Imam Salih bin Feuzan El-Feuzan
Sherh Ighathat-il-Lahfan (72)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Nëse dashuria ndaj nënës bie ndesh me dashurinë ndaj gruas, a ka përparësi dashuria ndaj nënës pasi që është e urdhëruar në fe?
Përgjigje: Jo, dashuria ndaj gruas nuk ka përparësi. Nëna ka përparësi ndaj gruas kur bëhet fjalë për dashuri, përkushtim dhe sjellje të mirë.
Allahu -te ala- ka thënë:
“Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vjetësh. Ne i thamë atij: ‘Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë’.” Lukman, 31:14
“Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë me mund dhe me mund e lind. Ai mbartet dhe ushqehet me gji për tridhjetë muaj dhe, kur arrin në moshën e burrërisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: “O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur!” El-Ahkaf, 46:15
“Ne e kemi urdhëruar njeriun, që të sillet mirë me prindërit e vet dhe: “Nëse ata të nxisin ty që të më shoqërosh Mua (në adhurim) atë, për të cilin ti nuk di asgjë, atëherë mos i dëgjo ata.” Tek Unë do të ktheheni të gjithë e do t’ju lajmëroj për gjithçka që keni bërë.” El-Ankebut, 29:8
“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” El-Isra, 17:23-24
Ebu Hurejra-radijAllahu anhu- rrëfeu:
“Një burrë i tha profetit ﷺ: “O i dërguari i Allahut, kush e meriton më së shumti shoqërinë (përkujdesjen, mirësinë) time të mirë?”
Profeti ﷺ tha: “Nëna jote.”
Ai e pyeti: “Pastaj kush?”
Profeti ﷺ tha: “Nëna jote.”
Ai tha: “Pastaj kush?”
Profeti ﷺ tha: “Nëna jote.”
Ai tha: “Pastaj kush?”
Profeti ﷺ tha: “Pastaj babai yt.”
Transmeton Buhariu (5971) dhe Muslimi (2548).