Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Bab el-Lika el-Maftuh (5 A)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Ju thatë se haxhiu i cili jeton në Mekë, nuk duhet të shkurtojë namazin në Mina, për dallim kur është në Muzdelifeh dhe Arafah. Çfarë thoni për këtë?
Përgjigje: Sa i përket haxhiut nga Meka, dijetarët si imam Ahmedi dhe Esh-Shafi’i, të cilët caktojnë udhëtimin përmes distancës, ai as nuk duhet t’i bashkojë e as t’i shkurtojë namazet. Prandaj ata kurrë nuk e kanë lejuar haxhiun nga Meka t’i shkurtojë e as t’i bashkojë namazet.
Mendimi mbizotërues është megjithatë se udhëtimi duhet të vlerësohet sipas zakonit dhe përgatitjes dhe jo sipas distancës. Kur të përgatitesh për një udhëtim dhe të mbush bagazhin për të, atëherë ky është udhëtim. Bazuar në këtë mendim i lejohet haxhiut nga Meka të shkurtojë namazet dhe t’i bashkojë ato. Dëshmia për këtë është se banorët e Mekës e bënë haxhin me profetin ﷺ i cili nuk i urdhëroi ata të falnin namazin e plotë. Pra mendimi i njohur i imam Ahmetit dhe po ashtu i Shafei’iut është se haxhiut nga Meka nuk i lejohet të bashkojë namazet e as t’i shkurtojë ato në Mina, në Arafah apo në Muzdelifah.
Lidhur me mendimin tjetër të cilin e konsideroj të jetë mbizotërues, kështu që personi që është në Muzdelifeh ose në Arafah konsiderohet të jetë jashtë Mekës prandaj i lejohet të praktikojë dispozitat e udhëtarit.
Lidhur me Mina, ju e dini vetë se Mina e sotme duket të jetë një nga periferitë e Mekës. Prandaj mendoj se është më e sigurt që të mos bashkohen ose të shkurtohen namazet në Mina. As tjerët që nuk janë banorë të Mekës nuk duhet t’i bashkojnë namazet në Mina. Është sunnet për ata që nuk janë nga Meka që të shkurtojnë namazet në Mina pa i bashkuar ato. Siç u tha Muzdelifeh dhe Arafah janë të ndara nga Meka, por nëse Meka një ditë do të bëhej aq e madhe sa që Muzdelifeh të bëhet pjesë e qytetit, ajo merr të njëjtin gjykim si Mina. Do të jetë i njëjti gjykim.