“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

Ndalesat për atë që synon të therë kurban

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Burimi: http://www.binbaz.org.sa/node/11668
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Pyetje: A i lejohet haxhiut të shkurtojë diçka nga qimet e trupit apo thonjtë gjatë dhjetë ditëve të para të Dhul-Hixhes? Personi ndodhet në Riad dhe dëshiron të kryejë haxhin. Kemi dëgjuar se atij që dëshiron të therë kurban nuk i lejohet që t’i shkurtojë flokët.

Përgjigje: Pasi të ketë hyrë Dhul-Hixheh, atij që dëshiron të therë kurban nuk i lejohet të heqë asgjë nga qimet e trupit apo thonjtë derisa të therë kurbanin. Kur të shihet hëna e re dhe të hyjë muaji, bëhet e ndaluar për të gjithë ata që synojnë të therin kurban të heqin diçka nga flokët, thonjtë apo lëkura e tyre. Kjo vlen si për burrat ashtu edhe për gratë dhe përfshin të gjitha qimet, si mustaqet, qimet e vendeve intime dhe qimet e sqetullave.

Ky gjykim vlen për personin që dëshiron të therë kurban për veten e tij, familjen e tij dhe prindërit e tij. Atij nuk i lejohet të heqë asgjë nga trupi i tij derisa të therë. Ndërsa përfaqësuesi që ther në emër të dikujt tjetër, atij i lejohet të heqë qimet dhe të shkurtojë thonjtë sepse ai nuk konsiderohet therësi.

Therësi është personi që ther me pasurinë e tij për veten, prindërit dhe familjen e tij. Ky person nuk lejohet të heqë flokë, thonj apo lëkurë që nga hyrja e Dhul-Hixhes e deri sa të therë kurbanin.

I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kur të hyjnë dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes dhe ndonjëri prej jush dëshiron të ther kurban, atëherë të mos pres asgjë nga flokët, thonjtë apo lëkura e tij.”

Kjo është e vetmja gjë që nuk i lejohet derisa të therë kurbanin. Përndryshe atij i lejohet të parfumohet, të jetë intim me bashkëshorten e tij dhe të përfitojë nga gjërat e lejuara.

Shpërndaje: