Alameh Salih bin Sad Es-Suhejmi
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Një nga arsyet e lumturisë dhe lidhjeve të forta familjare është që ti, o baba, dhe ti, o nënë, t’i kushtoni një kohë të caktuar bijve dhe vajzave tuaja qoftë një ose dy orë në ditë. Të uleni me ta, të shikoni gjendjen e tyre, të kontrolloni çfarë kanë në celularët (pajisjet elektronike) e tyre. Silluni butë me ta, qeshni me ta, përkëdhelni ata, luani me ta, shikoni punët (hallet, nevojat) e tyre. Injoroni disa nga gabimet e tyre dhe edukoni në lidhje me disa gabime. Kije parasysh këtë, o rob i Allahut! Kështu që familja dhe fëmijët tuaj të kenë një pjesë nga ti (dhe koha jote). Mos u angazho me jetën e kësaj bote dhe kënaqësitë e saj të përkohshme duke e braktisur detyrimin ndaj gruas dhe fëmijëve tuaj.
Një prej shujukhëve tanë të nderuar, shejkh Abdul-Muhsin El-Abbad El-Bedr një ditë në javë e cakton për të dalë me fëmijët e tij në ndonjë vend ose në pushimoren e tij ku kalon tërë natën apo tërë ditën me ta, nga fundi i ditës deri pas jacisë. Ai i trajton me butësi, bën shaka me ta dhe kontrollon punët (veprat, hallet) e tyre. Ai e bën këtë me nipërit e tij, mbesat e tij, fëmijët e tij, me gratë e tij dhe me tërë familjen e tij.
Kjo i sjell lumturi familjes dhe i bën ata të ndiejnë se pas kujdesit të Allahut -subhanehu ue te ala-, kanë një kujdestarë që kujdeset për ta. Kushtoja fëmijëve tu një pjesë nga ti dhe koha jote.
I gjen disa njerëz që kur janë me njerëz të tjerë qeshin duke hapur gojën derisa iu duken dhëmballët e tyre, dhe qeshin me zë të lartë. Por kur kthehet në shtëpi mërrolet dhe mbledh gjitha hallet e botës për t’i hedhur mbi familjen e tij. Dhe disa gra janë të tilla.
Shejkhu po lexon një varg poezie ku thuhet:
“Sa herë që ajo hap gojën është sikurse të jetë hapur një portë zjarri…”
Sapo të hyjë burri në shtëpi, ajo shprehet në mënyrë të pakëndshme:
“Ka ndodh kështu, fëmijët e tu kanë vepruar këtë, ti nuk di për këtë! Ti je kështu! Ti nuk shpenzon për ne! Ti ke vepruar këtë!”
Pra ti e djeg atë dhe bën që ai të dëshirojë të ikë nga shtëpia. Pastaj ai do të kërkojë një mënyrë për të ikur nga shtëpia. Ndoshta neglizhenca ishte nga ana e tij, ndoshta ishte nga ana e saj, ose ndoshta ishte nga të dy. Kije frikë Allahun, o rob i Allahut dhe kije frikë Allahun, o robëreshë e Allahut në lidhje me fëmijët tuaj! Nëse burri yt vjen tek ti, prite atë me buzëqeshje, qetësi dhe me fjalë të mira dhe harro gjithçka, dhe bëje që ai të harrojë gjithçka. Bëje atë të harrojë hallet e kësaj bote. Ai gjithashtu duhet të veprojë të njëjtën gjë.
Bëjeni shtëpinë tuaj vend lumturie, prehje, paqeje dhe rehatie. Dhe përpiquni fort të kërkoni lumturinë e kësaj bote dhe atë të botës së përtejme.