Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Fataua Islamijjeh (2/156)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Disa imamë gjatë namazit të teravive i falin katër ose më shumë rekate së bashku me një selam pa u ulur mes dy rekateve, dhe ata pohojnë se ky veprim prej sunnetit. A ka ndonjë bazë për këtë veprim në sheriat?
Përgjigje: Hamdi i qoftë Allahut.
Ky veprim nuk është i ligjësuar në sheriat, por është e urryer ose haram sipas shumicës së dijetarëve sepse profeti ﷺ ka thënë:
“Namazi i natës është dy nga dy.”
Hadithi është sahih, nga hadithi i Ibn Umerit -radijAllahu anhu-.
Dhe është vërtetuar se Aishah -radijAllahu anha- ka thënë:
“Profeti ﷺ falte njëmbëdhjetë rekate gjatë natës dhe bënte selam pas çdo dy rekateve, dhe e falte vitrin me një rekat.”
Hadithi është sahih. Dhe ka shumë hadithe të ngjashme.
Në lidhje me hadithin e Aishes, e cila thotë:
“Profeti ﷺ falte katër rekate dhe mos pyet sesa bukur dhe sa gjatë i falte ato, pastaj i falte katër rekate dhe mos pyet sesa bukur dhe sa gjatë i falte ato.”
Hadithi është autentik, përgjigjja është se ai bënte selam pas çdo dy rekateve; kjo nuk do të thotë se ai i falte katër rekate me një selam për shkak të hadithit të cituar më sipër. Dhe është vërtetuar se ai ﷺ ka thënë:
“Namazi i natës është dy nga dy.”
siç u tha më lart. Hadithet konfirmojnë njëri-tjetrin, kështu që muslimani është i detyruar t’i studiojë të gjitha së bashku dhe të interpretojë ato që janë të përgjithshme me ato që janë më specifike, dhe Allahu është Burimi i forcës.