“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Në islam nuk ka adhurime-mbetje të injorancës

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Burimi: http://www.binbaz.org.sa/mat/4182

Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Pyetje: “Disa prej orientalistëve perëndimorë thonë se, islami ka ruajtur disa prej veprimeve të idhujtarisë siç është puthja e gurit të zi. Si i kundërshtoni ata në këtë çështje?”

Përgjigje: “Veprimi i tillë nuk është idhujtari. Ky është një adhurim që Allahu e ka caktuar për ne. Në veprimin e tillë as nuk ka përngjasim me idhujtarët dhe as me adhurimet që ata bëjnë. Allahu Subhanehu ue Te’ala i drejtohet robërve të Tij (i kërkon atyre ndonjë formë adhurimi) atë që Ai do. Prandaj, atë që Allahu kërkon nga ta, kjo bën pjesë në ligjësimet e Tij, pa pasur ndonjë lidhje nga veprimet e idhujtarëve.

Ka mundësi që në kohën e injorancës (para shpalljes së fundit), kishte veprime të mira e të cilat i ka aprovuar islami. Një prej shembujve të tillë, është pagesa e “dijes”[1] njëqind deve, gjë të cilën e ka aprovuar edhe islami. Po ashtu edhe “el-Kasametu”[2] ka qenë edhe në kohën e injorancës, dhe të cilën e ka aprovuar edhe islami. E njëjta gjë është edhe me puthjen e gurit të zi dhe përshëndetjen e tij gjatë tavafit. Me këtë është për qëllim “madhërimi i Allahut dhe kërkimi i kënaqësisë së Tij”. Ndërsa nuk është për qëllim kërkimi i begatisë nga ai apo se po i drejtohemi me lutje atij. Por, kjo gjë bëhet në emër të nënshtrimit ndaj Allahut.

Me këtë gjë, Allahu i ka sprovuar robërit e Tij se a i nënshtrohen apo jo?! Robërit e Tij të sinqertë janë ata të cilët kur i urdhëron Allahu me ndonjë gjë i binden Atij. Dhe, prapa përshëndetjes së gurit të zi dhe të këndit “Jemanij” të Qabesë fshihet sprova e Allahut se a do i nënshtrohen dhe a do i binden Atij apo jo?!

Kur Umeri (radijAllahu anhu) e puthi gurin e zi, tha: “Unë e di se ti je vetëm një guri, i cili nuk bën as dëm dhe as dobi! Dhe, sikur të mos e kisha parë profetin (salAllahu alejhi ue selem) duke të puthur, kurrë nuk do të kisha puthur.”

E njëjta gjë është edhe me respektin ndaj mysafirit, veprim i cili ishte i trashëguar nga koha e injorancës. Dhe, respektimi i mysafirit mbeti edhe në islam.

Këto që i cekëm dhe gjëra të tjera që kanë të bëjnë me norma të moralit të cilat i do Allahu dhe na inkurajon në to Allahu dhe i dërguari i Tij (salallahu alejhi ue selem), gjithashtu të gjitha sjelljet e mira që kanë qenë edhe në kohën e injorancës, ato janë trashëguar edhe në islam dhe janë aprovuar nga ai.”


[1] Shpagimi për vrasjen e një njeriu. Dhe kjo vije në shprehje atëherë kur familja e të vrarit e ia fal gjakun vrasësit. Pra, në rastin e tillë vjen në shprehje “dija”. Përndryshe, vrasja e vrasësit është detyrë vetëm e udhëheqësit shtetërorë.

[2] Të betuarit se personin në fjalë e kanë vrarë disa apo dikush i caktuar. Kjo vije në shprehje kur është gjetur dikush i vrarë brenda pronës së dikujt apo në territorin e dikujt.

Shpërndaje: