Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: “Muhadarat fil-Akideti ued-Da’ueh”, 2/172-173
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Neve gjykojmë në bazë të asaj që duket, por nuk duhet ngutur në gjykime ndaj njerëzve- ky është një rregull për këtë ummet, rregull i cili mbetet deri në Ditën e Kiametit, domethënë që të mos ketë nguti në veprime dhe gjykime ndaj atyre të cilëve e shfaqin Islamin se “ai nuk është mysliman”, ngase kush e di këtë gjë?! Vetëm Allahu e di të vërtetën, ndërsa ne nuk dimë asgjë më shumë përveç asaj që e shohim. Prandaj, kushdo që na shfaqë neve mirësinë e tij, ne e pranojmë prej tij, ndërsa fshehtësitë që ai mban, ia lëmë Allahut (azze ue xhel). Për këtë shkak i dërguari i Allahut ﷺ thotë:
“Jam urdhëruar që t’i luftoj njerëzit derisa të thonë La ilahe ilAllah. E kush e thotë, me këtë e mbron nga unë pasurinë dhe vetveten e tij, pos me të drejtë të Islamit, kurse llogaria e tij mbetet tek Allahu.”
Kushdo që e paraqet Islamin nuk gjykohet ndryshe, përveç nëse është bërë e qartë se ai njeri me të vërtetë nuk është mysliman, pa marrë parasysh se a bëhet kjo përmes fjalëve apo veprave të tij, të cilat e shpijnë njeriun drejtë daljes nga feja.
Thotë Allahu në Kuran:
“O ju të cilët keni besuar! Kur të shkoni në luftë, në rrugë të Allahut, shqyrtoni gjithçka me kujdes! Dhe mos i thoni atij që ju përshëndet me selam: “Nuk je besimtar” 5:94
Thuhet se ky ajet ka zbritur në lidhje me Usame bin Zejdin dhe babain e tij radijAllahu anhuma, ka lidhje me ngjarjen ku në njërën prej betejave Usame shkoi pas njërit prej jobesimtarëve për ta vrarë. Kur e zuri atë, jobesimtari tha: “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Allahut.”
Por Usame (radijAllahu anhu) u ngut dhe e vrau edhe pse e tha këtë fjalë.
E kur e morri vesh këtë gjë profeti ﷺ ue selem e refuzoi fuqishëm veprimin e tij, duke i thënë:
“E ke vrarë pasi që ka thënë La ilahe ilAllah?!”
Këtë fjali e përsëriti shumë herë, derisa Usame (radijAllahu anhu) i tha: “O i dërguar i Allahut, ai e tha këtë gjë që të mbrohej nga shpata.”
E në atë rast, i dërguari i Allahut i tha:
“A mos ia ke hapur zemrën? Dhe çfarë do të bësh me dëshminë e tij në Ditën e Gjykimit?”
Pas kësaj, Usame ndjeu keqardhje të madhe dhe u pendua fortë, duke thënë: “Do të doja që të mos e kisha pranuar Islamin para asaj dite!”
Ky është një mësim shumë i rëndësishëm për ummetin islam, që ata të mos nguten duke marrë ndonjë veprim apo gjykim të caktuar para se ta vërtetojnë se a është e vërtetë një gjë e tillë dhe para se tu sqarohet e vërteta rreth asaj gjëje.