Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Burimi: Muteferikat, kaseta nr 5
www.perlatmuslimane.com
Pyetësi: A lejohet për një person që të lutet në sexhde (gjatë namazit) për çështje të kësaj bote, si p.sh. për një shtëpi të bollshme apo që të ketë një grua të devotshme?
Përgjigje: Nuk ka dyshim se duaja që bëhet në sexhde, ose mund të jetë për diçka që lejohet nga sheriati ose për diçka që nuk lejohet nga sheriati, e thënë më qartë, ose është diçka e lejuar ose është diçka jo e lejuar. Ai i cili i lutet Allahut azze ue xhel dhe kërkon prej Tij diçka të lejuar, kjo lejohet, pasi duaja në vetvete është t’i drejtohesh dhe t’i kërkosh Allahut tebareke ue teala të të japë diçka sado e parëndësishme të jetë ajo, por për sa i përket atij që kërkon nga Zoti i tij, kjo është gjë e madhe pasi kjo vërteton se ai është rob i Allahut azze ue xhel dhe ka nevojë për begatitë dhe mëshirën e Tij, prandaj dhe është transmetuar në disa hadithe se i dërguari i Allahut ﷺ ka urdhëruar që muslimani t’i kërkojë Zotit të tij sa dhe (t’i lutet) që të rregullojë dhe rripin e sandaleve të tij, e çka është rripi i sandaleve të tij?! Diçka që as nuk ia vlen të përmendet. Kështu që bazuar mbi këtë, muslimani në sexhde e lut Zotin e tij për gjëra që i nevojiten në dunja, sidomos për çështjet e botës tjetër, pasi kjo e afron atë më tepër drejt Allahut, prandaj ka thënë i dërguari i Allahut ﷺ:
”Pozita ku robi është më afër me Zotin e tij është në sexhde, prandaj shpeshtojini lutjet në të pasi në të vërtetë kështu ka shumë mundësi t’ju pranohet lutja.”
Por natyrisht, duhet të kemi parasysh këtu se ai që lutet në sexhde, ose është duke u falur vetëm, ose është duke u falur pas një imami që e zgjat sexhden dhe kështu që ka një mundësi të mirë të lutet në sexhde dhe kjo aq sa të dëshirojë Allahu, brenda kufijve që sqaruam.
Dhe nëse është imam, nuk e zgjat shumë qëndrimin në sexhde pasi u shkakton vështirësi atyre që janë duke u falur pas tij, por kjo është çështje tjetër. Por nëse lutet, lutet sa të dëshirojë, në kundërshtim me atë që thonë disa prej medhhebeve se nuk duhet që ai të lutet për të tilla gjëra në sexhde, madje sipas tyre, kjo nuk vlen vetëm në sexhde, por dhe në teshehudin e fundit para selamit, atij nuk i lejohet t’i lutet Allahut për çështje të dynjasë si p.sh. të lutet duke thënë:
”O Allah, më mundëso të martohem me filanen.”
Sipas tyre, nëse ai e thotë këtë dhe kjo është prej fjalëve (lutjeve) për çështje të dunjasë, atëherë namazi i tij bëhet i pavlefshëm. Ndërsa medhhebet e tjera, në mënyrë absolute nuk shikojnë gjë të keqe në këtë dhe kjo është ajo që ne e shohim si të saktë, siç dhe e përmendëm më përpara se të kërkuarit (prej Allahut) për gjëra të cilat janë të lejuara nga sheriati, ky është adhurim që i bëhet Allahut azze ue xhel. Kjo është ajo që kisha për të thënë në lidhje me këtë pyetje.