes tjerash nga Enes bin Maliku (radijAllahu anhu), Hasan el-Basri dhe Ahmed bin Hanbel (Allahu i mëshiroftë). Sepse është një lloj shenjtërimi agjërimi i festës së tyre edhe pse ata vetë nuk e agjërojnë atë. Çfarë të themi nëse shenjtërimi është nëpërmjet veprimeve të ngjashëm të cilat i bëjnë ata në atë ditë?!
A nuk sheh se jehuditë e konsideruan Ditën e Ashures të jetë festë të cilën ata e agjëruan dhe e shfaqnin gëzimin? Profeti ﷺ ka urdhëruar një herë të vetme që ajo të agjërohej para se të bëhej agjërimi i Ramazanit i detyrueshëm. Kur agjërimi i Ramazanit u bë i detyrueshëm, atëherë detyrimi i agjërimit të Ditës së Ashures u shfuqizua dhe mbeti veprim i rekomanduar. Kur i është thënë profetit ﷺ se jehudët dhe të krishterët e bëjnë këtë ditë festë publike, ai tha:
“Nëse do të jam gjallë deri në vitin e ardhshëm, do të agjërojë edhe ditën e nëntë.” [6]
Shumica e dijetarëve thonë se ai e kishte për qëllim ditën e nëntë dhe të dhjetë në mënyrë që të mos agjërohej vetëm dita e dhjetë. Gjithashtu, profeti ﷺ ka ndaluar që të agjërohet vetëm dita e xhuma:
”Mos agjëro ditën e xhuma, përveç nëse agjëron një ditë para ose një ditë pas saj.” [7]
Pasi që profeti ﷺ kishte urdhëruar që Dita e Ashures të agjërohej, ai e bëri të njëjtën gjë me atë ditë për t’i kundërshtuar jehuditë dhe që ta mos e shenjtërojë atë ditë së bashku me ta duke agjëruar vetëm atë ditë. Kjo duke pasur parasysh se e vetmja gjë që është ligjësuar në lidhje me Ditën e Ashures është agjërimi, gjë për të cilën dijetarët janë të pajtuar. Çdo gjë tjetër që bëhet sikurse ngjyrosja dhe të pikturimi, të pastruarit e trupit dhe furnizimi i tepërt i familjes posaçërisht në atë ditë, i përkasin risive në fe. Asnjë nga dijetarët e selefëve nuk kanë rekomanduar veprime të tilla. Në fakt, të gjitha hadithet lidhur me këtë temë janë të trilluara. Nëse profeti ﷺ urrente një ngjasim deri diku lidhur me Ditën e Ashures, atëherë si është rasti me ditën e krishtlindjeve, e diela para pashkëve[8], të “enjten e madhe” dhe festat e tjera pagane? Ka dijetarë që thonë se ai që bën diçka që është specifike për festat e kufarëve është vetë kafir. Dijetarë të tjerë thonë se therja e një kafshë e cila është therur me brirë deri në vdekje atë ditë është sikurse therja e një derri. Është e detyrueshme për pushtetarin që t’i ndalojë këto veprime të ndaluara dhe të këqija dhe t’i urdhëroj njerëzit që t’i përmbahen rregullave islame të cilat janë të vetmet që Allahu i pranon. Thotë Allahu te’ala:
“Feja e pranueshme tek Allahu është Islami.” 3:19
Dhe thotë Allahu (te ala):
“Dhe kushdo që kërkon ndonjë fe tjetër përveç Islamit, ajo kurrë nuk do t’i pranohet atij dhe në botën e pastajme ai do të jetë prej të humburve.” 3:85
Kjo ishte e tëra dhe Allahu e di më së miri, falënderimi dhe lavdërimi i takon vetëm Allahut. Salavatet dhe selamet qofshin mbi të dërguarin e Tij, familjen dhe shokët e tij.
[1] Sipas të nasarave, e “enjta e madhe” nënkupton “Ngritja e Krishtit në qiell, festë e cila i bie çdo herë ditën e enjte, dhe është 40 ditë pas pashkëve”.
[2] Ebu Davudi (4031) dhe Ahmedi (2/50). Autentik sipas Imam Albanit në “el-Irua” (1269).
[3] Tirmidhiu (2695). Konfirmuar sipas Imam Albanit në “Silsiletul-Ehadithis-Sahihah” (4/3899).
[4] dhe [5] Ekzekutimi i dënimit bëhet vetëm nga sundimtari ose zëvendësi i tij.” – Sepse Allahu ka caktuar se këto gjëra i takojnë vetëm sundimtarit apo atij që e zëvendëson atë.
[6] Buhariu (1794) dhe Muslimi (1125).
[7] Muslimi (1134).